Dërgohen për identifikim mbetjet mortore që u gjetën në Podujevë, dyshohet se janë të një personi të zhdukur nga lufta e fundit
Në një lokacion në Komunën e Podujevës, dje janë hasur gjetje eshtërore që besohet janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit.
Këto gjetje janë tërhequr nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për obduksion dhe identifikim.
“KRIME LUFTE KUNDËR POPULLATËS CIVILE – Podujevë Viti 1999. Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, kanë realizuar urdhëresën për ekshumim në një lokacion në komunën e Podujevës, ku janë hasur gjetje eshtërore që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit. Gjetjet eshtërore janë tërhequr nga zyrtarët e IML-së dhe janë dërguar për obduksion dhe identifikim”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se mbetjet dyshohet të jenë të një individi nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit.
“Sot, në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, ekipet mjeko ligjore nga IML, me mbështetje nga EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KQPZH, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të një individi që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë”, shkroi Haxhiu.
Për gjetjen e këtyre mbetjeve mortore ka njoftuar edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Edhe gjatë kësaj jave kanë vazhduar gërmimet sipas planifikimeve paraprake dhe në bashkërendim të aktiviteteve ndërinstitucionale, mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës. Gërmimet vlerësuese të filluara dje në lokacionin në varrezat e qytetit të Podujevës (‘te Tjegullorja’), kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të një individi /personi , që mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.
Të dhënat mbi numrin e saktë të individëve të zhvarrosur dhe identitetin e tyre do të saktësohen pasi të përfundojnë ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore , përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, thuhet në njoftim.