Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

Gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës, 462 policë të rinj, kanë diplomuar sot përmes një ceremonie, të cilët pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Derisa 79 prej tyre janë nga komuniteti serb.

Në ceremoninë e diplomimit, Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”.

Osmani potencoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht etnisë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.

Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptar, 79 serb, 23 boshnjak, 6 turk, 3 ashkali dhe 2 rom.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se diplomimi i kësaj gjenerate është hap i rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe republikën e vendit.
Sveçla u shpreh se me diplomimin e gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë dhe më e sigurt.

Sipas tij, falë punës së pandalshme dhe profesionalizimit të Policisë e Kosovës, ajo renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit dhe ligjit sipas projektit botëror për drejtësi.

Sveçla potencoi se Kosova sot renditet e 22-ta në botë për ndjenjën e lartë të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare.

Ai u drejtua policëve të rinj duke u thënë se sfidat do të jenë të shumta dhe se nuk do të jetë rrugë e lehtë.

Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.

Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës, Granit Kosumi u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.

Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës./ksvp/

Shpërndaje në: