Deputeti Shabani thotë se e njeh të akuzuarin për krime lufte nga Burgu i Prishtinës
Deputeti i Kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani ka dëshmuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin ku Dragisha Milenkoviq akuzohet për krime lufte.
Ai ka thënë se e njeh shumë mirë të akuzuarin.
“E njoh shumë mirë…Kam pasur rastin (ta shoh) gjatë qëndrimit në burgun e Prishtinës, që atëherë emrin nuk ja kom ditë, po nga kolegët që e thirrshin në korridor e kam mësuar që emrin e kishte Dragisha”, ka deklaruar Shabani.
Në pyetjen se a e ka keqtrajtuar, ai ka deklaruar se ka i akuzuari ka marrë pjesë në keqtrajtim psikik kur të burgosurit nuk lejoheshin të flinin.
“Sa i përket presionit psikik po. Kur qëndronim tërë natën po … Na bërtisnin, na kërcënonin”, është shprehur ai.
Tha po ashtu se të akuzuarin e kujton si gardian edhe sa ishte në burgun e Lipjanit.
“E kujtoj këtë person edhe në burgun e Lipjanit. Aty kemi pa shumë gardian, edhe ky… nuk ka person që ka qenë prezent që nuk ka sjellë aty në kordon”, ka deklaruar Shabani.
Dëshmitari Shabani ka thënë gjithashtu se dyshon se ai ka qenë në kordonin e gardianëve, policëve e civilëve që i rrahën të burgosurit të cilët po trasferoheshin prej autobusit në burgun e Lipjanit.
Shabani ka shtuar se ndonëse nuk është qind për qind i sigurt, mendon se i akuzuari e ka rrahur një herë bashkë me një gardian tjetër që e quanin Bradiq.
“Një herë më duket, por nuk po them me saktësi, që ka marrë pjesë në rrahjen time me Bradiqin”, ka thënë ai.
Emrin e të pandehurit dëshmitari ka thënë se ia kanë përmendur si gardian që i ka rrahur të burgosurit si Agron Ramadani, Besim Rama dhe të tjerë. /koha.net/