Diskriminimi i shqiptarëve të Maqedonisë përmes zgjedhjeve

Diskriminimi i shqiptarëve të Maqedonisë përmes zgjedhjeve

Përzgjedhja e sistemit elektoral të caktuar, në mënyrë efektive mund të determinoj se kush zgjedhet apo fiton pushtetin, sikurse mund të maksimizojë apo minimizojë pa të drejtë fuqinë politike të një grupi politik e etnik, në kurriz të një grupi tjetër. Në këtë kuptim, shqiptarët, kudo jashtë Republikës së Shqipërisë, duke e përfshirë edhe Kosovën, në kuptimin elektoral janë më të nënpërfaqësuar dhe më të pafuqishëm sesa që janë si demografi. Përderisa, në Kosovë, pakicat etnike zënë afër 20% të vendeve në Kuvend me më pakë se 8% të popullsisë së përgjithshme, në Maqedoni, shqiptarët, edhepse përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë, në mënyrë tërësisht disprporcionale, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë zënë vetëm 22 % të ulëseve.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, kishin  hapur debatet edhe rreth nevojës së reformës zgjedhore. Sado që përplasja politike ka nisur në mes të pozitës dhe opozitës maqedonase dhe faktori politik shqiptar duket të jetë jashtë vëmendjes dhe me rol të pandjeshëm, shqiptarët si spektër duhet të jenë unikë dhe aktivë në ofrimin dhe imponimin e kërkesave të tyre, që do të çonin në përmirësimin e sistemit aktual zgjedhor, duke përmbushur sadopak një reflektim sa më real dhe të drejtë të pranisë shqiptare edhe në sferën politike e publike, me fokus përfitimet e mundshme si popullsi shqiptare dhe jo se çfarë do të humbasin apo përfitojnë si parti politike të përveçme.

Është vërtetuar tanimë edhe teorikisht se sistemet proporcionale të pastra janë më të përshtatshme për shoqëritë heterogjene mbi baza të ndryshme. Në shoqëritë e tilla, sistemi mazhoritar në cilindo version të tij, favorizon grupet më të mëdha në kurriz të grupeve më të vogla. Padyshim, që edhe në Maqedoni, eliminimi i zonave zgjedhore, si brenda edhe jashtë vendit, do të ndikonte pozitivisht në reflektimin real të strukturës së popullsisë së Maqedonisë. Sistemi zgjedhor proporcional me një zonë të vetme, për shqiptarët do të kishte një sërë përparësish. Përveçse do të mundësonte që shqiptarët të zënë vende në Kuvend të paktën aq sa janë edhe votues, duke bërë të mundur që çdo votë e çdo votuesi shqiptar nga Maqedonia të numërohet, si dhe krijimi i institucioneve bëhet i varur nga votat e shqiptarëve por, edhe kohezioni kombëtar përbrenda trupës së votuesve shqiptarë do të rritej, përmes përfshirjes së mirëfilltë të çdo votuesi shqiptar, sidomos nga pjesët ku shqiptarët janë pakicë, të cilët deri më tani, me ndarjen në zona zgjedhore, ose nuk kanë dalë fare në zgjedhje ose nuk kanë votuar për partitë shqiptare, sepse në këto zona nuk ka pasur fare kandidatë shqiptarë. Këta votues, aq sa janë, me një shpërfillje të tillë si prej të padobishmëve nga ana e partive shqiptare, nxiten të jenë indiferentë me zhvillimet politike dhe indiferenca apo më saktë mospërfillja e dëmton edhe identitetin e tyre kombëtar.

Shqiptarët kanë interes që trupa e tyre zgjedhore të jetë unike në tërë Maqedoninë dhe se çdo votues shqiptarë të jetë i vlefshëm dhe të ketë mundësi që të votojë për deputetët shqiptarë dhe se vota e tyre do të numërohet, sikurse edhe politika shqiptare atje duhet të përqendrohet në përfaqësimin e interesave të tërësishme të shqiptarëve, pa lokalizma e regjionalizma.

Me një zonë zgjedhore, lista të hapura dhe prag zgjedhor prej 3 % në nivel qendror, si dhe ndarjes së mandateve përmes formulës Sainte-Laguë, shqiptarët do të arrinin që me një organizim më të mirë në proces zgjedhor, koordinim dhe dalje me një listë të përbashkët shqiptare, të arrinin rreth 40 deputetë nga 27 sa kanë aktualisht. Listat e hapura do të kishin disa efekte të rëndësishme për shqiptarët. Së pari do të kompensonin eliminimin e zonave me njohjen e kandidatëve, do të kontribuonin në debatin e brendshëm të partive dhe demokratizimin e tyre, por më e rëndësishmja do të nxisnin pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje, kjo e fundit shumë e nevojshme dhe e rëndësishme veçanërisht për shqiptarët, sidomos në një sistem proporcional të pastër zgjedhor, ku çdo votë është e vlefshme.

Me zonat aktuale, shqiptarët dëmtohen në së paku tre drejtime. Së pari, humbasin votën e atyre shqiptarëve që ndodhen në zonat ku janë pakicë, së dyti përmes ndarjes në zona të veçanta të votës së diasporës, duke pamundësuar mandate të shqiptarëve, megjithë mërgatën e madhe, së treti, edhe përbrenda zonave aktuale numri i votuesve varion në atë mënyrë që mesatarisht një mandat maqedonas nuk peshon njëjtë me një mandat shqiptar, shembull, në zonën 4 dhe 5, të dominuar nga maqedonasit, mandati mund të arrihet me 14.000 vota, ndërkaq në zonën, ku dominohet nga shqiptarët, mandati peshon 15.222 vota, duke bërë kështu, që së paku 20 mijë vota shqiptare të digjen brenda vetëm një zone zgjedhore, apo së paku rreth një mandat e gjysmë.

Mënyra se si është dizajnuar votimi i diasporës dhe mënyra se si duket se do të vendoset, eliminon shqiptarët nga skena. Ndarja aktuale në tre zona zgjedhore gjeografike, ishte planifikuar në mënyrë të sofistikuar që shqiptarët në asnjërën zonë të mos jenë të përqendruar dhe kështu të mos arrijnë asnjë mandat. Aktualisht, edhepse duket se këto tri zona do të shkrihen në një zonë të vetme të diasporës, por sërish të ndarë nga zonat e brendshme, me kandidatë të veçantë, nuk do të japë asnjë rezultat për shqiptarët, veçse do ta nxisë përçarjen, duke imponuar krijimin e partive politike shqiptare në diasporë. Vota e diasporës duhet të integrohet në trupën zgjedhore brenda vendit, duke ua mundësuar  votuesve nga diaspora që të votojnë për listat brenda vendit. Një gjë e tillë, përveçse korrespondon me praktikat më të mira ndërkombëtare, e rritë rolin e diasporës dhe kontribuon në reflektimin më të saktë të trupës elektorale shqiptare.

Argumentet pro dhe kundër një sistemi të caktuar zgjedhor në Maqedoni, duhet gjithsesi të mos abstrahojnë edhe aspektet e administrimit të zgjedhjeve, aspekte këto që shpesh janë përdorur qëllimshëm nga Qeveria e Maqedonisë për të vështirësuar e pamundësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje dhe në jetën publike në përgjithësi. Pothuajse, edhe sistemi më ideal zgjedhor, nuk do të arrijë të shfaqë fuqinë reale të shqiptarëve, nëse veç nuk merren parasysh edhe disa ndërhyrje teknike të domosdoshme në procesin e organizimit të zgjedhjeve në Maqedoni.

Paralel me ndryshimet e domosdoshme në sistemin zgjedhor, duke shkrirë ndarjen aktuale të zonave në një zonë të vetme zgjedhore, duhet të rishikohet e drejta e votës dhe lista e zgjedhësve për të garantuar që të gjithë shqiptarët e Maqedonisë brenda dhe jashtë vendit, të kenë të drejtën dhe mundësinë e votimit.

Lista e votuesve në Maqedoni është pasive, ku regjistri i zgjedhësve përpiqet të reflektojë regjistrin e shtetasve. Megjithëkëtë, disa kufizime që ndërlidhen me pasjen e vendbanimit në Maqedoni dhe kushtëzimi për ata shtetas që qëndrojnë për një periudhë të caktuar jashtë vendit, e bënë listën e zgjedhësve të ngurtë, jo gjithëpërfshirëse dhe në veçanti të padrejtë dhe të dëmshme për shqiptarët. Dëmi i listës së zgjedhësve do të ishte kolosal dhe i pariparueshëm, po të kalohej, siç kërkohej nga partitë politike maqedonase në listë aktive zgjedhore, duke kërkuar regjistrimin paraprak të votuesve për të votuar. Me migrimin e theksuar në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, motivimin e ulët për të marrë pjesë në zgjedhje dhe në jetën politike në Maqedoni, si dhe historia e diskriminimit dhe mbajtjes së shqiptarëve larg dhe jashtë institucioneve, do të ndikonin në atë që numri i atyre shqiptarëve që do të regjistrohen si votues të jetë shumë i vogël. Rrjedhimisht edhe përfaqësimi në Parlament do të jetë edhe më i ulët sesa aktualisht.

Në anën tjetër, reflektimi i vullnetit të shqiptarëve duhet të sigurohet edhe nga shmangia e keqpërdorimeve dhe manipulimeve në pjesët e Maqedonisë ku shqiptarët përbëjnë pakicë dhe kjo kërkon së paku që përbërja e komisioneve të vendvotimeve nga administrata shtetërore të kalojë në përbërje politike, ngase diskriminimi i  shqiptarëve në administratë dhe punësim në institucione po përkthehet në mos përfaqësim edhe në trupa të administrimit të zgjedhjeve, të cilët pastaj do të determinonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Partitë politike maqedonase diskriminimin e vazhdueshëm dhe sistematik të shqiptarëve e kanë stimuluar në mënyra të ndryshme, gjithkund, ku nuk kanë arritur përmes Kushtetutës, e kanë bërë në përditshmëri përmes mekanizmave administrative dhe të sigurisë, duke e shfrytëzuar përçarjen dhe ngarendjen e liderëve të atjeshëm shqiptarë pas interesave personale e grupore, të cilët në kurriz të interesave të shqiptarëve si bashkësi, kanë ngritur pashallëqet e tyre mbi mjerimin kolektiv shqiptarë, aq sa, jo rrallëherë, shtypja apo pamundësimi i faktorizimit të shqiptarëve, ka kaluar nëpërmjet indiferencës apo agonisë së  partive shqiptare atje, të cilat para dhe mbi çdo interes të popullatës shqiptare kanë zgjedhur të bëjnë  protagonistin provincial.

Adnan Rrustemi

Shpërndaje në: