Dështon të mbahet seanca gjyqësore në Apel për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla
Në mungesë të kushteve ligjore, ka dështuar të mbahet të martën në Gjykatën e Apelit seanca gjyqësore për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, ngarkohen për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.
Tre të akuzuarit, më 7 dhjetor 2023 janë dënuar me nga 2 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, gjykatësi referues i kolegjit të Apelit, Vaton Durguti, tha se nuk ka kushte ligjore që kjo seancë të mbahet, për arsye se nuk ishte i kompletuar trupi gjykues, si dhe nuk ishte prezent mbrojtësi i të akuzuarit Okan Hasani, avokati Rrahim Ajeti.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm asnjëri nga të akuzuarit dhe as i dëmtuari Syla.
Në këto rrethana, seanca e sotme dështoi kurse e radhës pritet të mbahet me një datë tjetër.
Ndryshe, në aktgjykimin e plotë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar si fakt të pakontestuar se tre të akuzuarit për sulm ndaj Valon Sylës ishin të motivuar nga bindjet fetare për t’i shkaktuar atij lëndime. Po ashtu, gjykata ka ardhur në përfundim se sulmi ndaj Sylës ka pasur për qëllim të cenojë lirinë e shprehjes.
Aktakuza ndaj Lum Dërvishit, Kenan dhe Okan Hasanit ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin- gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.
Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.