Dikur përkrahës i tij, analisti Baraliu shprehet i çuditur me Kurtin: Çka po ndodh me të?

Dikur përkrahës i tij, analisti Baraliu shprehet i çuditur me Kurtin: Çka po ndodh me të?

Analisti politik dhe matematicienti, dikur përkrahës i Vetëvendosjes, Bleron Baraliu është shprehur i çuditur me veprimet e kryeministrit Albin Kurti në rrjetet sociale pas tubimeve elektorale.

Baraliu, të enjten tha se nuk arrin ta kuptojë sesi Kurti mund t’i shpërndajë në rrjetet sociale tubimet në të cilat brohoritet emri i tij në shenjë “të synimit të paturpshëm për oklokraci”.

Oklokracia është një formë e degjeneruar e demokracisë ku sundon turma. Por, Baraliu thotë se kjo formë është e pamundur të etablohet në Kosovë.

“Nuk e kuptoj si — përveç se me pranu hapur diagnozën e narcisoizmit — një person mundet me shpërnda një video ku brohoritet vet emri i tij në shenjë të ‘synimit’ të paturpshëm për oklokraci (ani pse caku i vërtetë është autoritarizmi, që është i pamundur në Kosovë dosido)!?”, ka shkruar Baraliu.

Baraliu ka thënë se një intelektual i vërtetë, sipas tij, do të duhej të ndalonte turmën dhe t’u kërkonte atyre brohoritjet për Kosovën, Shqipërinë.

“A jam unë i paqartë miq, a ju duket normale kjo juve, me reklamu kultizmin e tjerëve ndaj vehtes, në vend se, siç duhet të bëjë një intelektual i vërtetë, ti ndaloj dhe thërras turmës që në vend të një emri vdekatar të brohorasin Kosova, Shqipnia, apo le të themi në kohë fushata qoftë edhe ‘Vetëvendosje!’”, ka thënë Balaraliu.

“Çfarë po ndodh me Albinin, ç’është kjo rrëshqitje egofantile?!”, ka thënë Baraliu në përfundim të shkrimit të tij.

Shpërndaje në: