Dështon kandidatura e Veton Surroit për Sekretar të Përgjithshëm në RCC – Kosova nuk merr asnjë votë, fiton kandidati i Bosnjës

Dështon kandidatura e Veton Surroit për Sekretar të Përgjithshëm në RCC – Kosova nuk merr asnjë votë, fiton kandidati i Bosnjës

Në mars të vitit 2024, Maqedonia e Veriut, si kryesuese e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), shpalli garën për pozicionin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2025-2027. Ky pozicion, që ka një mandat prej tre vitesh me mundësi për rinovim, është i rëndësishëm për zhvillimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Me përfundimin e mandatit të Majlinda Bregut në dhjetor 2024, filloi procesi për zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Pesë vende paraqitën kandidatët e tyre për këtë pozicion të rëndësishëm: Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Kosova, e përfaqësuar nga Veton Surroi, u angazhua në këtë garë diplomatike me shpresën për të forcuar pozitën e saj rajonale dhe për të përfaqësuar interesat e vendit. Megjithatë, realiteti i votimeve tregoi sfidat që përballonte Kosova në këtë proces.

Në raundet e votimit indikativ, kandidati nga Bosnje-Hercegovina, Amer Kapetanoviç, udhëhoqi me mbështetje nga shumica e 13 vendeve anëtare të Evropës Juglindore, i ndjekur nga kandidatët e Malit të Zi dhe Sllovenisë.

Veton Surroi, kandidati i Kosovës, mori vetëm votën e Kosovës, duke shfaqur qartë izolimin diplomatik që Kosova vazhdon të përjetojë në rajon.

Në përpjekje për të arritur një konsensus, vendet filluan të tërheqin kandidatët e tyre, për t’i dhënë mundësinë Kapetanoviç të fitonte me shumicë votash. Në fund, edhe Kosova u tërhoq, duke ofruar mbështetjen e saj për kandidatin e Bosnje-Hercegovinës. Në samitin përmbyllës të SEECP, i mbajtur në qershor të vitit 2024 në Shkup, Bosnje-Hercegovina konfirmoi kandidaturën e Kapetanoviç si Sekretar i Përgjithshëm i ardhshëm i RCC.

Një nga sfidat më të mëdha të Kosovës në këtë proces lidhet me marrëdhëniet e saj komplekse me Bosnje-Hercegovinën. Marrëveshjet e arritura në Samitin e Berlinit të vitit 2022, të cilat përfshinin lëvizjen e lirë me karta identiteti në gjithë rajonin, u mirëpritën si një hap drejt integrimit të mëtejshëm të Ballkanit. Megjithatë, marrëveshja për heqjen e vizave mes Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës mbetet e papërmbushur, kryesisht për shkak të retorikës së acaruar mes Albin Kurtit dhe Milorad Dodikut.

Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë, të udhëhequra nga Majlinda Bregu, për të inicuar dhe negociuar këto marrëveshje, tensionet politike penguan zbatimin e tyre.

Në këtë kontekst, izolimi diplomatik i Kosovës bëhet edhe më i dukshëm. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë të pranishëm as në konferencat rajonale që organizohen në Prishtinë, edhe kur këto aktivitete janë financuar partnerët e Kosovës.

Ky dështim në garën për Sekretarin e Përgjithshëm të RCC nuk është thjesht një humbje për Veton Surroin, por një reflektim i sfidave më të mëdha me të cilat përballet Kosova në skenën rajonale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com/

Shpërndaje në: