Dështon votimi i buxhetit, reagon Rama: PDK-ja e VV-ja po bojkotojnë vullnetin e qytetarëve
Gjatë mbledhjes të së mërkurës, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk arriti të miratojë buxhetin për vitin 2025, për shkak të mungesës së kuorumit. Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) braktisën seancën, duke e bërë të pamundur përfundimin e votimit të buxhetit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, reagoi në lidhje me këtë situatë, duke akuzuar LVV-në dhe PDK-në për bojkotimin e vullnetit të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Rama theksoi se buxheti për vitin 2025 ishte hartuar me profesionalizëm dhe në përputhje me nevojat e qytetarëve.
“Sot mbajtëm seancën për miratimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025. Buxheti nuk u miratua në mungesë të kuorumit për shkak të lëshimit të sallës nga asamblistët e PDK-së dhe më pas atyre të Vetëvendosjes. Buxheti i vitit 2025 është i hartuar me profesionalizëm dhe në bazë të nevojave e kërkesave të qytetarëve tanë.
Prandaj, lëshimi i sallës në seancën e buxhetit nga PDK dhe VV është bojkotim i vullnetit të qytetarëve. Përkundër përpjekjeve të njëpasnjëshme për bllokim të punëve të mira në Kryeqytet ne nuk do të ndalemi së punuari për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Rama në Facebook.