Demarkacioni – t’i ndalosh tre autoritarë

Demarkacioni – t’i ndalosh tre autoritarë

Ekspertët me fakte bindëse kanë dëshmuar gjerë e gjatë se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është e dëmshme dhe e gabuar. Qytetarët janë kundër, deputetët nga pozita e opozita nga thirrja e të qenit përfaqësues të qytetarëve dhe të interesave të Republikës janë deklaruar se kjo Marrëveshje duhet të hidhet poshtë, megjithëkëtë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi gati përdhunshëm këmbëngulin se Demarkacioni duhet të kthehet në Kuvend dhe se duhet të kalojë. Madje, nuk thonë as që duhet të kalojë për këtë apo atë argument – prej autoritarësh, thjesht thonë se duhet të ratifikohet!

Nga buron gjithë kjo këmbëngulje e tyre për këtë version të Demarkacionit, ani pse nuk kanë asnjë argument dhe ngelin gojëkyçur sa herë që pyeten për përmbajtjen e Marrëveshjes, përveçse për veten dhe fatin e tyre politik. Në një kohë kur premisë e ardhjes apo mbetjes së tyre në pushtet është ashiqare ndjekja e një politike përkundër vullnetit të popullit dhe në dëm të Republikës, është e natyrshme se rënia e Demarkacionit si shpëtim i 8200 hektarëve tokë shtetërore është edhe rënie e kësaj Qeverie, si shpëtim tjetër politik. Sikurse kalimi i Demarkacionit Kosovës nuk ia dhuron vetëm humbjen e territorit, edhe pse humbja më e madhe, e me shumë gjasë e pakthyeshme, është territori me tërë kompleksitetin strategjik, pasuritë ujore, malet e atributet tjera, por humbja tjetër politike që implikon sistemin politik është mbizotërimi i imponimit të ekzekutivit i brumosur me elemente të qarta të autoritarizmit përkundër të drejtës historike, vullnetit të qytetarëve dhe argumenteve të ekspertëve.

E arratisur nga përfaqësimi i qytetarëve si vullnet dhe si interes, kjo Qeveri jo vetëm se nuk përfaqëson ata në kërkesat dhe nevojat e tyre, por as përafërsisht nuk shpreh vullnetin e tyre politik. Asnjë e vërtetë, pra nuk është më e sigurt e më e kulluar, sesa fakti që Isa, Hashimi dhe Kadriu nuk janë një nga qytetarët e kësaj shumësie që e përbëjnë popullin si kolektivitet. Ata, në rastin më të mirë, janë përfaqësues të atij grupi njerëzish që përditë po e zhvatin Republikën, e që një rast tjetër do të ishin dhe do të jenë në Dyz, por nuk janë aty, pikërisht, ngase janë aty ku janë aktualisht. Do të qe një marrëzi dhe një gabim mohimi i këtij fakti. Vetëm njohja e pranimi i tij e mundëson analizimin dhe zbërthimin e veprimeve të tyre politike aktuale. Vetëm përfytyrimi i gjendjes së tyre të shantazhuar e shpjegon insistimin e tyre për ta proceduar Marrëveshjen aktuale për Demarkacionin. Analizimi dhe konstatimi përkitazi me politikat e tyre duke injoruar edhe nivelin individual të analizës, pashmangshmërisht do të çojë në kualifikime të gabuara, apo më së paku të mangëta.

Kryeneçësia e tyre për të proceduar me Demarkacionin, e përpjekjet për ta ringjallur “Zajednicën”, ani pse mbi 200 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin, dhjetëra protesta masive, argumente të pakontestueshme të ekspertëve, mbi 70% e qytetarëve janë deklaruar kundër përmes sondazheve, kundërshtimin e opozitës e të deputetëve të koalicionit, nuk mund të jetë tjetër vetëm se turravrap për të pezulluar vullnetin e qytetarëve e përforcim të prirjeve autoritare të Isës, Hashimit e Kadrisë, aq sa humbje të territorit e akomodim të Serbisë brenda Republikës.

Të zhveshur që moti nga të qenit përfaqësues, kjo treshe e veçuar në këtë mesë, kur na thotë se Demarkacioni do të ratifikohet e “Zajednica” do të zbatohet, vetëm sa na thonë se këtu, Kosova është vullneti i tyre, madje vetëm i tyre, dhe se çfarë mendon populli, çfarë thonë ekspertët, çfarë mendojnë deputetët e zgjedhur, qoftë edhe ata të koalicionit apo se çfarë ka gjetur Gjykata Kushtetuese nuk ka fare rëndësi. Sipas tyre, vendimi i Kuvendit si organ përfaqësues e ligjvënës me hir apo pa të; me joshje apo kërcënime, me blerje apo me detyrim, duhet ta legjitimojë vullnetin e treshes Thaçi- Mustafa-Veseli! Kjo e bën të qartë se aty ku dështon kjo treshe e izoluar, fillon interesi i Kosovës. Për rrjedhojë, atëherë kur mbaron sundimi i Isës dhe Hashimit, fillon të vijë në shprehje qytetaria, qoftë si shprehje e drejtpërdrejtë apo si përfaqësim.

Se Demarkacioni shpërfaq vazhdimësinë e një sistemi të përçudnuar fyerjesh e poshtërimesh që kjo treshe ogurzezë ka si emblemë dhe simbol, del sheshit edhe përmes paraqitjeve të ngurta, sharëse e frikëndjellëse për këdo që tenton të hedhë dritë mbi dëmet e Demarkacionit, sikur ai të ishte tub i aparatit të frymëmarrjes që po e mban në jetë këtë regjim, të cilën po e mbajnë të shtrënguar fort. E, për ironi, është ky tub i frymëmarrjes së tyre ai që duhet prerë, në mënyrë që të marrë frymë lirshëm qytetaria e ngulfatur nga regjimi poshtërimndjellës i tyre.

Duke abstrahuar për një moment dëmet e Demarkacionit dhe “Zajednicës”, kjo Qeveri duhet të bie pikërisht për mohimin e vullnetit të qytetarëve, refuzimin për të pranuar argumentet dhe lehtësinë për të shkelur Kushtetutën. Mjafton ky fakt dhe imponimi i vullnetit të tyre prej sundimtarësh për të protestuar të gjithë; intelektual e bujq, studentë e nxënës, të papunë e të punësuar, gra e burra. Ndërsa për përmbajtjen e marrëveshjeve të dëmshme dhe nënshkrimin e tyre, për nënshkruesit e tyre duhet të diskutohet vetëm periudha dhe vendi i vuajtjes së dënimit të merituar.

(Autori është anëtar i Lëvizjes “Vetëvendosje” në KQZ)

 

Shpërndaje në: