Dërguti, Molliqaj e Ymeri rrezikojnë të mbesin askund

Dërguti, Molliqaj e Ymeri rrezikojnë të mbesin askund

 

Nëse ka pasur diç që e karakterizon skenën politike kosovare që prej nisjes ç’nyjtimit të LDK-së dhe tabanit të saj social diku më se një dekadë më parë, ka qenë njëfarë fërkimi i vazhdueshëm – gjithsesi me jo pak tension –  i partive politike për të pasur referencë shoqërore. Kjo meqë honi mes sociales e politikës në vend para së gjithash u diktua nga vetë zhgënjimi i pasluftës: ekzistonte gjithmonë një strukturë sociale që veten e shihte të papërfaqësuar politikisht, dhe së këndejmi, s’votonte. Dhe kjo s’ishte strukturë e paktë. Fill pas trazirave të marsit 2004, që sot mbushin 14 vite, lufta për referencën në fjalë, pra për mbushjen e honit të zbrazët pushtet-njeri mesatar, nisi të mbushet nga PDK, megjithëse në një verzion paradoksal: ardhje e diktuar njëkohësisht me largim.

PDK u rrit pikërisht duke  u larguar  nga referenca e saj historike (e majta e një verzioni të pazhvilluar, natyra militare, diskursi epik-nacionalist etj), apo më mirë thënë duke e zbehur në masë të madhe atë (meqë tashmë si duhej si qëllim por mjet). PDK iu hap pasurimit që për mbështjellë kishte privatizimin, panoi ligjërimin intervencionist dhe kurorëzimin me ndërkombëtare, u kthye në njëfarë skute përthithëse për soj e sorrollop, dhe krejt në fund u koalicionua me LDK-në.  E nga vdekja e Ibrahim Rugovës ishte nxjerrur përfundimisht edhe një mësim i mirë: kulti i individit, që gjuha e kapitalizmit më vonë ia shtoi edhe  mëlmesën “PR” luante shumë rol në mjedisin provincial kosovar/shqiptar.

Gjuha e saj ndërroi. Idealizmi po bjerrte në pragmatizëm të kuteve alla shqiptarçe. Bëri martesë me botën e biznesit. Një martesë e çuditshme e asaj që as ekonomi-politikë s’mund të quhet (kjo meqë toka që akoma e gjejmë ndër lëndë të Azem Sylës s’parakupton as subjekt as kohësi si kushte të ekonomisë moderne), por trashëgimi e hapësirë si fakticitete pronësore pre-moderne –  u kthyen në eko-nomian (kuptimi origjinar/antik i ekonomia-as është “zotështëpi””) e Kosovës së pavarur.  Për rrjedhojë, familja, klani e jo etika e punës (në kuptimin weberian të fjalës), mori bajrakun e ekonomi-politikës vendore.

Shumë media iu shitën PDK-së  si me magnet. Krejt kjo ngjitje në skenë, maskohej me një fjalor politik superstrukturash si “shtetndërtimi”, “qeveria”, “integrimet” etj., teksa infrastruktura nga kuptimi i saj politik e social nisi të davarisë në natyrë investimesh ministrore (asfallti, “Rruga e kombit” etj.) që qendra ia çon periferisë tek dera.  Këto e shumë kolorite tjera nisën ta karakterizonin proliferimin e ri e kësaj partie. E megjithatë referencia sociale e PDK-së ngelej akoma e fortë, meqë në një masë vetë tabani social e ushqente këtë rrumpallë të qendrës. Lushtaku e Veseli në Skënderaj tajonin energji të njejta me Thaçin në Prishtinë, së bashku edhe me rrumpallën sociale-demografike të pasluftës: migrimin e vazhdueshëm fshat-qytet.

Më 2004 qe krijuar  ORA e Veton Surroit. I kthyer nga ish-jugosllav anti-Republikë në një kohabitues të aty-këtushëm me strukturën e UÇK-së në prag- luftë; në partizan liberal të terrenit të brendshëm paslufte, por që në planin e jashtëm fotografohej me një neokons si Bush korridoreve të samitit të NATO-s, Surroi kishte arritur të përthith njerëz nga provinienca me tendencë qytetare, identiteti i të cilëve përgjatë 3 dekadave të fundit qe kontruktuar negativisht: sub-urbanë që në rastin më optimal donin shmangie të paktën mendësore nga fshatarësia në ardhje. Të paktën nga ajo e që shihnin si fshatarësi e rëndë dhe injorante (mjafton të hapësh një libër të Surroit e të shihësh gjuhë fyese ndaj rajoneve të tëra të Kosovës). Pas një palë zgjedhjeve, referenca sociale e kësaj partie – megjithëse iu vodhën vota në zgjedhjet e 2007-tës – u pa se mungonte. Surroi pa vetën në vegimin e 10 viteve më parë: rigjeti veten në zyret e Grupit KOHA.

As AKR s’kishte ndonjë referencë sociale. Madje ndaj Pacollit ekzistonin jo pak përshtypje si prorus, dhe kohabitues me Millosheviqin. Porse bumi i AKR-së në zgjedhjet e 2007-tës rezultoi më shumti nga njëfarë besimi miop i mesatarit mediokër kosovar se Pacolli do e rimëkëmb vendin ekonomikisht, përmes punësimeve masive. E kur mbërrijti 2010-ta, FER do të dilte si njëfarë rikompozimi i brezit të ri, kapitali kulturor i të cilëve reflektonte të ishte më shumë anglofil e amerikanofil se sa vendor, meqë po sikurse tek shembulli i ORA-s identiteti i tyre ndër vite ishte konstruktuar në negacion dhe me negacion (me të drejtë a pa të drejtë kjo është çështje tjetër).

Në njëfarë forme FER-i ishte një ORA e re, siç është në krahun tjetër edhe Alternativa. U mor vesh ekonomi-politika e vendit tashmë ishte e kapur nga klani. E nga fakti se s’ishte në dorën e tyre, gjithë çfarë u ngelte ishte arma e thirrjes në shkollimin jashtë, që me demek pritej të sillte Frymë te Re. Mirë e vërejtur: shqiptari mesatar i Kosovës që ka shijuar Universitet së pari më 1970, mashtrohet në një mase edhe sot pas kësaj fabule. Me fjalë tjera, FER  para se të ishin shqiptarë deklarativisht, ishin jo-shqiptarë kulturalisht që kërkonin grupimin e rinisë kosovare nën bajrakun neoliberal.

Por kur ndodhi që s’kaluan pragun panë veten në boshllëk. ORA më s’kishte, kurse LDK sado që kishte referencë sociale (më shumë të shpërndarë se sa të përqëndruar) dominohej nga një moshë mesatare me të cilën FER s’do të mund të gjente gjuhë të përbashkë. Ndaj që kooptimi me vetëdëshirë në VV, u pa si një zgjidhje në rastin më të mirë afatmesme. Jo që VV qëndronte diç më mirë me indet e saj shoqërore. Përkundrazi. Porse: 1) bashkimi i dy forcave që shenjonin gjeneratën në ardhje post 1975 – , 2) mundësia për dominimin e virtualitetit (në formën e luftimit të mediave të pushtetit), 3) rritja e natyrshme e përkrahjes që erdhi pas prishjes së VLAN-it, baraz me 4) zhgënjmin e madh që sollën ikjet jashtë vendit të fund 2014-tës etj., ishin njëfarë shtofi jo pak i levërdishëm, që përçonte kah rritja. Kjo martesë mes votës deri diku idealiste me atë fluturake,  VV-së më në fund i buzeqeshi në qershorin e vitit të kaluar, ushqyer edhe nga tri vite opozitarizmi kundër Demarkacionit e Asociacionit. Për të pëlcitur muaj më parë si një artificie e fryrë.

Por përderisa VV-ja strumbullare, përkundër deficitarizmit në relatat e saj me indet shoqërore, me kohë ka kapitalizuar shumë nga energjitë dhe vitaliteti i atij idealizmi edhe ashtu të vagët i këtij vendi  (e që nuk dihet saktë në e forcon apo e dobëson këtë vitalitet  pjesa e ilegales LPK-iste që gjithnjë e më shumë po gjen strehë brenda VV-së), pjesa që tashmë po deklarohet si e pavarur në Kuvend nuk  e ka as këtë.  Kjo shihej fare lehtë qysh më herët: kur Shpend Ahmeti fliste për flamur kombëtar në rastin më të mirë shihej si burim simpatik komediciteti. E shterrimi edhe nga ky vitalizëm i deridjeshëm politik, pos që i lë të pavarurit në boshllëk të madh (shkulja pothuajse totale nga referenca sociale, mospasimi nga të rinjtë dhe nga bizneset, pavarësisht përflitjeve për afilim me Devollin,  humbja e luftës mediale) rrezikon përçarjen edhe më të madhe: atë mes vete. VV strumbullare në këtë aspekt, është dëmtuar vetëm kur lexohet si subjekt që tashmë e ka humbur votën fluturake  që kishte nga elektorati i FER-it/12 deputetë. Por jo edhe si ide, meqë VV sado kudo ka një elektorat besnik.

Të pavarurit ndërkaq janë fitues jo pse kanë trandur forcën parlamentare të ish subjektit të tyre, por pse në fakt me gjestin e tyre kanë siguruar fuqi parlamentare ngjashëm si AKR-ja ministritë e si Alternativa ulëset në Kuvend. Kjo meqë  edhe të pavarurit, njejtë si AKR e Alternativa del se kanë ndjekur rrugë të ngjashme kah pushteti: atë të shkurtë. Me gjasë krejt kjo diktuar goxha edhe nga fryma e ngutisë që krijoi krjimi i PAN-it.

 Me një dallim krucial: këtu tre individët më të përfolur pas ndarjes, Dërguti, Molliqaj e Ymeri, dalin tre figurat më të pervertuara nga situimi: as nacionalistë as ish nacionalistë, as të majtë, as të djathtë as socialdemokratë, as idealistë as dorëheqes nga idealizmi i deridjeshëm, as eurofil, as euroskeptikë, me referencë elektorale as provincë as kryeqendër, situatë kjo që ua bën me jo pak sfida mjedisin mes Shpend Ahmetit e Dardan Sejdiut pasplani politik i të cilëve, e dosido edhe rrugëtimi, është shumë më i qartë.

 

Shpërndaje në: