Deputeti ukrainas: Nuk do të bëhemi kurban të marrëveshjeve të fshehta

Deputeti ukrainas: Nuk do të bëhemi kurban të marrëveshjeve të fshehta

Duke folur ekskluzivisht për Euronews Albania, në emisionin Balkan Talks, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko komentoi telefonatën mes Vladimir Putin dhe Donald Trump lidhur me bisedimet për paqen mbi luftën Rusi-Ukrainë.

Ai theksoi se Ukraina nuk mund të bëhet “kurban” i negociatave të fuqive të mëdha dhe paralajmëroi për mungesën e interesit të administratës së re amerikane ndaj Evropës.

Megjithatë Goncharenko shprehu bindjen se pavarësisht të gjithave dhe si do të shkojnë situatat në vazhdim sipas tij Rusia herët a vonë do të “shembet”.

“Nuk ishin marinsat amerikanë ata që u përballën me Rusinë tre vjet më parë. Nuk ishin ata që erdhën këtu, por ukrainasit. Askush nuk do të vendosë në emrin tonë. Ne jemi ukrainas dhe e kuptojmë që nuk mund të varemi tërësisht nga negociatat. Nga ana tjetër, nuk mund të jemi dash për kurban në marrëveshjet e dikujt tjetër,” deklaroi ai.

Goncharenko theksoi gjithashtu që Putin nuk dëshiron që lufta të ndalet dhe vazhdon të jetë i bindur se Ukraina nuk ka forcë rezistence.

“Nuk mund të shpjegoj dot asgjë për Putin, por ai dëshiron që lufta të vazhdojë. Ai nuk beson te rezistenca e Ukrainës dhe mendon se ekziston dikush i madh në botë që mund të vendosë për gjithçka. Pyetja që shtrohet është: A mund të jetojmë ne në një botë të tillë?”

Lidhur me politikën e jashtme të administratës së re amerikane, ai shprehu shqetësim mbi qasjen ndaj Evropës:

“Ndjenjat janë të përziera. Është e vështirë të thuhet se çfarë synon administrata e re amerikane, por duket se nuk është shumë e interesuar për Evropën. Kjo përmban një kërcënim, një sfidë dhe një problem. Ukraina ka rëndësinë e saj, dhe ne kemi nevojë për SHBA-të, ashtu siç edhe SHBA ka nevojë për Evropën nëse dëshiron të mbetet në krye të politikës botërore.”

Sa i përket territoreve të pushtuara nga Rusia, deputeti ukrainas beson se ato nuk do të jenë kurrë pjesë e Rusisë në sytë e popullsisë vendase.

“Territoret e pushtuara do të vazhdojnë të mbeten nën kontrollin rus, por popullsia nuk do ta pranojë kurrë që të jetë ruse. Herë a vonë, perandoria ruse do të shembet, siç ka ndodhur 100 vjet më parë dhe 30 vjet më parë me Bashkimin Sovjetik.”

Për sa i përket rëndësisë së NATO-s, Goncharenko vuri theksin tek nevoja për një ushtri të bashkuar evropiane dhe fuqizimin e mbrojtjes së Ukrainës.

“Evropa nuk mund të bëhet lojtar i fortë pa një ushtri të fuqishme. Ushtritë e ndara nuk mund të krahasohen me ato amerikane, ruse apo kineze. Por nëse Evropa do, mund të krijojë ushtrinë më të fuqishme në botë, duke bashkuar teknologjinë me kurajon e ushtarëve ukrainas.”

Ai gjithashtu komentoi mbi mundësinë e anëtaresimit të Ukrainës në NATO, duke theksuar:

“Ka zërë që tregojnë se aktualisht SHBA nuk e dëshiron Ukrainën në NATO. Por unë besoj se anëtaresimi i Ukrainës do të ishte një hap pozitiv. Po të isha një nga liderët e NATO-s, do të dëshiroja shumë që forcat e armatosura të Ukrainës të ishin pjesë e aleancës dhe jo jashtë saj.”

Shpërndaje në: