Dita e tretë e dëshmisë së Halil Çadrakut në rastin Thaçi dhe të tjerët

Dita e tretë e dëshmisë së Halil Çadrakut në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari Halil Çadraku në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetje shtesë për dëshmitarin pati prokurori James Pace meqë ekipet e mbrojtjes njoftuan se nuk kanë pyetje duke përshirë edhe mbrojtjen e Krasniqit.

Dëshmitari kishte thënë se Ilmi Reçica dhe Ferat Shala ishin homologet e tij për zonën e Drenicës dhe atë të Nerodimës e që nuk e dinte se çfarë pune bënin ata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë se këta dy persona ose kanë qenë zëvendës të Veselit ose anëtarë të ekipit të tij.

“Unë mendoj që këtë deklaratë e kam dhënë në vitin 2019 pranë ZPS-së. 20 vite pas luftës edhe njohuritë e mija me Ilmi Reçicën dhe Ferat Shalën, tani i njoh por nuk me kujtohet konkretisht se kur i kam parë ata dy. Mund të kem thënë se mendoj për shkak se ata pas luftës kanë punuar si bashkëpunëtor ë Kadri Veselit, ashtu kam dëgjuar. Mendoj që në këtë kontekst e kam thënë. Mirëpo, gjatë luftës e kam thënë dhe e them se unë nuk jam takuar, nuk kam bashkëpunuar, nuk kemi dhënë urdhra ose marrë në bazë të sektorit”, tha Çadraku.

Këtu ndërhyri edhe avokati kujdestar i Çadrakut, Arianit Koci i cili kërkoi që pyetjet të iu shfaqen në ekran edhe në gjuhën shqipe përveç asaj në gjuhën angleze.

“Meqenëse po hyjmë me një pjesë të pyetjeve komplekse, është mirë që kur del pyetja në gjuhën angleze, me dal edhe versioni shqip meqë klienti im nuk din anglisht”, tha Koci.

Pasi dëshmitari e sqaroi deklaratën e tij për ZPS-në, kjo e fundit nuk pati pytje më për dëshmitarin.

Përpara se të vijë dëshmitari në sallën e gjyqit, mbrojtja e Veselit kundërshtoi përdorimin e disa dokumenteve si dhe pranimin e tyre në prova.

Një ndër këto dokumente ishte edhe deklarata e Ferat Shalës që sipas avokatit i njëjti nuk është thirrur për të dëshmuar ose dëshmia e tij nuk është pranuar përmes ndonjë rregullore ‘lex specialist’.

Si rrjedhojë, kryegjyqtari tha se asnjë palë nuk e ka parashtruar këtë deklaratë të Ferat Shalës për t’u pranuar në prova materiale. Ndërsa, avokati Dixon tha se mund të kërkohet ndërkohë.

Megjithatë për këtë çështje, kryegjyqtari tha se do të merret me vonë vendimi.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në: