”Diamantët” e Kosovës – Visar Bekaj dhe Arijanet Muriqi

Periskopi.com Sporti

E ardhme e ndritur e pret futbollin e Kosovës si dhe Kombëtaren tonë. Me gjithë këtë potencial talentësh, mund të ëndërrojmë për gjëra të mëdha.

Tani për tani, jemi lider në grupin përkatës në Ligën e Kombeve, teksa këtë muaj zhvillojmë dy ndeshje të rëndësishme – përballë Maltës dhe Azerbajxhanit.

Me portën, mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin që e kemi për momentin në dispozicion, fitoret janë opsioni i vetëm. Kampionati Evropian, ”Euro 2020” mund të jetë rrugë e gjatë për ta arritur, por ne besojmë.

Besojmë sepse nuk jemi mposhtur ende në Ligën e Kombeve – kompeticion që të dërgon në Evropian. Këtu, kemi regjistruar dy fitore, dhe dy herë kemi marrë nga një pikë, shkruan IndeksOnline.

Por, në cilin repart, kemi më shumë lojtarë premtues për të ardhmen? Shumë do të thonin mesfusha, ku luajmë Herolind Shalën dhe Hekuran Kryeziun. Megjithatë, kjo nuk po del të jetë prognozë e saktë.

Porta është reparti, ku Kosova, lehtë mund të themi, se e ka të siguruar edhe për dhjetë vitet e ardhshme. Aktualisht, ”gardiani” ynë titullar është Samir Ujkani.

Megjithatë, në ndeshjet e muajit tetor është ftuar edhe portieri i Prishtinës, Visar Bekaj, teksa ai pritet të ftohet edhe për ndeshjet e muajit nëntor.

VISAR BEKAJ

Bekaj është portieri më i mirë aktualisht që Superliga e Kosovës në futboll e posedon.

”Gardiani” i Prishtinës ka shkëlqyer këtë sezon, teksa është paraqitur në 14 ndeshjet e para të këtij sezoni.

Saktësisht, Bekaj ka luajtur 1,260 minuta për kryeqytetasit, ku ka regjistruar një statistikë impresive – KA PRANUAR VETË 4 GOLA dhe e ka mbajtur PORTËN E PAPREKUR 10 HERË.

Visari, gjithashtu njihet edhe si lojtar i disiplinuar. Në 14 ndeshje të Superligës këtë sezon, ai është ndëshkuar vetëm 2 herë me karton të verdhë.

Përveç shkëlqimit në Superligës, Bekaj bëri paraqitje të mira edhe në Evropë. Me Prishtinën, Bekaj zhvilloi katër ndeshje eliminatore për Europa League.

Image may contain: one or more people, people standing and outdoor

Në këto katër ndeshje, Bekaj pësoi vetëm një gol, që është një statistikë e jashtëzakonshme për një portier të moshës 21-vjeçare.

Karrierën internacionale, ”1-shi” i Prishtinës e filloi me grupmoshat, U-17 të Shqipërisë, për të vazhduar te Kosova, U-21 (ku bëri shtatë paraqitje), dhe në muajin paraprak, ai ishte pjesë e Kombëtares A.

Fakti që Bekaj ishte i ftuar në ndeshjet e Kosovës për muajin e kaluar e ngazëllyen atë, teksa ai shpreson që kjo të ndodhë edhe në ndeshjet e këtij muaji.

Përveç Ujkanit dhe Bekaj, Kombëtarja e Kosovës ia ka arritur që ta bindë edhe portierin e kampionit të Anglisë, Manchester Cityt, Arijanet Muriqi.

ARIJANET MURIQI

Në Man City, ai bëri famë vetëm falë lëndimit të Claudio Bravos. Aro ishte huazuar në Holandë në verën që lamë pas, por pas lëndimit të kilianit, Pep Guardiola u detyrua ta kthejë atë në Mançester.

Sot, portieri kosovar është portieri i dytë i Man Cityt, teksa Guardiola deri më tani ka startuar me të në ndeshjet e Kupës, ku portieri i rregulltë, Ederson zakonisht pushon.

Muriqi është shqiptar i Malit të Zi, dhe së fundmi ai është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës.

20-vjeçari ka lindur në Schieren të Zvicrës, luan me këmbën e djathtë, teksa me Manchester Cityn ka kontratë deri në vitin 2021.

Image may contain: 1 person, smiling, standing and outdoor

Natyrisht, ”Qytetarët” kanë parë potencial tek ai dhe se e shohin si zgjidhje të duhur për të ardhmen.

Çfarë mund të ofrojë ai për Kosovën? Aktualisht, përzgjedhësi, Bernard Challandes nuk duket se do ta ndryshojë Ujkanin nga vendi i titullarit, por mund të themi se kemi të ardhme të ndritur.

Me Bekaj dhe Muriqin në dispozicion, Kombëtarja e Kosovës së bashku me ”Dardanët”, tifozërinë tonë të famshme, kanë të drejtë të ëndërrojnë për gjëra të mëdha.

Me seniorët e Manchester Cityt, Muriqi është paraqitur vetëm dy herë. Siç e cekëm më herët, Guardiola ia ka besuar atij vendin në Carabao Cup, ku këtë sezon ka bërë dy paraqitje dhe se ende nuk e di ndjenjën e të pranuarit gol.

Karrierën në nivel internacional, Muriqi e nisi me Malin e Zi. Ai bëri dy paraqitje me grupmoshat, U-21. Por, muaj më parë, ai vendosi ta pranonte ftesën e FFK-s dhe këtë muaj, do t’i bashkohet Kombëtares kosovare për dy ndeshjet e ardhshme.

Dilema më e madhe për Challandes apo për cilindo trajner që do të jetë te Kosova pas largimit të Ujkanit, do të jetë zgjedhja mes Bekajt dhe Muriqit – dy portierëve të jashtëzakonshëm të Kosovës.

Lidhur me këtë ”dilemë”, e cila herët apo vonë do ta ketë trajneri i Kosovës, IndeksOnline ka disktuar me disa prej analistëve të futbollit kosovar.

Bekim Aliu, njohës i mirë i futbollit të Kosovës dhe gazetar sportiv, tha se me këta dy portierë, porta e Kosovës mund të konsiderohet e sigurtë.

Image may contain: 3 people, people standing, stadium and outdoor

”Vetë fakti se Muriqi mbron ngjyrat e një klubi të madh siç është Manchester City, na shtynë të mendojmë se cilësitë e tij janë të pa kontestueshme. Nga ana tjetër, Beka, ndonëse i ri, mund të zhvillohet në një portier të cilësive të larta”.

”Por, duhet pasur parasysh faktin se puna në klubet tona nuk mund të krahasohet në klubet e mëdha në botë. Në këtë rast, përparësi i jap Muriqit. Gjithsesi, me këta dy portierë, porta e Kosovës mund të konsiderohet e sigurtë”, tha Aliu.

Tutje, Aliu i ka dhënë edhe një opsion mjaft të mirë Challandesit për portën: ”Asesi nuk duhet anashkaluar edhe Bledar Hajdini i Llapit, i cili për shkak të një lëndimi është jashtë fushës së gjelbërt”.

Në lidhje me këtë temë, për IndeksOnline, ka folur edhe analisti sportiv, njëherish, ish-futbollist i Prishtinës. Ndër të tjerash, Dragusha tha se Bekaj duhet të transferohet në një klub evropian që të zhvillohet akoma si portier.

”Unë mendoj se problemi i vetëm apo mungesa e vetme në këto dy vite ka qenë porta, me vetëm një portier cilësor në Kombëtare, i cili ka përvojë ndërkombëtare. Tashmë kemi Visar Bekajn, që është vendor dhe mjaft cilësor – me të ardhme të ndritur”.

”Forma e tij tregon se është superior pasi edhe Prishtina është lidere tani në tabelë. Kurse, Aro Muriqi është një futbollist i rritur në ambient dhe punë profesionale dhe në klube evropiane. Mendoj që hapësirat vetëm sa kanë filluar për të te Manchester City dhe paraqitja e tij e fundit ishte e mirë”.

Image may contain: 11 people, including Visar Bekaj and Argjend Mustafa, people smiling, outdoor

”Mendoj që Kombëtares i kanë shtuar vlera po këta dy portierë. Jemi përforcuar mjaft pasi kemi marrë dy portierë të moshës së re dhe me prespektivë”.

”Sigurisht se do të ketë përparësi pasi puna profesionale dhe klubi aktual ku ai gjendet, na jep shumë të drejtë të mendojmë dhe analizojmë se ai mund të jetë portieri i ardhshëm i Kosovës pas Ujkanit. Besoj se deri t’i vijë koha, do të ketë më shumë hapësirë te klubi i tij dhe se do ta fitojë përvojën që i duhet në Kombëtare.

”Kurse, Bekaj, mendoj që pas këtij sezoni i duhet një kontratë e re në klub jashtë Kosovës, pra në Evropë, që të rritet më shumë portier dhe të fitojë më shumë përvojë evropiane”, përfundoi Dragusha.

Çështjen në fjalë e ka komentuar shkurt edhe trajneri i Kosovës për grupmoshat, U-17, Besnik Kollari. Ky i fundit ka lavdëruar kualitetet e të dy portierëve, por ka thënë se Muriqi, bazuar në rrethanat ku punon çdo ditë, është në avantazh ndaj Bekajt.

”Për të dy kam mendim pozitiv, por vetë fakti që ku luan Muriqi, tregon gjithçka për të. Bekaj është njëri prej portierëve më të mirë në vend, ai e ka dëshmuar veten me Prishtinën. Të dy portierët janë të rinj, dhe kjo është gjë e mirë për Kombëtaren”, tha Kollari.

Shpërndaje në: