Dhimbja e Xhemile Deharit dhe turizmi i Dhurata Hoxhës

Nuk kanë kaluar as pesëmbëdhjetë ditë kur rasti i Astrit Deharit po shkon ‘drejt normalizimit’. Pra, nuk na ngutet për asgjë. Po na ftohen gjakrat. Ama, e kam menduar edhe vet, ashtu siç thanë prindërit e Astritit, nuk bëhet fjalë për rastin e ‘një Astriti’, por për natyrën e rastit. Pra, çka e pret dikë prej nesh që nesër mund të burgoset, të merret nga një protestë ose nën një dyshim çfarëdo qoftë? Çka e pret në burgjet e Kosovës? Vrasja, vetëvrasja?
Udhëheqëse e Ministrisë së Drejtësisë, ka qëlluar të jetë një grua që quhet Dhurata Hoxha. Me gjasë, s’ka mundur ta dëgjojë rrëfimin e dhimbshëm të një nëne, të Xhemile Deharit, në një emision. Dhimbja e saj sa të thyen, po aq të bën të fortë. Ajo flet për drejtësinë universale. Nuk flet për djalin e saj si individ. Ajo kërkon drejtësinë që e kërkojmë të gjithë. Kërkon të dihet se çka na pret nesër të gjithë neve që mund të përfundojmë në një burg? Vrasja, vetëvrasja?
Xhemile Dehari kishte me vete një fletore ku jepte një kronologji ngjarjesh që në dhimbjen e saj tingëllojnë edhe si fakte. Fliste për humbjen e djalit të parë (Arbënorit), për humbjen e djalit të dytë (Astritit). Përshkruante pushimet, net kritike të përballur me skena horrori, për të cilat familja Dehari s’paska pas marrë kurrë asnjë përgjigje nga drejtësia.
Pika më kulmore e dhimbjes së Xhemile Deharit, dukej kur përshkruante gjendjen në shtëpinë e saj, derisa mediumet po shfaqnin xhirimet nga burgu i Prizrenit, sikur të ishin një material nga ‘Big Brother’ për ta ‘kënaqur’ publikun.
Derisa po ndodhin gjithë këto zhvillime në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha është për vizitë në ShBA. Në kumtesën e fundit që e ka postuar në Facebook, zonja Hoxha, paska renditur disa takime me përfaqësues të lartë amerikanë të drejtësisë. Në një fjali, paska pas folur edhe për veten në superlativ, si një ministre e suksesshme në ‘fuqizimin e legjislacionit për sundimin e ligjit’. Hoyt Brian Yee, veç tjerash, njofton zonja Hoxha, ‘vlerësoi lart punën e bërë nga Institucionet e Drejtësisë në Kosovë dhe përkushtimin tim…” (lexojeni dhjetë herë: ‘përkushtimin tim”).
Tash, me këtë, s’dua të them se ministrja e Drejtësisë do të duhej ta anulonte vizitën e saj në ShBA. Por, të injorosh gjithë këto shqetësime që të adresohen Ty apo institucionin që udhëheq, atëherë vizita jote, kudo qoftë ajo, ngjan në turizëm.
Nuk mund t’u ikim do emocioneve në rastin e familjes së Astrit Deharit, edhe kur kërkojmë drejtësi. Me siguri, Xhemile Dehari ka pas emocione kur ka menduar të sakrifikojë nga Zvicra për lirinë e Kosovës. Me siguri, ato emocione kanë qenë të lidhura me lirinë tonë.
Kur ministrja Hoxha të kthehet nga turizmi në Amerikë, ia rekomandoj patjetër ta shohë rrëfimin e Xhemile Deharit. Jo si ministre, por si nënë.
Jam e bindur që secila grua në botë, për një rast të tillë, pavarësisht nga cili orientim politik do të vinte, do të fliste fillimisht si nënë edhe nga një post ministror. Pse duhet të flasësh në veten e parë kur je në Amerikë e nuk duhet të kesh pak ndjeshmëri në veten e parë përballë një rasti kur je në Kosovë?