Diplomaci e vështirë apo politikë e lehtë?

Diplomaci e vështirë apo politikë e lehtë?

 

Po ta mendojmë, Vuçiç për ne është thjesht Kryeministri i Serbisë, ndërsa Tsipras i Greqisë. Në të njëjtën mënyrë, për serbët, Rama është thjesht Kryeministër i Shqipërisë, ndërsa Ilir Meta dhe deputetët e delegacionit parlamentar janë për grekët thjesht zyrtarë shqiptarë.

Po në politikë? Si ndryshon perceptimi i këtyre personazheve, dhe i sjelljeve të tyre, nëse i shohim me anë të lenteve të lajmeve dhe të politikës? Tashmë, Vuçiç është një politikan i kritikuar si i butë ndaj shqiptarëve. Tsipras, një udhëheqës i së majtës radikale. Rama dhe Meta të komentuar për deklaratat e tyre nga shtypi i vendeve pritëse e, mbi të gjitha, nga politika dhe shtypi i vendit të tyre.

Të dy udhëheqësit shqiptarë, ashtu si pararendësit e tyre, e dinë mjaft mirë jo vetëm traditën e qëndrimeve diplomatike shqiptare në vendet e vizituara, por edhe pritshmërinë e publikut për çështje të caktuara që lidhen me këto vende. Megjithatë, diplomacia shqiptare në Greqi dhe Serbi nuk është e thjeshtë: është delikate, deri e vështirë. Por, pikërisht për këtë arsye, ato janë vende që ofrojnë mundësinë e të shfaqurit udhëheqës të fortë: pra, janë skenë për politikë të lehtë.

Në momentin kur në lojë hyjnë edhe komentet politike, të cilat janë më se të natyrshme, në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk shohim më shfaqje diplomacie, por drama ose komedi politike.

Aktorët nuk mund të fajësohen. Ata duhet të kujdesen edhe për batutat politike, ndërsa na përfaqësojnë. As spektatorët në opozitë nuk mund të fajësohen. Edhe pse gjatë shfaqjes nuk duhet të flasësh, u kemi dhënë bileta speciale, që u jep pikërisht këtë funksion.

Atëherë, si ta ndajmë diplomacinë nga politika? Si mund të kuptojmë se ku mbarojnë interesat shtetërorë apo kombëtarë e ku kemi të bëjmë me publicitet apo kundërshtim politik? Për fat të keq, nuk ka ndarje të plotë. Jo vetëm në Shqipëri, Serbi apo Greqi, por në shumicën e demokracive elektorale, diplomacia shpesh kthehet thjesht në një tjetër fushëbetejë politike.

Në këtë këndvështrim, vizita e këtyre ditëve e Kryeministrit Rama në Serbi dhe ajo e delegacionit parlamentar në Greqi janë shembull ideal. Në të dyja vizitat pamë të ndërthuren serioziteti i protokolleve, kordialiteteve dhe qëndrimeve zyrtare me jehonën mediatike të deklaratave, batutave dhe kritikave ndaj performancave në skenën ndërkombëtare.

Për diplomacinë dhe librat e historisë gjërat janë të thjeshta. Rëndësi kanë qëndrimet zyrtare të secilës palë lidhur me çështjet kyçe mes vendeve. Për politikën, kishim të bënim me realitete të ndryshme, sipas interpretimeve përkatëse.

Kryeministri Rama u përpoq të ishte i qartë në vendosmërinë e tij lidhur me çështjen e Kosovës. Ai i përsëriti zotit Vuçiç se Serbia duhet të njohë Kosovën dhe tha se Trepça nuk mund të transportohet brenda kufijve të Serbisë. Kjo i jep mundësinë të shihet si një udhëheqës i fortë gjatë atij që mund të perceptohet si një udhëtim diplomatik i vështirë. Por, sipas zotit Berisha Kryeministri mbron interesa serbe.

Zoti Meta dhe delegacioni parlamentar që ai kryesonte ishin përfaqësues të shqiptarëve dhe, si rrjedhojë, të interesave të shqiptarëve të Çamërisë. Por, sipas zoti Idrizi, Kryetari i Kuvendit nuk ishte i prerë dhe i qartë sa duhet.

Atëherë, ku qëndron e vërteta? A mund ta dimë nëse u përfaqësuan mirë interesat tona? Kush mund të na e thotë?

Përgjigja është që na mbetet ne, spektatorëve, të gjykojmë nëse në skenën e debateve e komenteve po shohim shfaqje të interesave të vendit apo nëse janë interpretime aktoriale politike. Na mbetet ne të gjykojmë nëse në skenën e diskutimeve për vizitat në Serbi e Greqi po flitet për diplomaci të vështirë apo për politikë të lehtë. Ndoshta varet thjesht nga vendi ku jemi ulur.

 

Shpërndaje në: