Diplomacia në Lindjen e Largët
Ne vrullin e lajmeve të kohëve të fundit për partnerin tonë perëndimor e më strategjik, SHBA-të, mundet që nuk po vihen re zhvillimet me partnerin tonë lindor, Japoninë. Partner ky që poashtu mund të bëhët strategjik për Kosovën.
Në vrullin e lajmeve të kohëve të fundit për partnerin tonë perendimor e më strategjik, SHBA-të, mundet që nuk po vihen re zhvillimet me partnerin tonë lindor, Japoninë. Partner ky që poashtu mund të bëhët strategjik për Kosovën.
Së fundmi Japonia ka ngritur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, duke vendosur një Ambasadë japoneze në Prishtinë. Ambasador i Japonisë në Kosovë u emërua Akira Mizutani, që më parë shërbeu si Ambasador në Mozambique. Ambasada japoneze pritët të inaugurohet zyrtarisht në pranverë të këtij viti.
Para kësaj, portofoli i Kosovës mbulohej nga Ambasadori japonez me seli në Beograd, Serbi. Ai përfaqësues thuhet të ketë qenë shumë aktiv në punën e tij për Kosovën. Kujtojmë se në korrik të vitit 2016 mori detyrën Leon Malazogu, Ambasadori i parë i Kosovës në Japoni.
Historiku i marrëdhënieve
Marrëdheniet japoneze-kosovare ka muaj që vazhdojnë trajektorën e ngritjes, sigurisht pas viteve të investimeve të dyanshme në këtë. Brenda hapësirës së vetëm një muaji në vjeshtën e vitit 2019, Presidenti Hashim Thaçi vizitoi dy herë Japoninë dhe në të dyja rastet u prit nga Kryeministri japonez Shinzo Abe. Këto vizita ishin në shtator dhe në tetor të vitit 2019.
Në vizitën e parë të Presidentit, ai zhvilloi samit dhe darkë pune me Kryeministrin Abe. U takua gjithashtu me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Governatoren e Tokios dhe me përfaqësuesë të komunitetit të biznesit. Delegacioni i Kosovës vizitoi gjithashtu një fabrikë të prodhuesit të automjeteve Toyota. Në vizitën e dytë, Presidenti mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Lartmadhërisë së Tij Perandorit Naruhito në Pallatin Perandorak në Tokio, gjithashtu duke takuar pastaj perandorin Naruhito. Ish kryekuvendari i Kosovës Kadri Veseli gjithashtu kishte vizituar Japoninë në 2019. Në 2004 ish kryeministri tashmë i ndjerë Bajram Rexhepi kishte vizituar Japoninë. E gjithë kjo do të thotë që Japonia ka qenë e hapur dhe ka zhvilluar shumë miqësisht marrëdheniet me Kosovën, para pavarësisë e deri më sot.
Shifrat dhe faktet interesante që përshkruajnë lidhjen me Japoninë
Cilat janë shifrat që përshkruajnë këtë marrëdhënie? Në 2014 Kosova kishte importuar produkte nga Japonia të shumës 619 mijë euro, kryesisht makina dhe paijisje elektrike. Nuk kishte eksporte të Kosovës në Japoni. Nuk ka investim të drejtpërdrejtë të Japonisë në Kosovë por gjithsej Japonia ka dhënë deri më tani gati 7 milion euro ndihmë për Kosovën.
Fakte interesante? Ferma më e madhe europiane e këpurdhave japoneze shiitake gjendët në Kosovë. Është ajo e firmës Hirano Mushrooms në Mitrovicë. Vjet xhudokat e Kosovës të prirë nga Majlinda Kelmendi fituan 3 medalje në garën Nippon Budokan në Tokio. Një pikëpyetje në këto marrëdhënie, që mund të jetë sqaruar apo vlen të sqarohet, ishte abstenimi i Japonisë në votimin për pranimin e Kosovës në UNESCO (sikurse ajo e shteteve të tjera njohëse të Kosovës, pra të Koresë së Jugut dhe Polonisë).
Japonia bën pjesë në G-8shin, pra të 8 shteteve më të zhvilluara në botë. Pritja kaq e shpeshtë dhe e gjatë nga Kryeministri Abe është mbase niveli më i lartë i angazhimit politik e diplomatik të një shteti të G-8shit me Kosovën. Japonia, me nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik, mund të sjelle investime, por edhe shumë përvoja dhe mësime për Kosovën. Pra që Kosova të ndjekë shembullin dhe praktikat më të mira të saj.
Si të thellohen më tepër marrëdheniet e Kosovës me Japoninë?
Qeveria e Kryeministrit Kurtit do të mund të shfrytëzonte këtë vrull të marrëdhënieve dypalëshe me Japoninë për t’i thelluar ato. Le të ftohet Kryeministri Abe në Kosovë në pranverë, ku do të mund të pritet nga të gjithë udhëheqësit e Kosovës rreth kohës së inaugurimit të Ambasadës. Të ftuar bashkë me të, afaristët japonezë do të mund të njoftoheshin më nga afër me mundësitë e investimit por edhe të prodhimit në Kosovë. Viti 2020 pra, le të mos jetë vetëm viti i hapjes së Ambasadës japoneze. Le të jetë viti i investimeve të ndjeshme të Japonisë në Kosovë. Të eksportëve të para të Kosovës në Japoni. Të bashkëpunimit edhe në rrafshin ushtarak me Japoninë, nëse ka interes të ndërsjellë.
Kosova, më shumë së kurrë, ka nevojë për miq të fuqishëm ndërkombëtarë. Serbia ka miqësinë thuajse tradicionale me Rusinë dhe Kinën. Kjo gjithmonë ngritë peshën e Serbisë kundrejt Kosovës tek shtetet e jashtme. Serbia, duke qenë me e fuqishme politikisht dhe ekonomikisht, gjithmonë do të korr vëmendje më të madhe dhe përkujdesje më të madhe sesa Kosova.
Duke fuqizuar marrëdhëniet me SHBA-të, Kosova i kundërvihet peshës së Serbisë. Mbase, kjo nuk mjafton. Kosova mund të ketë për partner strategjik SHBA-të dhe Japoninë. Miqësi e thëllim të marrëdhënieve me Japoninë, e përtej kësaj me partnerët strategjik në Europë si Gjermania, Britania e Madhe, dhe Franca, dhe partnerë të ri në Afrikë dhe në Amerikë Latine mund të ndërronte matematikën në favor të Kosovës. Atëherë “presioni” ndaj Kosovës do të mund të ishte më ndryshe. Kosova do të mund të shihet si shtet më i fortë. Më e rëndësishmja, zhvillimi i Kosovës, duke ndjekur shembullin japonez për shembull, mund të merr hovin e nevojshëm.
Qeveritë e fundit duhet të kenë kontribuuar për këtë përafrim me Japoninë. Le të jetë qeveria e re ajo që i dinamizon më tepër, e në shumë sfera. Bifkteku kobe, i famshëm kudo në botë e me prejardhje prej Japonisë do të shkonte mirë me këpurdhat shiitake në Mitrovicë. Le të bëhët Kosova vendi europian me fermat më të shumta të mishit të lopes kobe.
/Autori është profesionist në fushën e zhvillimit ndërkombëtar dhe punon në sektorin privat në Washington, D.C. Ka magjistruar në fushën e marrëdhenieve ndërkombëtare në Columbia University në New York.