Diçka seriozisht nuk është në rregull me klipin e ri të Dafina Zeqirit dhe Lyrical Son

Diçka seriozisht nuk është në rregull me klipin e ri të Dafina Zeqirit dhe Lyrical Son

Edhe një muaj edhe mbaroi…

Diçka më shumë ose më pak se aq ka mbetur deri kur të përfundojë tortura e klipeve e këngëve katastrofale të estradës kosovare, shkruan Periskopi.

Për të qenë të sinqertë, mund të ndajmë nga ky mes disa këngë që ishin vërtetë impresive, por bërlloku ishte larg në epërsi numerike.

Është shumë evidente dhe e qartë… kjo verë do të ishte më e vrullshme se asnjë tjetër sa i përket klipeve e hovit të këngëtarëve tanë për ta mjelur audiencën me këngë e klipe patetike, me përjashtime gjithmonë, pas një sfide të gjatë me pandeminë.

Dafina Zeqiri, e cila dorën në zemër është ndër të vetmet që mund t’i veçojmë sa i përket projekteve paksa më dinjitoze në mesin e estradës, ka publikuar një klip të ri në bashkëpunim me Lyrical Son, të quajtur ”Llafe, llafe.”

Një këngë tejet e çuditshme, e cila ka mundur të ketë konotacion krejtësisht tjetër nëse do të publikohej në një prej stinëve tjera.

Nëse e analizojmë tekstin, melodinë dhe pastaj klipin… hutia është e garantuar, më e pakta që mund të themi.

Mendojmë, seriozisht, diçka nuk shkon këtu.

Vajza thotë se është ndarë nga i dashuri dhe se nuk ka gjasa të kthehen më, për shkak të llafeve, gjë që është tejet provicionale dhe aspak edukative, por do t’ia lëmë të rrëshqasë kësaj here me këtë, pasi është temë që meriton shtjellim gjërë e gjatë.

Sidoqoftë, kënga qartazi ka të bëjë me – klishenë e pavdekshme të këngëve të artistëve tanë – dashuri të dështuar, por është servuar sikur të ishte këngë e llojit ‘Gangnam Style’.

E keni parasysh, me një klip ku të gjithë duket se po dëfrehen dhe po ia kalojnë kohën e jetës.

Ato vargje që këndohen, thjesht nuk kanë kurrfarë përshtatje me atë që shohim në klip. Zonja Zeqiri shihet prapë duke qeshur e duke kaluar mirë, sikur ta kishte marrë lajmin më të mirë në jetë.

E dini ku qëndron problemi kryesor? Artistët kosovarë janë aq të dëshpëruar të krijojnë tinguj e pamje verore, sa që nuk e kanë problem të degradojnë deri te mos përshtatja totale e këngës me klipin.

Sa i përket Lyrical Son… epo, tek ai na kaploi zhgënjimi kronik. Herën e fundit që patëm punë me të, ishim në qiellin e shtatë nga impresionimi.

Kësaj radhe, na zbriti me këmbë në tokë dhe na bëri ta gjykojmë paksa më ndryshe. Duket se edhe ai po tërhiqet zvarrë nga vala e këngëve patetike, teksa rrallëherë e shohim duke mos qëlluar cakun si kësaj here.

 

 

Shpërndaje në: