Dinastia e mrekullueshme e Qyprilinjve

Dinastia e mrekullueshme e Qyprilinjve

Me saktësi dihet vetëm viti i lindjes së Mehmet Qypriliut (1578), por me siguri dihet se ai lindi në fshatin Rodnik pranë Beratit. U dërgua që i vogël në Stamboll i përfshirë në pengun (haraçin) e gjakut, i cili konsistonte në rrëmbimin e fëmijëve të krishterë dhe dërgimin e tyre në Turqi, ku, pasi rriteshin si myslimanë, në moshën 11-të vjeçare, në bazë të afësive që tregonin, dërgoheshin në ushtri (jeniçerë), apo nisnin karrierën në pallatin e Sulltanit. Në vitin 1623 Mehmeti i ri, nën mbështetjen e boshnjakut Khosrev Pasha, ishte kuzhinier në kuzhinat e Pallatit. Për shkak të karakterit tejet të vështirë e kryeneç ai dëbohet nga Pallati dhe dërgohet me detyrën e spahiut në qytetin Kopru të Anatolisë. Ai u vendos në Köprű dhe u martua me Aishe Hanëmin, të bijën e Jusuf Agait, Pashait të zonës.

Me ngjitjen e Khosrev Pashës në detyrën e Agait të Jeniçerëve, ai u thirr përsëri në shërbim dhe kur Khosrev Agai u bë Vezir I Madh, e emëroi Mehmetin shef të thesarit. Por edhe në këtë detyrë Mehmeti nuk mundi të qëndronte gjatë. Pas ekzekutimit të Khosrev Agait, ai shërbeu si sanxhak-bej apo si aga në provinca të ndryshme – ka shumë mundësi në Köprű apo në rrethinat e tij, nga edhe mori emrin Mehmet Köprűlu (Qypriliu). Më pas kthehet përsëri në Stamboll, ku kryen detyra të ndryshme, si inspektor i arsenalit, komandant spahinjsh, apo komandant i forcave të koracuara. Në vitin 1656 ai u bë Pasha me dy Tuje dhe ju ngarkua detyra e Guvernatorit të Tripolit. Është e paqartë për sa kohë e kreu Mehmet Pasha këtë funksion, dihet vetëm që për pak kohë ai u kthye përsëri në Köprű, nga ku u largua për të marrë detyrën e Myteselimit të Vilajetit të Damaskut.

Pashai i panjohur 80-të vjeçar e pranoi funksionin e Vezirit të Madh vetëm pas zotimit nga Nëna e Sulltanit se atij do t’i lihej dorë krejtësisht e lirë në qeverisjen e Perandorisë. Fillimi i pushtetit të Mehmet Qypriliut u shënua nga shtypja me dorë të hekurt e një lëvizjeje të kryesuar nga disa krerë fanatikë të një fraksioni mysliman, që u shoqërua nga dënimi me vdekje i disa pasuesve të Kosem Sulltanës. Pak kohë më pas, në janarin e vitit 1657, në mënyrë të pamëshirshmë ai shtypi edhe një kryengritje të spahinjve, ndërkohë që Sheik Selimin, shkaktarin kryesor të trazirave dhe kryetarin e lëvizjes, e mbyti në Bosfor. Një fat jo më të mirë pati edhe Patriarku i Kishës Greke, i cili u var publikisht pasi i kishte shkruar Vojvodës së Vllahisë të shpallte rënien e Islamit. Këto masa të pamëshirëshme ishin veç një copëz e vogël e diktaturës që do të përfshinte gjatë gjithë dominimit të tij perandorinë Otomane. Sipas disa burimeve, numri i të ekzekutuarve gjatë qëndrimit të tij në detyrën e Vezirit të madh ngjitet në shifrën 35 mijë vetëve (burime të tjera përafërsisht këtë shifër e japin vetëm për vitin e parë të qeverisjes së tij).

Pastrimin e Perandorisë nga elementët e dëmshëm, gjë që e kishin bërë edhe Sulltanët para tij (Sulltan Murati), Mehmet Qypriliu e shihte si kusht të domosdoshëm për rifuqizimin e Perandorisë. Duke eleminuar armiqtë e brendshëm dhe duke mos patur më pengesa brenda në shtëpi, Veziri i Madh menjëherë i ktheu sytë nga armiqtë e jashtëm. Fitorja e Venedikasve në Kios pak kohë më parë kishte qenë një goditje shumë e rëndë për fuqinë detare Otomane. Duke e parë flotën detare si një problem me rëndësi mjaft të madhe, Veziri i Madh i përqëndroi të gjitha energjitë e tij në rimëkëmbjen e flotës, dhe, pasi e bëri një gjë të tillë, u ndesh me flotën Venedikase në Dardanele. Fillimisht Turqit pësuan humbje të rënda, por, falë një gjyleje të qëlluar nga bregu, e cila shpërtheu pikërisht në depon e municioneve të anijes së Admiralt Venedikas Mokenigo, flota Venedikase mbeti pa komandant dhe u shpartallua krejtësisht. Veziri i Madh shpërbleu topçiun që i dhuroi fitoren dhe disa të tjerë që luftuan trimërisht, por nga ana tjetër ekzekutoi një numër të madh oficerësh të lartë mbi të cilët ranë përgjegjësitë për humbjet e mëparshme.

Pasi rivendosi prestigjin e humbur të Perandorisë në det, ai u kthye përsëri në tokë. Princi i Transilvanisë, Georg Rakocki II, me mbështetjen e krerëve të Vllahisë e Moldavisë, marshoi drejt Polonisë duke prekur drejtpërdrejt interesat e Pernadorisë Otomane. Në përpjekje për të zënë Rakockin, Qypriliu rrethoi dhe mori Janovën, ku zbuloi se armiku i tij ishte larguar dhe kishte hyrë në Austri. Më pas ju desh t’i drejtohej Anatolisë, për shkak të një kryengritjeje të drejtuar nga krerë të lartë të Perandorisë, të cilët druheshin se do të binin pre e hakmarrjes së Vezirit të Madh për shkak të mosbindjes që kishin treguar ndaj Portës së Lartë.

Pasi ekzekutoi krerët e kryengritjes, si dhe rreth 1 mijë nga rreth 7 mijë asqerët që i mbështetnin, Qypriliu u mor me shtypjen e revoltës së Mehmet Beut në Egjypt dhe të Mustafa Pashës në Antalia, kryengritje të cilat, falë temperamentit të tij, i shtypi në mënyrë të pamëshirëshme dhe me të njëjtën forcë që kishte treguar dhe më parë. Këtë temperament dhe mënyrën se si qeveriste Qypriliu e shpreh qartë përmes një letre që i dërgon një Pashai që ishte njëkohësisht edhe miku i tij. Në letër i thotë Pashait që në rast se Kozakët do të arrijnë të sulmojnë qoftë edhe një nga fshatrat e Pashllëkut të tij, ai (Veziri i Madh), do ta bënte copash që kështu t’i shërbente si shembull edhe të tjerëve.

Pikërisht këtij temperamenti të vështirë i dedikohet edhe një incident i rëndë diplomatik me miqtë e atëhershëm francezë. Ambasadori i Francës De La Haye nuk i kishte dërguar ende dhuratat e zakonshme për shkak të mendimit se, si edhe paraardhësit e tij të shumtë, Qypriliu shumë shpejt do të zëvendësohej nga një Vezir tjetër. Veziri i Madh u ndje tej mase i fyer nga një mungesë e tillë respekti dhe, nën pretekstin e spiunazhit përmes korrespondencës diplomatike, fillimisht dha urdhër që të rrihej me shkop i biri i ambasadorit, për t’i arrestuar e burgosur më pas at e bir. Delegacioni i dërguar nga Luigji XIV për të hetuar dhe vënë në vend nderin e Francës, përmes një sjelljeje të studiuar mirë, u trajtua në mënyrë tepër fyese. Rezultati i këtij incidenti ishte që Franca prishi aleancën me Turqinë dhe nisi të ndihmonte hapur Venedikun në mbrojtje të Kretës.

Gjatë pesë viteve që qeverisi me dorë të hekurt Perandorinë Otomane, Mehmet Pashë Qypriliu arriti të çrrënjoste anarkinë dhe korrupsionin, të eleminonte rebelët dhe t’i kthente shtetit administratën. Ai hyri në histori edhe si një ndërtues i madh. Për t’u përmendur janë kështjellat në derdhjen e Donit e në brigjet e Dnieprit, si dhe një numër i madh xhamish, dyqanesh e shkollash në Janovë, Rudnik, Tarakli etj. Veziri i madh vdiq më 31 tetor të vitit 1661. Këshillat që i dha nga shtrati i vdekjes Sulltanit të ri (pa harruar që më parë t’i merrte pëlqimin për zëvendësimin në detyrën e Vezirit të madh nga i biri, Fazil Ahmed Qypriliu), do të ishin të denja edhe për vetë Makiavelin; kurrë mos ia vër veshin këshillës së një gruaje; mos lër askënd të pasurohet e të fuqizohet shumë; mbaje arkën e thesarit gjithnjë plot dhe mbaje veten e ushtrinë gjithnjë të zënë.

FADIL AHMED QYPRILIU

I sjellë nga i ati në moshën shtatë vjeçare në Stamboll, Fadil Ahmed Qypriliu pati për mësues mendjet më të afta të Turqisë së asaj periudhe. Fillimisht nisi karrierën fetare, por në moshë të re hoqi dorë prej saj dhe hyri në administratën shtetërore. Pas pak kohësh u transferua në Damask, ku fitoi një popullaritet të madh, pasi çliroi banorët e kësaj zone nga dy taksa (dashisha dhe kariba) që rëndonin ndjeshëm mbi ekonominë e tyre. Në postin e Vezirit të Madh ai gjendej praktikisht para vdekjes së të jatit. Një ndër problemet më të vështirë me të cilët u përball Veziri i ri ishte ai i Transilvanisë, problem të cilin arriti ta zgjidhë përmes një fitoreje në janarin e vitit 1662, pa qenë nevoja të vihej vetë në krye të ushtrisë. Megjithëse përgatitjet ishin bërë për një fushatë në stil të gjërë kundër Venedikut, ai hoqi dorë nga ajo në favor të fushatës kundër Austrisë, forcat e së cilës sulmonin vazhdimisht fortesat përgjatë kufirit me Turqinë. Gjatë bisedimeve me ambasadorët Austriakë, Fadil Ahmed Qypriliu kërkoi shkatërrimin e një kështjelle të sapondërtuar në veri të Hungarisë, tërheqjen e trupave austriake nga Transilvania dhe rivendosjen e tributit prej 35 mijë florinash, të cilin austriakët e kishin paguar që nga koha e Sulejmanit I, deri në vitin 1601. Austriakët nuk ranë dakord për kërkesën e fundit, kështu që Qypriliu sulmoi dhe mori fortesën e Nove Zamku.

Duke ngarkuar oficerët e tij të lartë të merrnin disa kështjella të tjera, Veziri i madh e vendosi shtabin e përgjithshëm në Beograd me synimin që të hidhej kundër austriakëve në verë. Rënia e Nove Zamku tmerroi seriozisht gjithë Europën Perëndimore dhe i bëri Hapsburgët që, nën drejtimin e Montekukulit, të kërkonin ngritjen e një koalicioni kundër Turqisë, të cilit ju bushkua Kisha Katolike, Spanja, disa princa Gjermanë e një forcë mbështetëse nga Franca. Megjithëse nga njëra anë vazhdonte bisedimet për paqe me Ambasadorët Austriakë, Veziri i madh vendosi ta tërhiqte Montekukulin në betejë pranë fshatit St. Gotard. Ai nisi një pjesë të forcave të tij përmes një ure dhe fillimisht u duk sikur gjërat po shkonin mbarë për Turqit, por më pas ushtarët e Vezirit të Madh u shtynë pas. Të dyja palët pësuan humbje të konsiderueshme, por më e rëndë humbja ishte për turqit, pasi ishte thyerja e parë pas një serie fitoresh.

Por atë që nuk arriti ta fitojë në fushën e betejës, Fadil Ahmed Qypriliu e arriti në tavolinën e bisedimeve. 10-të ditë nga beteja ai nënshkroi traktatin e famshëm të Vasvarit, i cili favorizonte ndjeshëm Turqinë. Pasi dimëroi në Beograd, Veziri i Madh u nis drejt Turqisë, duke shfrytëzuar rastin për të inspektuar fortifikimet e ngritura në Dardanele, gjë që e bëri në shoqërinë e Sulltanit, i cili i doli përpara gjatë rrugës së kthimit. Me mbërritjen në Stamboll, Qypriliu, që në atë kohë po përballej me probleme të rënda shëndetësore, iu përvesh punës për marrjen e ishullit të Kandias, një betejë e cila për vitë me rradhë u kishte shkaktuar Otomanëve humbje të rënda. Pas një rrethiumi të gjatë e të mundimshëm, Qypriliut ju dorëzuan 80-të çelësat e dyerve të kështjellës e të qytetit të boshatisur.

