Dënimi i Pjetër Shalës nga Specialja pritet me shumë reagime në Kosovë: Gjykatë politike, baltosja ndryshe s’është
Me 18 vjet burg e dënoi Gjykata Speciale ish-eprorin e UÇK-së, Pjetër Shalën, nën akuzat për krime të luftës.
Shala u dënua për tri vepra penale: ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
“Z.Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burg për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burg për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burg”, tha kryetarja e trupit gjykues në Hagë.
Me këtë vendim, numri arriti në gati 50 vjet burg për ish-ushtarët e UÇK-së që u dënuan nga Gjykata Speciale.
Kjo përfshirë dënimin e Salih Mustafës e të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Ky dënim ka sjellur reagime të mëdha në Kosovë. I pari që reagoi ishte kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Ky i fundit Specialen e quajti gjykatë politike.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar kundër pushtuesit serb dhe për lirinë e popullit. Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli. Ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”, ka shkruar Klinaku.
Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Sellimit, ka reaguar ndaj vendimit të Speciales për ish-eprorin e UÇK-së, Pjetër Shala.
Ajo ka vlerësuar se pretendimi i Gjykatës Speciale se UÇK-ja është “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, është e pa falshme dhe denigruese për popullin e Kosovës.
Sipas deputetes së VV-së, UÇK-ja nga askush nuk mund t’i vihet emër tjetër, përveç atij që i dha populli i Kosovës.
“Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës asnjeherë dhe nga askush nuk mund t’i vihet emër tjeter përveç atij që i dha populli i Kosovës. Pretendimi i Gjykatës Speciale se UÇK-ja është “ndërmarje e përbashkët kriminale”, është e pa falshme dhe denigruese për pupullin e Kosovës. Kjo e dëshmon se kjo gjykatë është politike dhe kundër vlerave tona njerëzore dhe demokratike. Qëndro i fortë Pjetër Shala!”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi Pjetër Shalën me 18 vite burg.
Ajo këtë e cilësoi si drejtësi e të fortit. Ndërsa tutje Musliu thekson edhe votën e saj në Kuvend ku votoi kundër Gjykatës Speciale.
Musliu theksoi se fryma e lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të zbehet.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala me 18 vite burg.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se besimi po kthehet në dëshprim.
“E dhimbshme, besimi ynë në drejtësi, po kthehet në dëshpërim…pas Calit edhe Pjetër Shalës i shqiptohet dënim i pabesueshëm.
Lufta jonë e drejtë çlirimtare kurrë nuk mund të barazohet me luftën gjenocidale të Serbisë!” – ka shkruar Lladrovci.
Edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas dënimit të ish-komandatit të UÇK-së, Pjetër Shala me 18 vjet burgim, duke thënë se Gjykata Speciale ka për qëllim baltosjen e luftës.
Ai ka thënë se heshtja është miratim i punës së Gjykatës Speciale.
“Pjetër Shala sot u denua me 18 vjet burg dhe bashkë me denimin e Salih Mustafës, tashmë UÇK nën akuzën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale i bartë 4 dekada burg. Baltosja ndryshe s’është dhe heshtja jonë është miratim!” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke reaguar për dënimin e ish-komandatit të UÇK-së, Pjetër Shala nga Gjykata Speciale, ka thënë se luftën e UÇK-së askush nuk mund ta ndryshojë dhe rishkruajë.
Krasniqi ka thënë se janë të indinjuar me verditiktin, por besojnë në drejtësi dhe besojnë se ajo do të triumfojë.
“Ndonëse të indinjuar me këtë verdikt, drejtësisë i kemi besuar gjithmonë, andaj besojmë edhe sot se drejtësia dhe e vërteta, do të triumfojnë herët a vonë.” – ka shkruar ai në Facebook.
Gazetari Valon Syla pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala me 18 vite burg, shkrimin e tij e ka nisur me fjalët “shtrejtë po na kushton Kosova”.
Gazetari tutje ka përmendur krimet e Serbisë e Slobodan Millosheviq në Kosovë.
“Dikush duhet dhe do të jap përgjegjësi për mirëvajtjen e këtij tribunali” kishte deklaruar Kadri Veseli, i indinjuar me qasjen udbashe të prokurorisë speciale… e cila as aktakuzat si ka mbyllur plotësisht qe 4 vjet, e që i mban të mëdhejtë e UCKs peng në Hagë, e që gjykohen nga deshmitarë qe ishin pjesë e regjimit serb e jugosllav.” – ka thënë tutje ai.
Tutje, Syla është shprehur:
“Sa shtrejtë po na kushton Kosova. Politikanët që janë këtu le ta kuotojnë më seriozisht këtë e le ta ruajnë mirë, se çka po banë kjo tokë Kosove, njeriu smund e banë më”.
Kryeprokurorja e Speciales, Kimberi West, ka reaguar pas dënimit të Pjetër Shalës me 18 vjet burg.
Ajo ka thënë se ky është një hap për sundimin e ligjit.
“Arritja e vënies para përgjegjësisë për krime të rënda – përfshirë edhe kundër atyre personave si z. Shala që kishin shmangur më parë për disa vjet juridiksionin e gjykatave të Kosovës – është një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit,” tha Uest në një reagim pas shpalljes fajtor nga Trupi Gjykues.
“Dita e sotme është gjithashtu një ditë kur ne kujtojmë dhe përulemi para viktimave të krimeve të z. Shala, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe atyre familjeve që kanë pritur për një çerek shekulli që i Akuzuari të vihet para përgjegjësisë,” vazhdoi Prokurorja e Specializuar.