Detyrat e para të kombëtares
Para së gjithash, duhet të qartësojmë se futbolli nuk është vetëm një sport i zakonshëm, futbolli nuk është vetëm futboll. Futbolli është shumë më shumë se një lojë me top, ku një ekip përpiqet t’i japë gola ekipit tjetër dhe të fitojë. Futbolli në ditët tona është shumë më shumë se kaq. Armiqësitë, rivalitetet, inatet, zilitë, garat, ndeshjet antike e mesjetare të njerëzve e popujve janë zhvendosur në fusha të blerta. Dhe, përveç gjakut e vdekjes së rivalit, ende gjithçka është aty. Dëshira, gjakimi, lufta për fitore, djersa, inati, rivaliteti, dafinat e triumfuesit dhe dëshpërimi i të mundurit, ende janë aty. Gladiatorët antikë, kavalierët e riterët mesjetarë tash dalin krenarë në stadiumet e mbushura, ku turma klith e gulçon dhe mbi të gjitha pret fitore. Dhe fisnikëria antike e mesjetare ende është aty: pavarësisht epilogut, dora i zgjatet kundërshtarit dhe dikush kthehet në shtëpi triumfues e me lavdi, dikush kthehet kokulur e i duhet mbase, edhe të i kurojë “plagët”.
Derisa në botë është kështu, për ne si komb i ri, futbolli është edhe më shumë. Futbolli për Kosovën është jo vetëm dashuri, jo vetëm krenari, jo vetëm energji, entuziazëm e lumturi. Futbolli për Kosovën është politikë, është diplomaci, është integrim, është zhvillim, është ekonomi, është industri, është vetë jeta. Dhe si i tillë duhet të trajtohet. Kush do të donte që një çështje si kjo të trajtohej vetëm si sport, vetëm si aktivitet i lirë, vetëm si argëtim. Jo, futbolli duhet të trajtohet seriozisht, si sistem dhe në mënyrë institucionale sepse ai ka rëndësi kombëtare.
Dhe kur jemi të kombëtarja, le të shkojmë më tej. Si në shumë fusha tjera, Kombëtarja është grupi përfaqësues i një shteti, i një kombi në garat ndërkombëtare, në koloseumet moderne dhe madhështore, ku kalorësit modernë përpiqen ta ngrisin lart flamurin e kombit të vet. Dhe, nuk e di a kanë dëgjuar kosovarët, po Kosova tashmë e ka Kombëtaren e vet në futboll, ekipin reprezentativ në arenën ndërkombëtare. Sidoqoftë, tërë bota e di tashmë dhe i referohet si të tillë. Madje, organizata më e madhe dhe më prestigjioze e futbollit në botë, dje shfaqi tabelën e grupit ku garon Kosova dhe shih befasinë, rastësinë e çudinë, por më shumë krenarinë e lumturinë tonë, vendi ynë është në krye të saj. Kosova, shteti ynë, shfaqet në krye të tabelës zyrtare. Mbi disa kombe, përkrah ca të tjerave dhe, çfarë është me më rëndësi, së bashku me kombet tjera, në arenën madhështore ndërkombëtare, aty ku deri më tani, kemi mundur të jemi vetëm spektatorë të ndrojtur.
Prandaj, Kombëtarja në veçanti dhe futbolli në përgjithësi në shtetin tonë të duhet të trajtohet si një sistem i ndërlikuar që kërkon qasje serioze, me mekanizma dhe me njerëz seriozë. Jo vetëm dëshirë, jo vetëm entuziazëm, jo vetëm adrenalinë, jo vetëm idealizëm, por të gjitha këto bashkë me obligim, me dedikim, me strategji, me sistem. Dhe, kur ta trajtojmë tërë këtë si sistem, atëherë do ta dimë se futbolli në Kosovë, ligat e saj dhe kombëtarja e Kosovës në futboll nuk kanë lindur sot, por kanë një histori. Një histori të suksesit, dhimbjes, përpjekjes, sakrificës dhe idealizmit të paimagjinueshëm e, shpesh, të pakonceptueshëm e iracional, për kohë të sotme.
Prandaj, si fillim, sistemi duhet ta njoh kontributin e gjithë atyre futbollistëve, futbolldashësve dhe entuziastëve që e kanë bërë të mundshëm kontinuitetin e futbollit në Kosovë, sidomos të gjithë akterëve të viteve ’90 të shekullit që lamë pas (natyrisht që kontributi për sportet e tjera nuk bën të anashkalohet). Kjo s’do të thotë që ata akterë duhet të përfshihen detyrimisht në sistemin e ri që merret me Kombëtaren e Kosovës, por njohja e kontributit duhet të bëhet në mënyrë institucionale. Dhe kjo jo vetëm për motive kombëtare e njerëzore, por edhe për motive profesionale. Dhe kjo na dërgon deri te hapi i parë i strategjisë që do ta trajtojë futbollin në Kosovë në përgjithësi dhe promotorin kryesor të saj, ekipin përfaqësues, kombëtaren pra, në veçanti.
Hapi i parë i kësaj strategjie është masovizimi i futbollit. Secili nga ne mund të mendojë se futbolli në Kosovë është mjaft i masovizuar dhe këtu s’ka nevojë të bëhet më shumë. Mirëpo, krejt kjo duhet të shikohet (tanimë) në mënyrë sistematike dhe duhet të krahasohet me vendet tjera, me të cilat do të përballemi. Sepse, nuk mund të ketë një kombëtare të fortë dhe të qëndrueshme, pa një ligë nacionale të fortë dhe të organizuar mirë. Nuk mund të ketë një ligë të fortë, pa pasur një rrjet të gjerë dhe të qëndrueshëm të klubeve të futbollit. Nuk mund të ketë një rrjet të tillë, pa një shumësi shkollash të futbollit. Dhe, në fund, por jo me më pak rëndësi, nuk mund të ketë shkolla të mira të futbollit, pa u trajtuar seriozisht ky sport në shkollat tona fillore. Me një fjalë, nuk mund të kemi kombëtare serioze, nëse në shkollat tona fillore dhe jo vetëm, edukata fizike trajtohet si lëndë e qejfit, gati opsionale dhe nëse kjo orë është në fund të orarit, nxënësit po të duan, mund të shkojnë në shtëpi. E për këto të gjitha, na nevojitet jo vetëm profesionalizmi por edhe një mekanizëm i sistemit që kombinon atë me entuziazmin, vullnetarizmin dhe idealizmin e të gjithë futbolldashësve në Kosovë. Dhe, këtu do të ketë vend për ata që kanë kontribuar në vitet e mbijetesës së futbollit kosovar.
Hapi tjetër e këtij sistemi është që, duke shfrytëzuar entuziazmin dhe euforinë e fillimit, të krijohet një infrastrukturë shumë reprezentative e futbollit. Nuk guxon të na ndodhë, që për mungesë të stadiumeve, sigurisë në to apo të rrugëve e hapësirave përreth tyre, Kombëtarja jonë të detyrohet të luajë diku jashtë vendit apo ekipet e ligës mos të kenë mundësi të marrin pjesë në gara ndërkombëtare. Nëse ndodh, kjo do të jetë shenja e parë e joseriozitetit, prandaj e dështimit e turpërimit. Dhe, kjo s’guxon të na ndodhë, kurrsesi!
Tjetër gjë çfarë është e rëndësishme në këtë etapë, është krijimi dhe zhvillimi i një Akademie të Juniorëve dhe pastaj fokusimi në të. Klubet e futbollit në Kosovë duhet të obligohen që të ndajnë së paku 10 për qind të buxhetit për juniorë. Po ashtu, duhet të hapen zyre në shtetet e Evropës, sidomos në Gjermani, me qëllim që të përcillen juniorët e talentuar, por edhe për t’i emocionalizuar (me Kosovën) që herët. Natyrisht, dhe këtu duhet të kemi kujdes: gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë duhet të mirëkuptojmë e respektojmë vendimin personal të gjithsecilit kosovar në diasporë, që vendos të luajë për një vend tjetër. Absolutisht! Në lidhje me juniorët, duhet të shikohet rasti i Belgjikës, nga ku ka shpërthyer një numër i madh talentësh, që dallohen në Evropë dhe, pashmangshëm, këshillat e Besnik Hasit do të ndihmonin shumë, kur dihet se ai është njëri ndër më të rëndësishmit që ka punuar me këta juniorë belgë, që tani yje të futbollit botëror.
Hapi tjetër i zhvillimit dhe përparimit të Kombëtares së futbollit (po e përmend Kombëtaren sepse ajo është promotori dhe motori i futbollit të një kombi), është shumë specifike. Për arsye të shumta dhe krejt të kuptueshme, relacioni ynë me kombëtaren e Shqipërisë ka qenë, është dhe duhet të jetë specifik. Marrëdhënja e Kombëtares së Kosovës me Kombëtaren e Shqipërisë duhet të jetë specifike, edhe në rastet kur do të na duhet të jemi rivalë. Raporti ynë duhet të jetë i ngrohtë e vëllazëror gjithmonë. Dhe, ka disa detyra që duhet përmbushur, për të mbajtur dhe mirëmbajtur këtë marrëdhënie të ngrohtë e konstruktive.
E para detyrë i përket Kombëtares së Kosovës dhe lidhet me futbollistët kosovarë dhe të diasporës kosovare që luajnë dhe kanë bërë emër me Kombëtaren e Shqipërisë. Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lobojë që ata futbollistë t’i bashkohen ekipit kosovar. Në asnjë mënyrë. Kjo do të hapte pakënaqësi e kundërshti të panevojshme dhe do të kërkonte energji për trajtimin e saj dhe ne kemi shumë fusha të tjera ku ta kanalizojmë atë energji. Dhe tjetra, kemi aq shumë futbollistë – sidomos në diasporë – që janë të rinj, të talentuar, të uritur e të gatshëm për fanelën kosovare.
Detyra e dytë i takon Kombëtares së Shqipërisë dhe ata duhet ta kryejnë atë sa më shpejt që është e mundshme. Sikur që dihet botërisht, kontributi i kosovarëve – i futbollistëve por, jo me më pak rëndësi, edhe i tifozëve – për Kombëtaren e Shqipërisë, është dhe ka qenë shumë i madh, ka qenë vendimtar, ka qenë jetik. Këtë mund ta dëshmojnë edhe gjenerata e Rudi Vatës e Altin Rraklit, bashkë me trajnerët dhe tifozët e asaj kohe, nëse ka pasur tifozë kuqezi në atë kohë. Mbasi është kështu, Kombëtarja e Shqipërisë duhet të pranojë Kombëtaren e Kosovës, pa asnjë rezervë, pa asnjë kusht, pa asnjë superioritet e paternalizëm të paqenë. Duhet t’i urojë me gjithë zemër dhe vendosmërisht suksese e mbarësi në arenën ku herët apo vonë, por sigurisht, do të takohen si rivalë.
Krejt kjo do të na sillte në një fazë të re, për Kombëtaren e Kosovës por edhe për Kombëtaren Kuqezi. Dhe, kur jemi te kuqezitë, Tifozët Kuqezi duhet të vazhdojnë të jenë tifozët e flaktë nga të gjitha anët e shqiptarisë që përkrahin me shpirt Kombëtaren e Shqipërisë. Edhe Kombëtarja e Kosovës do të ketë tifozërinë e vet të flaktë dhe tani për tani dihet se emri i tyre është “Dardanët”. Mirëpo, kur flasim për tifozët, kjo na dërgon deri te një detyrë tjetër dhe të veçantë, që duhet të trajtohet në lidhje me përkrahjen e Kombëtares së Kosovës në futboll. Mbasi po themi se krejt kjo puna e futbollit dhe e Kombëtares së Kosovës në futboll, duhet të trajtohet në mënyrë institucionale dhe me sistem, atëherë duhet të themi se edhe çështja e tifozëve, tifozërisë dhe grupeve të tifozëve duhet të trajtohet me seriozitet dhe vendosmëri. P.sh. për arsye të ditura publikisht, grupi i tifozëve “Plisat” nuk duhet të lejohet që si grup ta përkrahin Kombëtaren e Kosovës. Së paku, jo pa një kërkimfalje të sinqertë dhe, sidomos, publike.
Sepse, sikur thamë në fillim, futbolli nuk është vetëm një sport, futbolli nuk është vetëm futboll. Në rastin tonë, futbolli është çështje kombëtare dhe si e tillë, duhet të trajtohet.
Me dashuri, me krenari, me dedikim, me idealizëm, por edhe – dhe sidomos – me konsekuencë, me vendosmëri, me seriozitet, me sistem dhe në mënyrë institucionale, shtetërore e kombëtare.