Në vitin 1672, Veziri i Madh, kësaj here i shoqëruar nga vetë Sulltani, kryesoi një një fushatë kundër Polonisë në mbrojtje të Kozakëve, të cilët i ishin drejtuar Portës së Lartë për ndihmë. Fillimisht Qypriliu korri disa fitore të rëndësishme, por më pas u mund nga Sobieski në Khotin dhe Lemberg. Por edhe një herë, atë që Veziri i madh nuk arriti ta fitonte në fushën e betejës, e fitoi në tavolinën e bisedimeve; nënshkroi traktatin e Zuravnos, që i linte Perandorisë Otomane Kaminiecin, Podolinë dhe pjesën më të madhe të Ukrainës. Ndërkohë që Fadil Ahmed Qypriliu, tashmë në moshën 41 vjeçare dhe në gjendje shumë të rënduar shëndetësore, vdiq tre ditë pas nënshkrimit të traktatit. Fadil Ahmet Qypriliu, ashtu si edhe babai i tij, do të përmendet në historinë e Turqisë për ndërtimet e shumta anekënd perandorisë. Për t’u permëndur është edhe lidhja e ngushtë me artet e me letërsinë –sekretari i tij personal ishte një ndër shkrimtarët më të mirë të Turqisë së asaj kohe. Biblioteka e Qyprilinjve, ndërtimi i së cilës përfundoi vetëm dy vjet pas vdekjes së Vezirit të madh, është edhe sot një ndër bibliotekat më në zë të Stambollit. Me nismën e tij, për të ndërtuar një komplek kopshtesh përballë Pallatit të Sulltanit, ai thirri nga Italia Xhakomo Torrelin, i cili ishte një ndër artistët më në zë të asaj periudhe.

KARA MUSTAFA QYPRILIU

Për habinë e të gjithëve, ndërsa Fadil Ahmet Pasha vdiq në vitin 1676 dhe pritej që vëllai i tij Mustafa Qypriliu t’i zinte vendin, Mehmeti IV emëroi Kara Mustafa Qypriliun, birin e adoptuar të familjes, në postin e Vezirit të Madh. Kara Mustafai, biri i një kalorësi të quajtur Uruç Aga, u adoptua nga Mehmet Pashë Qypriliu dhe u rrit në familjen e tij, duke u martuar edhe me një nga të bijat e Vezirit të Madh. Thuhet se Sulltani mbyllte një sy kundrejt gabimeve të shumtë të Kara Mustafait për shkak të lumit të dhuratave që ky i dërgonte, si dhe për shkak të mënyrës tejet ekstravagante të jetesës së Mustafait të “Zi” – ai kishte një harem të përbërë nga rreth 1500 konkubina, të cilat i ruanin më shumë se 700 eunukë të zinj. Periudha e qeverisjes së Kara Mustafait u karakterizuar nga zakoni i vjetër i shitjes së ofiqeve, gjë që solli në mënyrë të menjëhershme rritjen e korrupsionit në rradhët e administratës shtetërore. Një vit pas emërimit në postin e Vezirit të Madh të Kara Mustafait, ushtria Ruse hyri në territorin Ukrainas që i përkiste Perandorisë Otomane dhe shkatërroi krejtësisht ushtrinë Turke, duke aneksuar zonat e pushtuara.

Në vitin 1683, Veziri i Madh ndërmori edhe rrethimin e dytë të Vienës, ku fillimisht u duk se Otomanët patën shanse të mira për të fituar. Vetëm në sajë të një force ushtarake polake të drejtuar nga Jan Sobieski, e cila i sulmoi turqit në mënyrë të papritur pas shpine, Viena nuk ra në duart e Otomanëve. Që aty Veziri i madh u tërhoq në Beograd, ku edhe me urdhër të Sulltanit u ekzekutua. Koka e Kara Mustafait iu dërgua Mehmetit IV në Stamboll në një tepsi të argjendtë.

MUSTAFA QYPRILIU

Mustafa Qypriliu, i mbiquajtur Fadil, bir i Mehmet Qypriliut, u emërua Vezir i Madh nën Sulejmanin II në vitin 1689. I ngritur në postin e kreut të qeverisë në një çast shumë të vështirë për Perndorinë, pas disfatave katastrofike në Hungari e Poloni dhe tërheqjes së flotës nga Mesdheu, ai e nisi qeverisjen duke urdhëruar reforma rrënjësore në sistemin e taksave dhe të financave të shtetit – duke dhënë shembullin e tij, që u ndoq gjërësisht, Veziri i madh dhuroi sasi të konsiderueshme parash për rimëkëmbjen e ushtrisë e të flotës. Mençuria dhe maturia e tij u vunë re qartë në masat që ndërmori për përmirësimin kushteve të jetesës së rajave të krishterë. Një veprim i tillë dha shumë shpejt fryte në rradhët e të krishterëve, duke parë se rajatë grekë braktisën Venedikun dhe ju bashkuan Portës së Lartë. Pas vdekjes së Sulejmanit II, në fronin perandorak u ngjit Ahmeti II, i cili i besoi Qypriliut një tjetër fushatë në stil të gjërë kundër Austriakëve. Turqit dhe Austriakët u takuan pranë qytetit të vogël të Salankamenit, ku megjithë humbjet e rënda, Austriakët arritën ta fitonin betejën. Midis trupave të shumtë të të vdekurve gjendej edhe ai i Vezirit të Madh, Mustafa Qypriliut.

HYSEN QYPRILIU

Në vitin 1695 ishte rradha e Mustafait II të bëhej Sulltan. Tre vite më pas, siç kishin bërë edhe babai e xhaxhallarët e tij, ai thirri një tjetër Qyprili në postin e Vezirit të Madh. Hysen Qypriliu, i mbiquajtur “I Mençuri”, ishte djali i Hasanit, një prej vëllezërve të Mehmet Qypriliut. Falë aftësive dhe energjisë së tij të jashtëzakonshme, Hasan Qypriliu arriti të shkulte Austriakët nga Sava dhe të nxirrte përsëri Flotën Otomane në Detin e Zi dhe në Mesdhe. Më pas ju përvesh punës për arritjen e një konference paqeje, e cila u mbajt në vitin 1699 në Karlovic të Kroacisë. Veziri i madh shkoi personalisht në Karlovic për t’u takuar me përfaqësuesit e Austrisë, Venedikut dhe Polonisë. Konferenca e Karlovicit rezultoi tejet e favorshme për Otomanët. Porta e Lartë arriti të rivendoste nën tutelën e saj Bosnjën, Serbinë, Vllahinë, Moldavinë dhe pjesë të konsiderueshme të Hungarisë e Greqisë.

Kjo konferencë i dha fund edhe një lufte 16 vjeçare, e cila kishte nisur me dështimin e Kara Mustafa Qypriliut në rrethimin e Vjenës. Edhe Rusët u detyruan të nënshkruajnë pas një viti një traktat paqeje me Portën e Lartë. Më pas Veziri i Madh iu përkushtua punëve brenda shtetit. Ai u mor me shtypjen e disa revoltave që ishin ndezur në Arabi, Egjypt, dhe në Krime, si edhe me reduktimin e forcës së jeniçerëve dhe vazhdimin e reformave administrative e financiare. Në vitin 1702, për shkak të intrigave brenda oborrit perandorak, Veziri i talentuar u largua nga posti, për të vdekur në mënyrë misterioze pas tre muajsh. Gjatë periudhës katër vjeçare të qeverisjes, Hysen Qypriliu reformoi administratën, rimëkëmbi ushtrinë e flotën detare dhe, siç ishte në traditën më të mirë të paraardhësve të tij, ndërmori ndërtime të shumta.

NUMAN QYPRILIU

Numan Qypriliu, biri i Fadil Mustafait, u emërua Vezir i Madh në vitin 1710. Megjithëse kishte trashëguar nga i ati mençurinë dhe tolerancën e nevojshme të një kryeministri, ai nuk u shfaq në lartësinë e Qyprilinjve të tjerë. U mundua që të merrte personalisht përsipër çdo detaj të administratës shtetërore, gjë që rezultoi se ishte përtej mundësive të tij. Numan Qypriliu dështoi në përpjekjet për të vendosur rregull në administratën e stërmadhe Otomane dhe u largua nga posti i Vezirit të madh 14-të muaj pas emërimit.

ABDULLAH QYPRILIU

Abdullah Qypriliu, djali tjetër i Fadil Mustafait, u ngjit në detyrën e zëvendësit të Vezirit të Madh në vitin 1703. Ai komandoi një ekspeditë ushtarake në Persi në vitin 1723 dhe pushtoi Tabrizin dy vjet më pas. Në vitin 1735 Abdullah Qypriliu drejtoi një fushtë tjetër në Persi, por mbeti i vrarë në betejën katastrofike të Bagaverdit, duke përsëritur fatin heroik të babit të tij në betejën e Selankamenit.

Marre nga  MNVR

Shpërndaje në: