DnV: Vonesat e numërimit të votave të kandidatëve të papranueshme, duhej të numëroheshin që nga dje

DnV: Vonesat e numërimit të votave të kandidatëve të papranueshme, duhej të numëroheshin që nga dje

Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka thënë se është cënuar procesi nga dështimi i sistemit elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për publikimin e rezultateve preliminare, duke e lënë publikun pa informata të sakta deri ditën e nesërme.

“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e tyre.

Postimi i plotë:

Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), rikujton vlerësimin se dita e zgjedhjeve më 9 shkurt u zhvillua në përgjithësi në një atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze. Megjithatë, procesi u cenua nga dështimi i sistemit elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për publikimin e rezultateve preliminare, duke e lënë publikun pa informata të sakta deri ditën e nesërme.

Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve.

Andaj, procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe.

Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN  dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve.

Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.

Demokracia në Veprim do të vazhdojë monitorimin e procesit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Shpërndaje në: