Dialogu, kushtet e Kurtit, Asociacioni: Çka tha ambasadori Hovenier mbrëmë?

Dialogu, kushtet e Kurtit, Asociacioni: Çka tha ambasadori Hovenier mbrëmë?

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier mbrëmë ka folur për marrëdhëniet me Qeverinë Kurti.

Ai tha se ShBA-të e përkrahin Kosovën që të marrë vendin e saj të merituar në familjen e shteteve evropiane, por sipas tij, për këto arritje duhet përparim në dialog.

“Ne absolutisht e besojmë se ky është fati i Kosovës dhe do të mbështesim plotësisht dhe me entuziazëm avancimin e saj në institucionet evropiane si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe institucionet euroatlantike, si një marrëdhënie ndryshe me NATO-n dhe në fund, ne e shohim Kosovën anëtare të NATO-s”.

“Por, siç kemi folur më parë, për t’i arritur këto gjëra, duhet përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është rruga për të çuar përpara këtë qëllim. Dhe për këto gjëra me këtë qeveri nganjëherë kemi pasur disa dallime, jo për atë që duam të arrijmë, por për shkak të disa taktikave apo qasjes për t’u përpjekur për t’i arritur ato”, tha Hovenier në Rubikon.

Tutje, Hovenier tha se qeveria amerikane shqetësohet kur Qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmarrë veprime të njëanshme “në disa menyra për vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet”.

“Kështu, qeveria amerikane ka dhënë disa deklarata se ne jemi të shqetësuar kur qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmerr veprime të njëanshme në disa mënyra për të vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet, por megjithatë, në mënyra që besojmë do të duhej të bëheshin përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, përmes konsultimeve me komunitetet e prekura”.

“Pra, p.sh. e dini që ka disa muaj që kemi folur për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Ne nuk e kontestojmë autoritetin dhe përgjegjësinë e Bankës Qendrore për të qeverisur sektorin financiar në tërë territorin e Kosovës dhe natyrisht kjo përfshin edhe veriun e Kosovës, i cili është pjesë e territorit të Kosovës sovrane e të pavarur. Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri: është në veri të lumit Ibër”, tha Hovenier.

Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe nga Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe me urgjencë të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier në Rubikon.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bruksel për dialogun i vuri tri kushte për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

Vuciq nuk i pranoi kushtet e tij dhe takimi dështoi.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier u pyet për këto tri kushtet. Diplomati Hovenier duke u përgjigjur në këtë pyetje theksoi rëndësinë që Kurti e Vuçiq të gjejnë vullnetin politik dhe gjuhën e përbashkët për të çuar procesin përpara.

“Do të thoja se këshillat e vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për këtë dhe qeveritë e mëparshme të Kosovës, janë që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në një mënyrë që të jetë konstruktive, që është aktive, që e merr këtë çështje me njëfarë urgjence. Dhe kjo e çon procesin përpara. Tregoni vullnetin politik për të kontribuar në mënyrë aktive, konstruktive dhe të dobishme. Unë do të thosha se secilat kushte ose kërkesa që pengojnë bisedimet ballë për ballë nuk i plotësojnë të gjitha këto kritere. Dhe shpresa jonë do të ishte që të dy liderët, të dy, të gjenin vullnetin politik për të gjetur gjuhën e përbashkët për të gjetur disa përfitime për të çuar procesin përpara. do të jem i qartë”, është shprehur ai në Klan Kosova, transmeton Express.

Sipas Hovenier SHBA pret që dy vendet të përmbushin detyrimet e arrituara në kuadër të dialogut.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka thënë disa herë, dhe do ta them përsëri tani, pritshmëria jonë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia është që ata të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i përmbushin të gjitha me disa urgjenca, pa parakushte. Dhe pa lidhje me çështje të tjera të jashtme. Kjo është pritshmëria jonë. Kjo është ajo që ne shpresojmë të shohim”, përfundoi ai.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe draft-statutin e përpiluar nga BE-ja.

Hovenier tha se ShBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar draft-satutin në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “kjo është zgjedhje e qeverisë”.

“Por, të jemi të qartë, ky nuk është dokument jozyrtar, ky nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjesht në mënyrë të rastësishme. Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë i Bashkimit Evropian, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët më të afërt të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës, kryeministres së Italisë dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe Serbinë, erdhën dhe e dorëzuan atë dokument duke thënë: Ne besojmë se ky krijon një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime të kushtetutës suaj, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon një shtresë tjetër të qeverisjes”.

“Pra, ka status mjaft të rëndësishëm. Dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj duke e përdorur këtë draft. Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse. Pra, këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier në një intervistë Klan Kosova.

Shpërndaje në: