Detaje të reja rreth sulmit në New Orleans ku mbetën të vdekur dhjetë persona
Një burrë i paidentifikuar arriti me veturë tek një grup i madh njerëzish në New Orleans, më pas doli nga automjeti dhe filloi të qëllonte me armë zjarri.
Kryebashkiaku i këtij qyteti në SHBA, LaToya Cantrell e quajti sulmin terrorist dhe deklaroi se hetimet janë ende duke u zhvilluar.
Është shprehur edhe guvernatori i shtetit federal të Luizianës, ku ndodhet New Orleans, Jeff Landry, i cili u ka kërkuar qytetarëve të mos dalin në vendngjarje.
“Një akt i tmerrshëm dhune ndodhi në rrugën Bourbon. Ne lutemi për të gjitha viktimat dhe të parët që përgjigjen”, tha Landry.
CNN publikoi gjithashtu disa deklarata të dëshmitarëve të këtij sulmi. Whit Davis, 22 vjeç, po largohej nga klubi i natës kur ndodhi sulmi.
“Të gjithë filluan të ziheshin dhe vrapuan përsëri në klub, ku qëndruam derisa na lanë. Kur dolëm na thirri policia për intervistim dhe rrugës pamë trupa të pajetë në rrugë dhe një numër të madh njerëzish duke marrë ndihmën e parë”, tha Davis.
Një tjetër dëshmitar, Kevin Garcia, tha se “një trup po fluturonte drejt tij” dhe se ai dëgjoi të shtëna armësh.
Vlen të theksohet se të paktën 10 persona mbetën të vrarë, përfshirë edhe sulmuesin. Më shumë se 30 persona u plagosën dhe ndodhen në pesë spitale të ndryshme në të gjithë New Orleans.
Në terren ndodhet edhe FBI-ja, ndërsa informacionet fillestare thonë se një numër i caktuar i mjeteve shpërthyese janë gjetur edhe në automjetin e drejtuar nga sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, edhe pse nuk dihen të dhëna të mëtejshme për këtë.
Gjithashtu u zbulua se dy oficerë policie u plagosën në të shtënat pasi sulmuesi drejtoi veturën drejt njerëzve në rrugën Bourbon, të cilët u dërguan në një spital aty pranë dhe janë në gjendje të qëndrueshme.