Deputetët e opozitës ia mësyjnë RTK-së, nuk u lejohet hyrja
Deputetët e partive opozitare në Kosovës ia kanë mësyrë objektit të Radio Televizionit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie që seanca e sotme e Kuvendit nuk u transmetua drejtpërdrejtë në kanalin qendror.
Deputetët gjatë seancës kishin paralajmëruar se do të shkonin në RTK e do t’i dërgonin transkriptet e fjalimeve të tyre. Por, atyre nuk u është lejuar hyrja në objekt.
Në prononcim për media para objektit të RTK-së, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe bordit që të japin dorëheqje.
“Tashmë aty ku ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Para një periudhe disamujore u përballëm edhe me cenim të jetës së disa gazetarëve nga dy mediume shumë të respektuara në vendin tonë. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë. E zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo. Pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë. Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK mundem me mbyllë derën, edhe pak, por jo edhe gjatë. Sot çdo qytetar i vendit tonë e sheh abuzimin e tyre, e ndien abuzimin e tyre”, tha Tahiri. “I bëjë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të bordit të japin dorëheqje nga këto pozita. Ata s’mund të jenë drejtues të RTK-së. S’mund të udhëheqin me RTK-në, e mbysin fjalën e lirë, e mbysin zërin opozitar”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se 9 shkurti si data e zgjedhjeve është e largët “kur Qeveria do ta marrë çmimin për ata që ia kanë bërë qytetarit”.
Ai ka thënë para dyerve të RTK-së se kjo situatë duhet të ndalohet pasi demokracia s’mund të mbytet.
“Nëse dikush logjikon të udhëheqë nga parapolitika, kjo i takon regjimit serb…Ky është reagim publik mbi atë që të mbrohen vlerat dhe i bëjmë thirrje atyre me mendje të shëndoshë që kjo mënyrë duhet të ndërpritet. 9 shkurt i largët kur do ta marrin çmimin për atë që ia kanë bërë qytetarit”, ka thënë Zemaj./Koha