Dështon përsëri fillimi i rigjykimit për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit

Dështon përsëri fillimi i rigjykimit për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit

Për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Durim Lushaj, avokatit Besnik Berisha, është shtyrë seanca e rigjykimit të martën në rastin ku Durim dhe Sali Lushaj ngarkohen për vrasjen e dyfishtë në Shaptej të Deçanit.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova tha se avokati Berisha kishte ngatërruar datën e seancës së sotme.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty.

Edhe seanca e 15 prillit 2024 kishte dështuar për shkak të mungesës së mbrojtëses së të akuzuarit Sali Lushaj, avokates Kosovare Kelmendi.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, herën e parë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 vite burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Kurse, në rigjykim, më 28 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë, Durim dhe Sali Lushajn i kishte dënuar me 43 vite burgim (së bashku). Kurse, Apeli përmes vendimit të 4 prillit 2023, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së pare.

Mirëpo, sipas kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të akuzuarve, avokatëve Besnik Berisha dhe Kosovare Kelmendi, Gjykata Supreme më 14 nëntor 2023, ka kthyer sërish rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta R.R. Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta R.R, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri.

Aktakuza thotë se me këto veprime, ata kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe G.R e M.R.

Që të dy, akuzohen nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: