Ditët e Kulturës Shqiptare sivjet me shumë aktivitete e në disa qytete evropiane

Ditët e Kulturës Shqiptare sivjet me shumë aktivitete e në disa qytete evropiane

Gjatë “Nëntorit Shqiptar”, në kuadër të “Ditët e Kulturës Shqiptare”, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me ambasadat e Republikës së Kosovës, organizon shfaqje të filmave, ekspozita, koncerte e shumë ngjarje të tjera kulturore në Vjenë, Malmo, Berlin, Bernë dhe Londër.

Një gjë të tillë e konfirmoi për KultPlus këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtim Sheremeti. Ai në detaje tregoi për eventet të cilat do të mbahen në këto qytete, duke i dhënë theks të veçantë shfaqjes së filmit të regjisorit tashmë të ndjerë Besim Sahatçiu, që do të ndodhë në Londër. Sheremeti, tha se filmin e Sahatçiut do ta shfaqin në Londër për shkak të familjes së tij që gjendet atje, ku besojnë që e pranishme do të jetë edhe mbesa e tij Rita Ora.

“Jemi munduar që në këto qytete përpos promovimit të kulturës sonë, gjithashtu të inkuadrojmë artistë tanë të mëdhenj që jetojnë atje. Sivjet do të kemi ekspozitë nga Fadil Berisha “Albanian Beauty”, në kuadër të Ditës së Filmit Shqiptar do ta shfaqim edhe filmin “Shok”. Pastaj do ta shfaqim një film të shkurtër të regjisorit tonë tashmë të ndjerë Besim Sahatçiu, ku këtë e bëjmë në Londër për shkak të familjes së tij që gjendet atje, ku është edhe Rita Ora mbesa e tij. Mandej kemi shfaqjen “Sikur kjo të ishte shfaqje”, që është e produksionit “La Rreme” në bashkëpunim me Teatrin Oda, shfaqje kjo që prezanton më së miri të shkuarën tonë e që vjen nën regji të Agon Myftarit. Po ashtu do të kemi një koncert nga Elina Duni”, tha Kushtrim Sheremeti.

Në lidhje me atë se a do të jetë Rita Ora e pranishme në shfaqjen e filmit të Besim Sahatçiut në Londër, Sheremeti tregon se sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Londër, deri më tani nuk kanë marrë ndonjë konfirmim, pornëse këngëtarja Rita Ora nuk do të ketë ndonjë angazhim diku, besojnë se ajo do të jetë e pranishme.

Do të jetë filmi “117” i Sahatçiut ai i cili do të shfaqet në këtë organizim kulturor që synon promovimin e kulturës shqiptare. Filmi është i realizuar në vitin 1976 ndërsa ka fituar Pllaketën e Artë në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe të Metrazhit të Shkurtër në Beograd, në vitin 1978.

Krejt për fund, ai theksoi se nëse buxheti i Ministrisë së Diasporës do të ishte më i lartë këtë aktivitet do ta zgjeronin në gjithë botën, aty ku ka shqiptarë.

“Sivjet këto aktivitete do të organizohen në Vjenë, Malmo, Bern, Berlin edhe Londër, duke e pasur parasysh se kjo ministri ka buxhetin më të ulët në Qeverinë e Kosovës, dhe ky buxhet na e kushtëzon që këtë aktivitet ta bëjmë në gjithë botën”, përfundoi Sheremeti.

Ky organizim do të nisë me 22 nëntor e do të zgjasë deri me 5 dhjetor. / KultPlus.com

Shpërndaje në: