Dialogu pa kushte me Serbinë na kushtoi shtrenjtë

Dialogu pa kushte me Serbinë na kushtoi shtrenjtë

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të jetë e harruar, nuk mund të thotë dikush që “harrova ta përmend në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë”, ose “harrova ta përmend në Kushtetutë”, pra nuk bëhet fjalë për harresë po mohim. Si e mohuar ajo kriminalizohet. Ne të gjithë e dijmë se ajo është thelbi i historisë sonë të re. Por, duke qenë e mohuar ajo kriminalizohet. Meqë u la jashtë shtetit, ajo mbyllet brenda burgjeve. A duhet të mësohemi ne me këtë rregull? Sigurisht që jo. Ky rregull i pranuar nga pushtetarët kosovar është rregull i padrejtësisë. Ne duhet që vazhdimisht padrejtësinë ta vendosim në pikëpyetje. Të jemi kritik dhe aktiv ndaj saj deri atëherë kur padrejtësia të rrëzohet dhe institucionet e Kosovës t’i qeverisë e drejta dhe e mira e përgjithshme.

Këto ditë është folur intensivisht për arrestimin e Ramush Haradinajt dhe sigurisht që shumicës së shqiptarëve përfshirë gjithë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, jo vetëm se na vjen keq për këtë arrestim, por edhe jemi të revoltuar ndaj kësaj padrejtësie. Do të ishte hipokrizi po të thuhej që të gjithë ata që kanë folur me keqardhje sidomos pushtetarët e duan ndaljen e arrestimeve të këtilla. Nëse do ta donin ndaljen e këtyre arrestimeve me gjithë mend atëherë pse këta qeveritarë nuk kanë vendosur si kusht në negociatat e tyre me Beogradin që të zhvlerësohen e të anulohen fletëarrestet e Serbisë ndaj qytetarëve tanë. Sepse ato negociata kanë qenë dhe janë të turpshme dhe pa parime. Gjithnjë është negociuar pa kushte për Serbinë e sipas kushteve të Serbisë, vetëm për çështje të brendshme të Kosovës. Në dialogun në Bruksel, Kosova nuk mund të jetë tamam palë gjersa është vazhdimisht temë. Pra, thuhet se Kosova është palë aty, në fakt është shumë më shumë temë sesa palë. Dialogu pa kushte me Serbinë, e me çështje të brendshme të Kosovës ishte një gjë e panevojshme për ne që na kushtoi shumë shtrenjtë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë normalizim drejt njohjes së Kosovës por normalizim përkundër mos njohjes së Kosovës. Me Serbinë e kemi problemin e dyfishtë, edhe krimet e saj edhe armiqësinë e saj. Sepse mund të ketë shtete që i kanë problem krimet nga e kaluara por nuk kane armiqësi aktuale. Mund të ketë shtete që nuk kanë krime nga e kaluara, por kanë armiqësi aktuale. Me Serbinë i kemi të dyja dhe të padënuara nga e kaluara.

Pra, dialogu me Serbinë është quajtur dialog për normalizim. Në këtë janë thirrur edhe kryetarët nga odat ekonomike të Serbisë dhe Kosovës, Marko Çadezh dhe Safet Gërxhaliu kur kah mesi i marsit të vitit të kaluar u kanë dërguar letër zyrtarëve të lartë të BE-së dhe ambasadorëve të vendeve të Kuintit në Serbi e Kosovë. Ja çfarë thoshin ata aty: Oda Ekonomike e Serbisë, dhe Oda Ekonomike e Kosovës janë të përkushtuara në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, pra nuk thonë Kosovë-Serbi por  Prishtinë-Beograd, si dhe rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së; dënojnë ashpër përmbysjen e kamionit me mallra serbe më 11 mars. Duke e konsideruar si një përpjekjë për të shkelur liritë të lëzivjes së njerëzve dhe mallrave, letër kjo drejtuar komisionarit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të BE-së, Frederica Mogherini si dhe ambasadorëve të shteteve të Italisë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe SHBA-ve. Pra, përderisa kemi këso kryetar të Odës Ekonomike i cili bashkë me homologun e tij serb i shkruajnë letër Brukselit kundër VETËVENDOSJE!-s se u rrokullis një kamion me mallra serbe. Mund ta kuptoni se për çfarë shtetndërtimi bëhet fjalë në Kosovë dhe përse kjo marrëdhënia jonë asimetrike rezulton me kaq shumë dëme dhe vuajtje 17 vite pas çlirimit e gati 9 vite pas shpalljes së pavarësisë.

Deputetë të Kuvendit të Republikës, janë dy leva që Kosova mund t’i përdor kundër Serbisë, ndëprerjen e dialogut dhe shkëputjen e tregut. Po e vërej që shumë prej jush po thoni që  duhet të kërcënojmë e duhet ta bëjmë ndërprerjen e dialogut. Në këtë mënyrë edhe ju po pranoni që ky dialog realisht shumë më tepër i konvenon Serbisë, në mos tërësisht asaj e jo Kosovës. Pra, ne mund ta kushtëzojmë Serbinë me ndërprerjen e dialogut, sepse asaj i nevojitet dialogu dhe jo neve. Ajo po ec drejt BE-së ndërkohë që nuk po shkëputet prej Rusisë kurse ne e shihni sesi kemi mbetur. Çështja tjetër është shkëputja e tregut. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë shpallje e pavarësisë administrative le të themi. Në kuptimin ekonomik e tregtar, Serbia shet mallra në Kosovë pakashumë si në kohë të okupimit. Nuk ka ndodhur pavarësisa dhe shkëputja ekonomike. Rreth gjysmë miliardë i merr Serbia çdo vit prej nesh me mallra të cilat edhe cilësinë ndoshta e kanë të dyshimtë. Në arenën ndërkombëtare e sidomos evropiane, Kosova dhe Shqipëria kanë shumë më shumë arsye për ta kushtëzuar Serbinë se Kroacia. Por, ja që nuk po e bëjnë këtë e sidomos Kosova. Ky është dëm edhe për brezat e kaluar edhe për brezat e ardhshëm. Sa i përket reciprocitetit po e marr një element të thjeshtë. Në 19 poste komanduese në Policinë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vetëm 4 sosh janë shqiptar, dhe vetëm në Preshevë, Kryeshefi është shqiptar. Ndërkohë që në Kosovë ende ngulmohet për Zajednicën. Zajednica ka vdekur, por ka forcë edhe brenda Kosovës e jashtë Kosovës që e duan ringjalljen e saj.

Kuvendi i Kosovës me 8 dhjetor 2011, me propozim të Visar Ymerit si Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! asokohe, e patë miratuar këtë mocion për reciprocitet me Serbinë. Po ua lexoj 3 pikat e atij mocioni:

Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheq bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia.

Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetëror për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Pra, para 5 viteve e një muaji e kemi miratuar këtë mocion më këto 3 pika, për kanë qenë 42 deputetë, kundër 33 dhe abstenuan 2. Kemi edhe nga të tillë të partisë në pushtet që kanë qenë kundër reciprocitetit dhe sot e morën fjalën. Po i përmendi emrat e disa prej tyre, Shaip Muja, Elmi Reçica, Bekim Haxhiu, Zenun Pajaziti, Adem Grabovci, Fatmir Xhelili, Xhevahire Izmaku, Ganimete Musliu dhe Safete Hadërgjonaj. Këta kanë votuar kundër reciprocitetit me 8 dhjetor të vitit 2011. Tash mund të flasim sa të duam. Por, gjërat e këqija e të mëdha nisin më hapa të vegjël e të gabueshëm dhe i tillë ka qenë edhe ky votimi atëherë. Qytetarët e Republikës nuk duhet t’i dëgjojnë vetëm fjalët e deputetëve por edhe votimet e tyre. Sepse shpeshherë këtu po flitet në mënyrë parimore, konstruktive e progresive dhe pastaj votat janë saktësisht e kundërta e kësaj. Ajo që në thelb është më e rëndësishmja.

Dialogu i kësaj Qeverie me Serbinë e ka bazën që besimi të konjuktura udhëheqëse në Serbi është cilësisht e ndryshme prej kohës së Millosheviqit. Ne e dëgjuam këtu Ministrin e Punëve të jashtme teksa thoshte se këta janë pasardhësit e Millosheviqit, pra dëshironte ta gjente një distancë minimale të brendshme midis Millosheviqit dhe pushtetit të sotëm atje. Ani pse thoshte se janë të ngjashëm, por nëse thua kështu do të thotë se nuk janë të njëjtë. I gjithë dialogu me Serbinë është i bazuar mbi këtë premisë. Mbi premisën që këta nuk janë tamam si Millosheviqi, pasi që Vuçiqi i mban raportet me perëndimin. Në fakt, Vuçiqi është ndryshe sepse kanë ndryshuar rrethanat por jo qëllimet. Ndarja e roleve mes Vuçiqit, Nikoliqit, Sheshelit e Daçiqit në Serbi është një farsë e vjetër e cila lehtësisht mund të shndërrohet në një tragjedi të re në Ballkan. Në këtë pikë unë dua të tërheq vërejtjen tek një dëm sistematik dhe i dyfishtë që po i ndodh shtetit të Kosovës. Pra, e para është dobësia e shtetit të Kosovës sepse dobësia jonë bëhet magnet për kundërshtarin dhe e dyta është fanatizmi serb. Nuk bën asnjëra të nënçmohen. Dobësia e shtetit të Kosovës në kuptimin që prej se është negociuar me Serbinë e deri tek ‘Pronto’ afera, Serbia e ka kuptuar që realisht Kosova nuk ka përmbajtje shtetërore. E ka parë që ka udhëheqje klanore. Ata e kanë parë që tek ne nuk ka shtet. Dhe kjo ua shton apetitet atyre. Pra, dobësia jonë është magnet për apetitet e tyre. E dyta është fanatizmi serb. Para disa viteve udhëheqësi çetnik i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik pat thënë aksiomën e politikës serbe, që nuk vlen vetëm për Bosnje, me një fjali të thjeshtë dëftore e cila është kjo: Ne do të lodhemi të fundit. Kështu ka thënë ai. Kjo do të thotë që edhe kroatët e boshnjakët do të lodhen para neve, kjo i përfshin edhe shqiptarët. Ne themi “Bac, u kry”, por ata po thonë “Ne do të lodhemi të fundit”. Kjo do të thotë që nuk do të përfundoj kurrë, apo së paku do të thotë se nuk përfundon pa u lodhur ata para neve. Ne nuk po e përsërisim të vërtetën për krimet e Serbisë, e ajo po i përsërit gënjeshtrat për krimet tona dhe po dihet rezultati.

