Diddy akuzohet se ka abuzuar seksualisht me djem 10 e 17 vjeç
Në njërën nga dy paditë kundër reperit P. Diddy, të cilat u ngritën të hënën, thuhet se ai, në vitin 2005, ka abuzuar seksualisht me një djalë 10 vjeç në një hotel në New York, raporton The Guardian.
10 vjeçi, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, po aspironte të bëhej aktor dhe reper. Në padi thuhet se ai kishte udhëtuar me prindërit në Kaliforni në mënyrë që të takohej me përfaqësues të industrisë së showbizit. Përgjatë një takimi, i cili supozohej të ishte audicion për Diddyn, bashkëpunëtorët e reperit ia kishin dhënë një pije, për të cilën në padi thuhet se përmbante drogë. Më pas djali ka thënë se kishte humbur vetëdijen e kur u zgjua, themeluesi i “Bad Boy Records” i kishte thënë se do t’ia lëndonte keq prindërit nëse do të tentonte t’i tregonte dikujt se çfarë kishte ndodhur.
Padia e dytë akuzon reperin për abuzim të ngjashëm seksual të një djali 17 vjeç, i cili ishte konkurrent në reality shown “Making The Band” në vitin 2008.
Djali që në atë kohë i kishte 17 vjet, identiteti i të cilit po ashtu nuk është bërë publik, në padi është ankuar se Combs e detyroi të kryente marrëdhënie intime me të dhe me një truprojë të tij, përgjatë një audicioni treditorë për shown “Making the Band”, të cilin e prodhonte Combs.
Ai në padi ka thënë se në momentin kur u shpreh i rezervuar për të bashkëpunuar, u eliminua nga gara dhe iu pamundësua rikthimi në industrinë e muzikës për shtatë vite.
Paditë që u dorëzuan në gjykatën supreme të New Yorkut, janë më të fundit nga vala e padive që po vazhdojnë të bëhen kundër “ikonës globale”, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, ku akuzohet për krime seksuale që pretendohet të kenë ndodhur përgjatë dy dekadave të fundit.
Avokatët e Combsit i kanë mohuar akuzat që janë bërë në dy paditë në fjalë dhe akuzojnë avokatin e paditësve, Anthony Buzbee, i cili është përfaqësues edhe i disa padive të tjera që janë ngritur javën e kaluar, se po kërkon të bëhet i famshëm duke përfituar nga ky rast.
“Combs dhe avokatët e tij mbrojtës kanë besim të plotë në fakte dhe në procesin e gjykimit. Në gjykatë e vërteta do të dalë në shesh: se z.Combs asnjëherë nuk ka sulmuar seksualisht e as nuk ka trafikuar askënd, burrë apo grua, të rritur apo të mitur”, thuhet në deklaratën e ekipit mbrojtës të reperit.
54 vjeçi, ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut, ndërkohë që është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave. Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë eurosh. /koha.net/