Demokratët procedurë për shkarkimin e Trump: Spastrimi etnik në Gaza s’është shaka
“Lëvizja për të fajësuar dhe shkarkuar presidentin ka filluar!”- Kjo ishte deklarata e fortë e bërë nga politikani demokrat Al Green në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, teksa akuzoi Donald Trump se po mbron spastrimin etnik në Gaza.
“Spastrimi etnik në Gaza nuk është shaka, veçanërisht kur buron nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, personi më i fuqishëm në botë, kur ai ka aftësinë të ndikojë në atë që thotë”, tha demokrati.
“Spastrimi etnik në Gaza nuk është shaka dhe kryeministri i Izraelit duhet të ketë turp”, shtoi ai, raporton euronews.
Green citoi Martin Luther King Jr., duke thënë se “Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo”.
“Padrejtësia në Gaza është një kërcënim për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Green.
“Ngrihem për të njoftuar se lëvizja për shkarkimin e presidentit ka filluar. Unë do të sjell materiale fajësimi ndaj presidentit për vepra të neveritshme të propozuara dhe vepra të neveritshme të kryera”, tha ai.
Kujtojmë se demokratët patën dy përpjekje të dështuara për të fajësuar Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Akuza e parë ndaj presidentit Trump ishte për nxitjen e ndërhyrjes së Ukrainës në zgjedhjet e vitit 2020 dhe pengimin e një hetimi të mëvonshëm të shkarkimit.
Akuza e dytë ndaj Trump ishte për nxitje të kryengritjes për trazirat e Kapitolit më 6 janar 2021.
Ai u lirua nga të gjitha akuzat nga Senati në të dyja rastet.