Disa personazhe të famshëm i dalin në mbrojtje Ellen-it, por s’po e ndihmojnë
Disa personazhe të famshëm duan që bota ta dijë se Ellen DeGeneres është shumë sjellshme dhe nisur nga kjo, kanë postuar në rrjete sociale duke i dalë në mbrojtje.
Katy Perry bëri të ditur në Twitter të martën se “personalisht ka patur vetëm eksperiencë pozitive nga koha me Ellen”. Ashton Kutcher, Kevin Hart, Jay Leno, Diane Keaton dhe menaxheri i Justin Bieber dhe Ariana Grande-s, Scooter Braun, kanë dhënë gjithashtu deklarata të ngjashme, ku pretendojnë se “Ellen është treguar shumë e sjellshme me ta”. “Kjo urrejtje duhet të ndalet,” tha Kevin Hart.
Pavarësisht kësaj, asnjë reagim nuk po e ndihmon Ellen pasi askush nuk po pretendon se ajo ka keqtrajtuar njerëzit e famshëm dhe/ose është sjellë në mënyrë të pahijshme me ta. Të gjitha deklaratat flasin për një mjedis pune toksik në prapaskenë, për një mjedis abuziv, racist dhe bullizues kundrejt punonjësve.
Në artikujt e BuzzFeed, ish-punonjësit e DeGeneres flasin për ngacmim seksual nga producentët, për racizëm ndaj një punonjësi me ngjyrë, për keqtrajtim të të tjerëve, për mosplotësim të kushteve të punës dhe për sjellje të pahijshme e mizore.
Duhet thënë se punonjësit ndahen në dy pjesë kur bëhet fjalë nëse ka pasur keqtrajtim nga ana e saj ose jo. Disa thonë se mjedisin abuziv e kanë krijuar producentët, ndërkohë që të tjerë thonë se është e pamundur që ajo të mos ketë ditur asgjë.
Gjithë çfarë publikoi BuzzFeed, rriti skepticizmin e publikut ndaj Ellen, e cila edhe në të kaluarën ka humbur disa fansa. Mjafton të kujtojmë reagimin e ashpër ndaj saj kur mbrojti Kevin Hart, i cili vite më parë kishte bërë komente homofobe ndaj një komuniteti të cilin Ellen i përket. Sikur të mos mjaftonte kjo, në 2019-n, Ellen u pa duke kaluar kohë me ish-presidentin George W. Bush. Sipas masës, një grua liberale dhe gay nuk ka ç’bën me një ish-president republikan konservator. George W. Bush është kundër martesave brenda të njëjtit seks, kundër aborteve dhe pro dënimit me vdekje. Në të gjitha këto sfera, Ellen ka qëndrim të kundërt dhe kësisoj fansat u nevrikosën nga miqësia e tyre. Prandaj Ellen ndjeu nevojën të shpjegohej në tetor të një viti më parë.
“Shikoni si është puna. Unë jam shoqe me George Bush,” tha ajo. “Në fakt, jam shoqe me shumë njerëz që s’mendojnë si unë. Thjesht sepse s’bie dakord me dikë, s’do të thotë se s’mund të krijoj shoqëri me ta. Kur them ‘tregoni dashuri për njëri-tjetrin’, nuk e kam vetëm për njerëzit që mendojnë si ju. E kam fjalën për këdo.”
Thënë kjo, që nuk është hera e parë që Ellen shihet me skepticizëm dhe cilësohet si “hipokrite”. Përpara se të bëheshin publike deklaratat e punonjësve, ajo ishte objekt kritikash pasi pas pandemisë, e krahasoi izolimin me situatën nëpër burgje, gjë që sigurisht nuk u pa si empatike dhe njerëzore. DeGeneres paraqiti disa filmime nga shtëpia duke iu referuar vetë-izolimit dhe frikës nga pandemia, por tha: “Këtu është si të jesh në burg. Kjo sepse kam veshur të njëjtat rroba për 10 ditë me radhë dhe këtu të gjithë janë gay.”
Tashmë në Twitter ka një fushatë #ReplaceEllen që kërkon zëvendësimin e saj. Nuk kanë munguar zërat që thonë se ajo do të japë dorëheqjen, ndonëse producentët e kanë mohuar. Gjithashtu shikueshmëria e emisionit ka qenë në rënie, gjë që vendos në pikëpyetje se çfarë do të ndodhë më tej.