Shtrohet pyetja se si ka mundësi që Franca e cila është një ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën ta aktivizojë pikërisht tani një fletarrest të vitit 2004 për një luftëtar çlirimtar e komandant lufte i cili edhe më parë ka vizituar Francën por nuk i ka ndodhur asgjë. Këtu pati një mini-seancë brenda seancës sonë që nuk bën t’i prishim marrëdhëniet me Francën, që Franca është shtet që na ka ndihmuar, që është shtet demokratik e perëndimor dhe besojmë në drejtësinë franceze. Madje kishte njerëz që betoheshin për Francën më shumë se vet francezët. Paska njerëz këtu që besojnë më shumë në Francën më shumë se Franca në vetvete e që besonin në Francën në mënyrë absolute që unë do të thosha naive. Shtrohet pyetja pra përse të na vijë kjo ngjarje e keqe prej Francës. Këto janë pyetje që kanë nevojë për përgjigje. Dhe unë përgjigjen e gjej tek një filozof i shquar bashkëkohor francez, i cili kur fliste për atdheun e tij thoshte se ka pasur gjithnjë dy Franca. Në njërën anë Franca e revolucionit borgjez, në anën tjetër Franca e restaurimit monarkist. Në njërën anë Franca e iluminizmit progresiv dhe në anën tjetër Franca e reaksionit konservativ. Në njërën anë Franca e rezistencës fashiste e në anën tjetër Franca e kolaboracionizmit Petain dhe Vichy-n. Në njërën anë Franca e Majit të vitit ’68 dhe në anën tjetër Franca ksenofobe dhe neoliberale. Ne duam të besojmë se Ramush Haradinajn e ka arrestuar Franca e dytë, Franca e kolaboracionizmit me fashizmin, e reaksionit dhe së djathtës ultra-konservatore. Po kështu kemi besim që Ramush Haradinajn do ta çliroj Franca e parë, ajo e revolucionit republikan, ajo e iluminizmit. Franca që solidarizohet me popujt që kërkojnë me sakrificë çlirimin e vetvetes.

E për tu kthyer tek Serbia, fundja, establishmenti politik në Serbi nuk ka gjë të përbashkët me parullën e revolucionit francez ‘Liri Barazi Vllazëri’ dhe gjithnjë e më shumë ka shumëçka të përbashkët me parullën e Nikolla Pashiqit ‘ Zoti Populli Rusia’. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha është arrestuar ish-kryeministri Haradinaj, është arrestuar kryetari i AAK-së, Haradinaj, njëri nga liderët në vend etj. Ai fliste për gjëra që e ndajnë Kryeministrin me Haradinajn. Nuk e përmendi si qytetar të Republikës. Po, ky mund të thotë ndonjë fjalë për Haradinajn si Kryeministër që është pozicion përjashtues në raport me të, edhe si AAK pasiqë ky nuk është AAK. Por, si qytetar të Republikës ku Mustafa dhe Haradinaj janë bashkë, për atë s’ka se çfarë bën. Pra, nuk e mbron dot si qytetar të Republikës. E kur nuk e mbron dot si qytetar të Republikës, kur nuk e mbron dot si luftëtar të UÇK-së, nuk e mbron dot si kryetar të AAK-së. Kot e përmend si kryetar të AAK-së kur nuk e mbron si qytetar. Mustafa tregonte se si Haradinaj është ndryshe nga qytetarët tjerë sepse nuk e kishte ndërmend ta mbroj si qytetar të Republikës. Por as si luftëtar i UÇK-së pasi që ajo është përjashtuar nga themelet e shtetit dhe shtetndërtimit në Kosovë.

Deputetë të Kuvendit, qytetarë të Republikës. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të Ramush Haradinajt, si dhe për ndalimin e arrestimeve të çlirimtarëve. Por, jemi të sigurt se këto thirrje nuk do gjejnë dëgjues tek Qeveria aktuale. Këto thirrje do të mund të gjejnë fatkeqësisht përgjigje serioze vetëm nesër kur pushtetin do ta ketë një Qeveri e ndershme dhe kur diplomacia do të udhëhiqet nga njerëz të mençur e me një doktrinë patriotike.

 

Shpërndaje në: