Dita e romëve: Një ndër episodet më të turpshme në Kosovë, varrimi i deputetit Paçaku
Sot shënohet dita e festës së kulturës dhe traditës së komunitetit rom, një prej komuniteteve më të diskriminuara e margjinalizuara në Republikën e Kosovës. Deputeti më i njohur i këtij komuniteti ishte padyshim muzikologu e poeti Kujtim Paçaku, i cili kishte ndërruar jetën para dy vitesh.
Z.Kujtim Paçaku kishte vdekur në maj të vitit 2018, në moshën 60 vjeçare. I lindur e rritur në Prizren dhe me i shkolluar në Prishtinë e në Sorbonë të Parisit, ai kishte fituar respekt në mesin e komunitetit shqiptar në Kosovë.
Menjëherë pas shpërthimit të Aferës “Pronto” një episod i pahijshëm kishte ndodhur gjatë përgjimeve, kur pjesëtarëve të këtij komuniteti dy politikanë të Kosovës i ishin drejtuar me një fjalë të turpshme të cilën nuk po e paraqesim këtu.
Paçaku kishte shkuar drejt foltores së Kuvendit duke qortuar këta deputetë e duke i detyruar që të kërkonin falje.
Dhe, menjëherë pas vdekjes së tij numri i elozheve që iu thurën deputetit rom nga politikanët shqiptarë ishte i madh. E megjithatë, një tjetër episod kishte eklipsuar krejtësisht këto fjalë të mira.
Asnjë politikan apo deputet nuk kishte marrë pjesë në varrimin e të ndjerit.
Një gjë të tillë në atë periudhë e kishte denoncuar i biri i të ndjerit, Denur Paçaku. /Periskopi