Djokovicit i ndalohet hyrja në Kosovë – Mediat serbe e konsiderojnë si skandaloz postimin e ministrit Çeku
Mediat serbe e kanë konsideruar si skandaloz postimin e ministrit të Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, i cili shkroi dje në Twitter: “No-Vax No Entry” (S’ka vaksinë, s’ka hyrje), duke iu referuar tenistit serb, Novak Djokovic, i cili nuk kishte pranuar të vaksinohej dhe ndërkohë dje e shprehu dëshirën për të ardhur në Kosovë për t’i pagëzuar fëmijët e tij.
Djokovic nuk ishte lejuar të futej në Australi për të marrë pjesë në turneun e tenisit, Australian Open pasi kishte refuzuar ta merrte vaksinën anti-covid, shkruan “Gazeta Express”.
“Skandaloze! Novak kërkon t’i pagëzojë fëmijët në Kosovë, ministri i Kosovës provokon me një postim të turpshëm”, ka shkruar sot mediumi serb “Kurir”.
Tenisti serb kishte thënë në një intervistë me mediat italiane se do të donte të shkojë në Kosovë, të cilën e konsideroi si pjesë e zemrës, të kulturës, të traditës dhe të fesë së serbëve, por që nuk ndihet shumë i sigurt për të ardhur këtu për shkak të tensioneve dhe të destabilitetit të situatës në vend, siç i quajti ai.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Çeku dje, duke e ditur se sportisti nacionalist serb është persona “non-grata”, pra i padëshiruar fizikisht në Kosovë.