Dënohet KB Peja, shkak tifozët
Komisioni i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur që ta gjobisë përsëri KB Pejën.
Lideri dhe skuadra e pamposhtur në Superligën e Kosovës në basketboll, Peja është gjobitur sërish nga KG i FBK-së për shkak të shkeljes së rregullit për sjellje të tifozëve.
Për shkak të rrezikimit të fushës së lojës, Peja është gjobitur me 200 euro sipas Nenit 49 të rregullores së Komisionit të Garave.
“Sjellja e shikuesve: 9 sekonda pa përfunduar loja, shikuesit e KB Peja kanë ndezur fishekzjarrë. KB Peja dënohet me 200 Euro, konform nenit 49.10 të PG”, shkruante në komunikatën e Komisionit të Garave.
Nën drejtimin e trajnerit turk, Can Sevim, KB Peja është e pamposhtur në Superligën e Kosovës në basketboll, duke e nisur këtë edicion me një bilanc 8-0, respektivisht tetë fitore dhe asnjë humbje.