Dhjetë gjestet e vogla që duhet t’i kryeni çdo ditë, për një jetë të mbushur me pozitivitet
Jeta e përditshme është ndonjëherë e vështirë, por nëse nuk merremi me të në mënyrën e duhur, mund të bëhet edhe më e komplikuar. Nëse është e vërtetë se nuk është e mundur të mbajmë nën kontroll të gjitha aspektet e jetës, është gjithashtu e vërtetë se shumë gjëra të vogla varen tërësisht nga ne: këto praktika të mira mund të bëjnë dallimin dhe të na japin një këndvështrim më serioz dhe pozitiv ndaj realitetit dhe njerëzve rreth nesh.
Shkoni në shtrat herët dhe zgjohuni herët në mëngjes
Zgjimi i herët dhe i rifreskuar është mënyra më e mirë për të kaluar një ditë të këndshme. Për të marrë këtë rezultat ju duhet të flini mjaftueshëm dhe në një mënyrë të qetë: për një pushim të mirë ju nevojitet një rutinë e duhur e gjumit, duke shkuar në gjumë në të njëjtën kohë dhe pa vonuar; një mjedis i qetë dhe i rehatshëm në dhomën e gjumit; mbani larg kompjuterët, telefonat celularë dhe pajisjet e tjera, sidomos para se të pushoni.
Bëni gjimnastikë sapo të zgjoheni
Njëzet minuta lëvizje sapo të zgjoheni do të karikojë dhe të pastrojë mendjen tuaj. Nëse jeni dembel dhe nuk doni të shkoni për një vrap, mund të bëni disa ushtrime stretching edhe pa u ngritur nga shtrati. Sërish shumë? Filloni duke u shtriqur veten sistematikisht nga koka deri te këmbët, pastaj shtoni një ushtrim në ditë: do të gjeni veten plot energji pas një jave.
Mos harroni mëngjesin
Vakti i parë i ditës është shumë i rëndësishëm dhe kurrë nuk duhet të anashkalohet, edhe nëse keni pak kohë. Dhe jo, kapuçino dhe brioche në bar nuk janë të mira. Përgatitini në mbrëmje para se të flini dhe trajtoni veten me një filxhan të mirë kafe ose një filxhan çaji jeshil, me një frut dhe një fetë bukë të thekur në shtëpi: do të keni “karburantin” që trupi ka nevojë për të filluar shkëlqyeshëm.
Mos e lodhni veten me smartphone
Kthehuni tek përdorimi i orës me zile dhe jo zilja e telefonit: do të shmangni tundimin për të kontrolluar mesazhet para se të hapni sytë plotësisht. Mos i kushtoni shumë rëndësi rrjeteve sociale dhe mos i lini miqtë e vërtetë për ata virtualë. Dhe mbani mend mirë: më mirë një bisedë dhjetë minuta (në telefon nëse është e vështirë të takoheni) me mikun a miken tuaj më të mirë, se sa të shkëmbeni dhjetë mesazhe me të.
Jetoni momentin
Shijoni momentin. Le të përqendrohemi në atë që është e bukur dhe pozitive e që po ndodh në të tashmen dhe në njerëzit që kemi pranë nesh, pa pritur diçka nga e ardhmja që mund të mos vijë fare, ose në keqardhje për një të kaluar që nuk ekziston më. Çdo minutë është plot premtime dhe mundësi: duhet të mos i lëmë të na ikin.
Pini më shumë ujë
Hidratimi është hapi i parë drejt mirëqenies. Uji, përveç mbajtjes së trupit në ekuilibër, transporton lëndë ushqyese në qeliza, mban ekuilibrin termik të trupit, eliminon mbetjet, nxit aftësitë njohëse dhe ndihmon për ta mbajtur oreksin nën kontroll. Pija ideale është uji, edhe pak i gazuar: ju duhet të pini tetë gota në ditë. Nëse duam të pimë “mirë”, ne mund të përgatisim një çaj të bardhë ose çaj jeshil, ndërsa pijet alkoolike të gazuara dhe ëmbëlsuara duhet të shmangen.
Shtëpia në rregull dhe pak e gjelbër
Rregullimi nuk është vetëm një praktikë e mirë që lehtëson pastrimin dhe higjienën në shtëpi: është një domosdoshmëri e mendjes dhe shpirtit. Një shtëpi e organizuar dhe e rregullt nxit qetësinë dhe ekuilibrin e mendjes dhe sugjeron idenë se në jetën tonë, në hapësirat tona, gjithçka gjen vendin e vet. Krijo një hapësirë për disa bimë jeshile ose me lule: një prekje e ngjyrave stimulon mendime pozitive dhe kufizon ndotjen e brendshme.
Mos u krahasoni
Krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët është mënyra më e lehtë për të lënduar veten. Qoftë nëse është e dashura, familja, makina ose pushimi, shërben vetëm për të thithur zili dhe mendime negative, të cilat pastaj përfundojnë duke na sikletosur. Duhet të bëjmë më të mirën në çdo kohë dhe të jemi të kënaqur me rezultatet tona: jeta jonë e përditshme do të duket më rozë.
Mos u fikso në mosmarrëveshje
Zemërimi dhe inati ndaj një personi tjetër janë ndjenja që konsumojnë dhe parandalojnë që të jetojmë me gëzim. Duhet të mësojmë të harrojmë grindjet e vogla.
Mos harroni të qeshni / buzëqeshni
Një e qeshur e mirë zgjat jetën dhe ju bën të ndiheni më mirë: e thotë edhe shkenca. Duhet të mësojmë të kuptojmë anën komike të gjërave, të rrethohemi me njerëz pozitivë dhe të qeshur dhe të bëjmë çmos që të mos e marrim seriozisht veten. Nuk mjafton? Le të krijojmë në shtëpi një koleksion të vogël filmash komikë, që do të përdoren në momentet kur duam të tërhiqemi: nuk do të zgjidhim probleme serioze, por së paku do ta fillojmë ditën me një buzëqeshje.