Dimri po afron, kontrolloni këto gjëra te makina e juaj
Dimri po afrohet shpejt, kurse kompania e sigurimeve 21st Century dëshiron të sigurohet që vetura e juaj është e përgatitur për ndryshimin e motit
Moti i ftohtë mund të jetë i vështirë për veturat, edhe pse shumica e veturave të reja janë të dizajnuara të funksionojnë mirë në të gjitha llojet e temperaturave.
Lexoni më poshtë disa këshilla që ndihmojnë në përgatitjen e veturës tuaj për muajt e dimrit.
Kontrolloni ftohësin e motorit.
Sistemi i ftohjes në veturë nuk është projektuar vetëm për të ruajtur motorin nga temperaturat e larta (tejnxehur), por është edhe përgjegjës për mbrojtjen kundër korrozionit. Para se të ftohet shumë moti, sigurohuni se jeni duke përdorur ftohësin që ka përzierje të duhur të antifrizit dhe ujit. Këtë mund ta bëni edhe vetë duke e blerë një matës në dyqane të auto-pjesëve.
Kontrolloni vajin e veturës.
Kur ndryshon temperatura e jashtme, ajo do të ndikojë në temperaturën e brendshme të motorit tuaj, prandaj sigurohuni se jeni duke përdorur vajin e duhur për kushtet.
Nëse jetoni në një vend ku temperaturat shkojnë nën zero, atëherë ju detyroheni ta ndërroni vajin nga më të hollë me atë pak më të trashë. Për shembull, nëse e përdorni vajin 10W-40 gjatë verës, atëherë për dimër duhet ta përdorni vajin 5W-30. Sigurohuni se do të konsultoni manualin për informacione specifike të veturës.
Kontrolloni baterinë.
Një bateri mund të prishet (shpenzohet-harxhohet) pa asnjë paralajmërim. Temperaturat ekstreme (të ftohta) mund të shkurtojnë jetëgjatësinë e një baterie të veturës deri në 50 për qind. Para se të bien temperaturat, testoni baterinë tuaj tek mekaniku veçanërisht nëse keni një makinë të vjetër. Gjithashtu, sigurohuni që lidhëzat e baterisë nuk janë prekur nga korrozioni.
Kontrolloni presionin e gomave dhe keni parasysh gomat e dimrit.
Presioni i gomave është veçanërisht i rëndësishëm gjatë dimrit, pasi një gomë e fryrë siç duhet ndihmon dhe garanton tërheqje të mirë në rrugë me lagështi dhe dëborë. Sigurohuni se do të lexoni manualin e veturës për të gjetur presionin e saktë të gomave.
Përveç kësaj, ju duhet ta shqyrtoni mundësinë e blerjes së gomave të reja për dimër. Sidomos nëse jetoni në një zonë ku ka shumë dëborë, ato do t’iu kryejnë më shumë punë sesa gjitha llojet e tjera të gomave.
Kontrolloni fshesat dhe ujin e xhamit.
Dukshmëria gjatë ngasjes muajve të dimrit mund të jetë zhgënjim i madh. Reshjet dhe kripa në xham mund të bëjnë kërdi derisa ngisni veturën gjatë dimrit. Prandaj sigurohuni që ju jo vetëm që do të kontrolloni gjendjen e fshesave të xhamit, por do shqyrtoni mundësinë ti ndërroni fshesat e vjetra me të reja që janë më të ashpra dhe të përshtatshme për ngasje gjatë dimrit. Gjithashtu kontrolloni dhe rimbusheni rezervuarin e ujit të fshesave. Momenti më i keq për të mbetur pa ujë të fshesave, do të ishte gjatë një stuhie të ashpër dimri.
Mbani në veturë çantën me pajisje emergjente
Nëse nuk e keni në veturën tuaj çantën me pajisje emergjente, shqyrtoni mundësinë që ti mblidhni të gjitha bashkë dhe ti fusni në bagazh. Natyrisht, se duhet të kontrolloni nëse goma e juaj rezervë është në gjendje të mirë.
Por juve gjithashtu mund t’iu duhen disa pajisje tjera emergjente, në rast se vetura juaj rrëshqet nga rruga dhe bllokoheni në dëborë:
Bateri dore, dritë sinjalizuese (në formë fishekzjarri) dhe kuti të ndihmës së parë.
Batanije, rroba të trasha dhe dorëza.
Qese me material gërryes si rërë në rast se bllokoheni në dëborë.
Ujë shtesë për pastrimin e xhamave
Fshesë për pastrimin e dëborës apo thyes të akullit.
Nëse i planifikoni gjërat me kohë, ju mund ta përgatisni veturën tuaj për dimër, një ‘ritual’ i lehtë vjetor që do ta mbajë të sigurt familjen tuaj