Diaspora e zhgënjyer me shtetin, por ende vazhdojnë t’i ndihmojnë skamnorët

Veteranë të luftës e skamnorë të viseve të ndryshme të viseve shqiptare bëhen çdo vit me kulm mbi kokë falë ndihmës së mërgatës shqiptare.
Mërgimtarët, megjithëse të dëshpëruar me shtetin e Kosovës që nuk kujdeset për qytetarët e saj, vazhdojnë t’ua zgjasin dorën njerëzve në nevojë, shkruan sot “Koha Ditore”. Dhjetëra e mijëra euro kanë mbledhur vetëm viteve të fundit bashkatdhetarët në rajonin gjerman të Bavarisë, duke u siguruar strehë luftëtarëve që nuk iu njoh statusi i veteranit të luftës.
Aktivitetin e tyre e kanë shtrirë përtej shtetit më të ri në Evropë. Kanë ndihmuar edhe kategori të luftës së Kosovës në Maqedoni e Shqipëri. Njëherësh për dekada me radhë, të mbledhur rreth shoqatës kulturore humanitare shqiptaro-gjermane, “Sali Çekaj”, – dikur “Fan Noli” – vazhdojnë të organizojnë vullnetarisht aktivitete për ruajtjen e traditave dhe të vlerave kombëtare shqiptare në shtetin me ekonominë më të fuqishme në Evropë.
Mozaik gjithëshqiptar
Por, sikurse tregon nënkryetari i saj, Gazmend Dashi, nga Stagova e Kaçanikut, me qëndrim në Pfaffenhofen të Bavarisë, ka nisur të zbehet viteve të fundit gatishmëria e shqiptarëve të diasporës për mbështetjen e aktiviteteve humanitare në trevat shqiptare.
“Ka nisur pak me u zbeh anëtarësia, politika e ka bërë të veten, mërgimtarët po thonë se kur ata s’po punojnë, çka me ba ne këtu”, thekson Dashi (52), në njërën prej kafeneve përgjatë rrugës magjistrale ndërmjet Ferizajt dhe Shkupit.
Dashi ishte shtrënguar të linte studimet në Shkollën e Lartë Teknike të Ferizajt në vitin e ndryshimeve të mëdha në Kosovë, pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë nga regjimi serb në pranverën e vitit 1989. Do të merrte fillimisht rrugë drejt Zvicrës, ku do të qëndronte tre vjet, para se të zhvendosej në qytetin bavarez, ku do t’i jepej leja e qëndrimit dhe e punësimit.