Dëshmitari Elmi Xhylani thotë se i akuzuari për krime lufte e rrahu në Prishtinë

Dëshmitari Elmi Xhylani thotë se i akuzuari për krime lufte e rrahu në Prishtinë

Dëshmitari Elmi Xhylani ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se akuzuari për krime lufte, Dragisha Milenkoviq e ka rrahur në Burgun e Prishtinës gjatë luftës.

“Sa herë ka ardhë ky, m’ka rreh edhe m’ka thanë ki me pa kush është Dragisha…Ky m’ka rrehë mu sa herë ka qillu n’ndrrim mas forti”, tha Xhylani.

Ai tha i pandehuri e ka keqtrajtuar në kohën sa ishte në Prishtinë, por jo në Lipjan.

“Në Lipjan jo…Për Prishtinë jam i qind për qind, betohem”, u shpreh Xhylani.

Dëshmitari tha se e ka parë të pandehurin duke e rrahur edhe një të burgosur tjetër.

“Ni her e kom zatetë n’kordidor ni t’burgosun tu e rreh”, u shpreh Xhylani.

Dëshminë e ka përmbyllur Ekrem Kastrati që është njëherësh edhe kryetar i Komunës së Malishevës. Kastrati tha se ka dëgjuar nga Agron Ramadani dhe Besim Rama.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale vitin e kaluar, thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe atij të Lipjanit, Lubomir Çimburoviq, drejtor i Burgut të Prishtinës, si dhe zyrtarët korrektues, Predrag Bradiq e Milivoje Iviq, kanë keqtrajtuar të burgosur shqiptarë nga 24 maji deri më 10 qershor 1999.

Shpërndaje në: