Dispozitivi i hixhabit
Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç organizatave parafetare dhe atyre të religjioneve mbështetet edhe nga plotë deputetë të parlamentit kosovar (PDK, LVV dhe minoritetet). Cili është dispozitivi i këtyre strukturave?
Sot në ora 9.15, «GazetaExpress» publikoi raportin me titull «Riaktualizohet çështja e bartjes së shamisë në shkolla». Inicimi i kërkesës kësaj radhe vjen nga «Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione» në kuadër të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kryesuesja e saj është deputetja e etnisë boshnjake dhe së fundi edhe moderuese e një shou-emisioni në TV7 Duda Balje. Ajo për «Radion Evropa e Lirë» deklaroi se komisioni i saj «kërkon nga Ministria e Arsimit që të ndryshojë udhëzimin administrativ, ose të nxjerr një të ri, ku nuk do t’u ndalohet vajzave me mbulesë të shkojnë në shkollë». Ajo pastaj nënvizoi se çështja mund të rregullohet edhe me ligje, por më mirë e më shpejtë do të ishte pa ato.
Pa ligjet?
Bëhet fjalë për Kushtetutën e Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-032, të shpallur me dekretin Nr.DL-035-2011 e të nënshkruar nga ish presidentja Atifete Jahjaga. Ligji në preambulë bazohet në nenin 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Poashtu në këto ligje e nene bazohet edhe «Udhëzimi» i MASHT 06/2014.
Duke reflektuar pa përjashtuar ekzistencën e këtyre ligjeve dhe pa dashur të suspendojë shtetin ligjor, duke prodhuar «udhëzime për më shpejtë e më mirë», ajo, citojmë mediat: «Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbёrie Nagavci, tha se ministria është e angazhuar dhe po punon që asnjë fëmijë të mos jetë jashtë procesit mësimor. Ajo tha se për çështjen e mbulesës në shkolla dhe jo vetëm, duhet të hapet debat dhe të flitet me argumente nga ekspertë të fushave».
Qëndrim jashtëzakonisht korrekt!
Jokorrekte në këtë drejtim sillet Duda Balje, Komisioni i saj dhe organizatat që fshihen pas kërkesës tash e disa vite. Njëjtë BIK, i cili thotë, sërish citat nga mediat: «Bashkësia Islame e Kosovës, ndërkaq, disa herë ka bërë thirrje që vajzave të cilat bartin shami, tu lejohet shkollimi në institucionet arsimore publike para-universitare. Ata thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore».
Dhe këtu është problemi qendror i kësaj strukture kërkesamadhe, e cila dëshiron modifikimin e kushtetutës së një vendi pa dispozitiv. Me dispozitiv nënkuptojmë këtu atë që thoshte Foucault: «strukturën, e cila në një moment historik ka për funksion plotësimin e një kërkese; pra dispozitivi ka një funksion strategjik». Dispozitivi i BIK, Duda Baljes dhe deputetëve të shumtë të PDK ka në epiqendër synimin për t’i mbuluar vajzat minorene me hixhab. Dakord. Kërkesa nuk është e llojit që duhet ndaluar dhe nxjerrë jashtë të drejtave qytetare të individëve dhe shoqatave, as këtyre fetare pra. Ajo duhet të ketë empatinë e shtetit dhe trajtohet me seriozitet. Ashtu edhe siç vepron Nagavci me ministrinë e saj.
Po tash tek dispozitivi që e kërkon edhe Ministria e zonjës Nagavci. Dispozitivi përbëhet nga tërësia heterogjene e një kauze – gjithmonë sipas Foucault-it dhe plus Agambenit – pra diskurseve, institucioneve, pallateve dhe selive të involvuara, vendimeve juridike, ligjeve, filozofive, deklaratave, moraleve të atyre që kërkojnë dhe atyre që refuzojnë dhe shumëçka tjetër. E gjitha këto subjekte duhet të ofrojnë argumentet brenda diskursit të dispozitivit.
Kur listojmë tani gjitha këto na bëhet e qartë se çka është dhe çka nuk e gjen brenda këtij dispozitivi. Ligjet, Institucionet (shteti, MASHT, udhëzimet, BIK, Komisioni i Dudës) janë; kërkesa për lejimin e hixhabit është; por çka mungon? Mungon argumentimi dhe pjesëmarrja në diskurs e palës që është iniciatore e dispozitivit. Mendojmë jo në atë pjesëmarrjen e tipit : «(BIK) Ata thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore» ose «Bartja e hixhabit nuk është uniformë fetare/politike/ideologjike dhe është e drejtë njerëzore». Jo kështu se këto janë floska, deklarata pa mbulesë e assesi argumente.
Strasburgu dhe një seri gjykatash ndërkombëtare kanë bërë verdiktin: hixhabi nuk është e drejtë njerëzore! Ngase është politike a kulturore, prandaj çdo firmë apo institucion që nuk ndihet kompatibel me simbolet të islamit politik mund t’i refuzojë ato pa shkelur të drejtat e askujt. Pikë. Pra këto instanca e konsiderojnë hixhabin (jo shaminë) uniformë të motivuar nga pjesë të një religjioni të caktuar, ideologjie a shkolle teopolitike. Ashtu siç e shohin aktualisht edhe Ligjet kosovare dhe Kushtetuta e saj.
Nuk është kështu?
Atëherë Komisioni i Dudës duhet ta krijojë një Komision edhe më të madh se vetë, nga juristë, kulturolog, antropolog e parasëgjithash shkencëtar religjionesh (jo nga vetë religjionet), të cilët do bëjnë ekspertizat adekuate dhe ndoshta do të triumfojnë me anulimin e verdikteve europiane dhe globale mbi këtë punë. Nëse fitojnë, atëherë edhe shteti kosovar duhet ta pranojë hixhabin si të drejtë njerëzore.
BIK thotë se është detyrim fetar. Dakord. Po pse deri më sot BIK dhe tjerët nuk i ofrojnë suret (jo interpretimet e tyre), nuk i ofrojnë rregullat që «detyrojnë» të miturat dhe të pjekurat të mbulojnë kokën? Le ta bëjnë një dokument bazik, nga i cili do mësojë shoqëria, dhe do të kuptojnë mediat se diskursi është i bazuar në argumente dhe do të shohin se për ç’bëhet fjalë? Është urdhër nga Kurani, Zoti apo ndonjë shkolle e veçantë religjiopolitike, është normë a detyrim që buron nga sheriati (si kushtetutë në vete) dhe do binden se nuk është uniformë, por shenjë e devotshmërisë dhe në fund shteti nuk ka shteg pa ndryshuar kushtetutën, ligjet, veten, nëse fetarët kanë të drejtë dhe hixhabi nuk ka ndonjë histori manifestimi teopolitik; nuk diskriminon njërën gjini në favor të tjetrës e më hiç të miturat.
Pse nuk e bëjnë?
Ose pse Komisioni serioz parlamentar nuk ofroi një ekspertizë siç aluduam lartë, për tu bërë baza e një diskursi të shëndoshë në favor të Dispozitivit? Duda Balje është e lirë ta bëjë këtë, ashtu siç është e lirë që të dalë me hixhab në T7 ose të ecë rrugëve me ferrexhe. Pse nuk e bën? Madje tek boshnjakët feja është njëri nga indikatorët kryesor identitar që i dallon boshnjakët myslimanë nga ata të së njëjtës gjuhë e krishterë. Nuk e bënë këtë ngase është e rritur dhe e lirë. Po sa të lira janë ato që për prind ka ndonjë që thotë: «çika jeme don ta mbajë hixhabin edhe po humbi shkollën»? Pse nuk flet çika por prindi? Sepse ajo është e mitur?
Sidoqëtëjetë, siç shohim pjesa e dispozitivit që duhet ta kontribuojë kërkuesi mungon. Mungojnë argumentet e fetarëve brenda diskursit. Le të dalin me argumentet se nga buron rregulli, detyrimi konkretisht, që juristët, diskursantët, mediat dhe institucionet pastaj të kenë mundësinë të kuptojnë se a është ligj, është traditë, është rregull apo është urdhëresë, nëse po nga ku? Kështu shteti nuk shkel ligjet e tij duke i përmbysur me ligje të huaja dhe ky konflikt do merrte fund njëherë e përgjithmonë. Ose së paku gjersa shumica e deputetëve të mos jetë më e kësaj përbërje.
Askush nuk donë të diskriminojë fëmijë e më së paku femra të mitura. Urdhëroni pra, mbusheni diskursin me argumente: nga vijnë detyrimi, obligimi, kush e materializoi i pari, si, ku dhe pse? Ofroni burime, tekste që t’i diskutojmë. Jo njerëz me hixhab, më së paku të mitura, nuk i ndihmojnë një debati të këtillë. Këtij debati nuk i ndihmojnë as “«zubarë» anlfabetë apo “sekser” agjenturash të huaja politike, por specialistë neutralë. Ashtu siç kishte folur njëri në raportim që cituam në krye të këtij teksti. Ju iniciatorët dhe ideologët e mbulimit si «detyrim dhe obligim» duhet të flisni – me fakte, na bindni se cilat ajete kuranore kërkojnë këtë, cilat fatwa e lansuan këtë punë dhe nga ku saktësisht, historikisht e dokumentueshëm buron ideja e mbulimit të femrës dhe nga kush e për çka përdoret sot.
Ju presim!
_______________________________________
*Ndër të tjera autori është edhe hulumtues i shkencor i Religjioneve pranë Universitetit të Freiburgut (CH).