Dëshmitari Çadraku flet për katër të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së

Dëshmitari Çadraku flet për katër të akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së

Dëshmitari Halil Çadraku gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të hënën ka folur për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë katër të akuzuarit, e po ashtu për Sokol Bashotën.

Për Jakup Krasniqin, dëshmitari tha se ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe një gjë të tillë e kishte kuptuar përmes medieve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas njohurive të mia, nga qershori i vitit 1998, Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Unë mendoj që ka qenë një publikim në media, ose përmes gazetës ose televizor që Jakup Kraniqi është përzgjedhur si zëdhënës i UÇK-së. Data e saktë nuk më kujtohet e as mënyra e saktë nuk më kujtohet”, tha Çadraku.

Ai tha se Sokol Bashotën nuk e kishte njohur gjatë luftës dhe se pas saj e kishte kuptuar që ai ishte pjesë përbërëse e Shtabit të Përgjithshëm.

“Unë, Sokol Bashotën nuk e kam njohur gjatë luftës. Atë që kam dëgjuar pas luftës ka qenë se ai ka qenë një pjesë përbërëse e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, këtë po e them jo nga njohuritë e mia gjatë luftës me shokët e mi, por e kam mësuar pas luftës”, tha Çadraku.

Gjithashtu, dëshmitari u pyet se a e dinte se çfarë nofke kishte Sokol Bashota gjatë kohës së luftës.

“Tani jam në dijeni që ai më duket e ka pasur nofkën njëmbëdhjetëshi (11)”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari theksoi se gjatë kalimeve në Shqipëri ka mundur që të takojë Thaçin, por që nuk e ka njohur në atë kohë e as funksionin e tij brenda UÇK-së.

“Mund ta kem takuar Thaçin pa e ditur dhe pa e njohur se kush është dhe çfarë është brenda UÇK-së”, shtoi ai.

Ai gjithashtu shpjegoi mënyrën se si e kishte takuar Thaçin, duke treguar se në këtë udhëtim të përbashkët ky i fundit e kishte lënduar këmbën.

“Po, mendoj që ju kam takuar një insert të një udhëtimi që ka qenë data 30 maji i vitit 1998, datë kjo kur kjo në Kosovë nga Shqipëria kanë hyrë shtatë eprorët profesionistë të ish-armatës Jugosllave. Më kujtohet që në atë udhëtim, njëri nga bashkëluftëtarët ka pas nevojë për ndihmë se e vrau këmbën dhe e kemi ndihmuar duke ia marrë ato armatime nga krahu dhe më vonë, nuk e di kur, e kam kuptuar që ka qenë Hashim Thaçi. Në atë udhëtim, iu kam treguar se ka qenë edhe Adem Grabovci. Atë e njihja edhe nga viti ’90-të. Kanë qenë më duket edhe Kadri Veseli edhe këta, por që është ai person Hashim Thaçi, e kam mësuar më vonë”, tha Çadraku.

Dëshmitari gjithashtu kishte thënë që “dhjetëshi” për të cilin kishte mësuar më vonë që ishte Rexhep Selimi, i kishte thënë atij që të shkonte në Rahovec që të takohej me Mensur Zymberin që njihej si 500-shi.

Ai shtoi se nuk e dinte nëse Mensur Zyberi e njihte Thaçin në atë kohë, pasi që asnjërin nga këta të dy nuk i njihte.

Megjithatë, dëshmitari tha se flitej që këta dy persona janë njohur pasi që kanë qenë së bashku në studime.

“Mendoj se është e njëjta gjë si me Hashim Thaçin, si me Kadri Veselin në raport me Mensur Zymberin. Mendoj se kanë qenë në një gjeneratë dhe organizimi ka shkuar në bazë të besueshmërive dhe kjo të lë të kuptoj që ata i kanë besuar Mensurit në bazë të njohurive që kishin”, tha Çadraku.

Dëshmitari tha se Rexhep Selimin e kishte takuar edhe në dy raste, duke hyrë nga Shqipëria.

“Mua më duket se e kam takuar Rexhep Selimin në nja dy raste duke hyrë nga Shqipëria. Unë iu kam thënë se Kosovë-Shqipëri kam udhëtuar mbi 35-6 herë në orientimin e grupeve për armatosje dhe njëherë e mbaj mend që ishte qershori apo korriku dhe jemi nisur nga Shqipëria, përkatësisht nga Dobruna me një grup jo shumë të madh por në atë grup e mbaj mend që ka qenë Rexhep Selimi edhe Xheladin Gashi-Plaku, i cili gjatë rrugëtimit është lodhur dhe pati nevojë për ndalim. Po, e mbaj mend që jemi takuar edhe gjatë rrugëtimeve Shqipëri-Kosovë, një apo dy apo më shumë raste”, tha Çadraku.

Shpërndaje në: