Deputeti gjerman: Kosova po trajtohet padrejtësisht për anëtarësim në KiE
Gjatës së enjtes në Bundestagun gjerman u diskutua mes tjerash edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, para deputetëve e bëri të qartë se Gjermania e mbështet fuqishëm Kosovën në këtë proces.
“Jam mirënjohëse për punën intensive të deputetëve gjerman. U bëj thirrje të gjithë të përfshirëve dhe Kosovës të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të arritur shumicën e nevojshme për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha diplomatja gjermane.
Edhe më i zjarrtë për këtë çështje ishte deputeti gjerman nga radhët e CDU-s, Knut Abraham.
Ai i bëri thirrje qeverisë gjermane që të marrë një vendim përfundimtar në favor të Kosovës.
Sipas Abraham edhe nëse Kosova nuk futet nesër në agjendë, Komiteti i Ministrave duhet të mblidhet sërish gjatë muajit qershor për ta shtyrë përpara këtë proces.
“Është progres që Qeveria e Kosovës do të dorëzojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj. Iniciativa e Kosovës duhet të vlerësohet sepse për ta bërë këtë gjë duhet të kesh vullnet dhe vizion politik. Tani situata mbetet e paqartë për ditën e nesërme, megjithatë edhe nëse Kosova nuk përfshihet në agjendë, atëherë në një të ardhme shumë të afërt duhet të mblidhet Komiteti i Ministrave sërish për ta shtyre përpara këtë proces. Më së largu në muajin qershor duhet të ketë një takim për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.
Tutje politikani gjerman konsideron se Kosova po trajtohet padrejtësisht për shkak se siç thotë ai Asociacioni nuk ishte asnjëherë kriter për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Për mendimin tim është e padrejtë që Kosovës në këtë fazë iu kërkua Asociacioni si kusht shtesë për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Asambleja Parlamentare e ka bërë shumë të qartë se Kosova i plotësuar të gjitha kushtet për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Me të vërtetë është për të ardhur keq se si është duke u trajtuar Kosova. Tani kemi një moment historik para vetes për ta mbështetur Kosovën dhe ne duhet ta bëjmë këtë gjë”, tha ai për tëvë 1.
Gjatë ditës, Ambasada Gjermane në Prishtinë i tha televizionit se Kosova ishte dashur ta dërgojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese para takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.