Demagogu njoftohet me Dokumente: Si të kuptohet nervoza që Kurti shpërfaqi sonte?
Shrkuan: Dafina Demaku
Demagogjia s’kryen punë. Dokumentet, po. Kjo është ajo që duket se Albin Kurti e ka kuptuar në pushtet. Por, për ta arsyetuar gjithë demagogjitë ndër vite, i duhen shumë dokumente për t’i shfletuar. E pse jo, edhe për t’i NËNSHKRUAR…
Sqarimi i fjalës demagog në fjalorin e gjuhës shqipe, është kështu:
“Mashtrimi i popullit, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t’i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike; qëndrim i politikanëve me dy faqe, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë; fjalë të bukura e të zbrazëta që kanë për qëllim të mbulojnë e të shtrembërojnë të vërtetën. Demagogji politike. Demagogji e stërholluar. Bën demagogji”.
Ky shpjegim që vjen nga fjalori shqip, i shkon më së shumti për shtati një politikani si Albin Kurti, demagogjia e të cilit po shkapërderdhet çdo ditë e më shumë. Ironia e fatit është, se kjo po ndodh nga vetë ai.
Pra, ai po ia kryen vetes këtë shërbim. Edhe pse ka ende tentativa të demagogjisë në diskursin e tij, kur krahason cdo gjë me qeveritë e kaluara – për shembull, fakti më i madh që Kurtin po e bëjnë nervoz ‘dokumentet’ është Marrëveshja e Ohrit.
Kurti si kryeministër zotohet për vetëmanaxhim për komunitetin serb në Kosovë, që nënkupton më shumë se ‘Zajednicë e Isa Mustafës’ – ose autonomi për serbët në Kosovë (sipas të gjitha interpretimeve relevante, deri tani).
Në stilin gjuhësor të Edi Ramës, ironik, cinik e arrogant, Kurti tentonte ta ballafaqonte autorin e Debatit Plus, me pyetjet që ky e ballafaqonte atë, si për shembull, demagogjitë ndër vite për cmimet e lira. Por kur je në pushtet, sic është Kurti tani, këto demagogji nuk kryejnë punë më, dhe njerëzve nuk iu intereson ‘eksporti i lëkurës’ – për të cilën foli Kurti, por cmimi i vezëve sot.
Më interesantja është, se si Kurti tani e ka kuptuar se ka punë me dokumente. Kur u pyet për xhipat e zi, tha se nuk i ka qejf, por se kështu e kërkon protokolli shtetëror dhe po ta kërkonte të kundërtën, pra ndonjë Golf 2-sh, do t’i duhej të trajtonte ‘një krah dokumente’.
E pikërisht Golfin 2-sh, e ka përmendur në vitin 2013, kur deklaronte se ‘do trotuare, e jo xhipa të zi’. Atëkohë, si këdo tjetër, godiste Policinë e Kosovës, duke thënë se ‘nuk i ndalon xhipat e zi, por do Golf 2-sha të lodhtë’.
Kur u pyet se pse nuk e ka bërë një vizitë në Hagë, për krerët e UCK-së, tha se ‘do t’i duhej të ballafaqohej me një krah dokumente’, për ta realizuar këtë vizitë.
Sidoqoftë, anash xhipave të zi që tash i përdorë dhe vizitës së tij në Hagë që nuk e bën, Dokumenti më i rëndësishëm i pranuar nga ai dhe ngulmuar që ta nënshkruajë, është Marrëveshja e Ohrit.
Shumë pak kohë iu kushtua në emision kësaj marrëveshje dhe ajo pak kohë që iu kushtua – ishte përsëritje e deklaratave të Kurtit, nëpër konferenca për media, ku ai s’pranon pyetje. Për të, vetëmenaxhimi është vetëmenaxhim. Jo vetëqeverisje. As autonomi. As vetëvendosje. Të gjitha interpretimet ndryshe – ose që i flet krejt opinioni, për Kurtin janë armë për t’i goditur emrat se kush i thotë ato, si për shembull: Enver Hasani.
Ndërkohë, një nga pikët interesante në intervistës së tij sonte, ishte momenti kur ai braktis militantët e partisë së tij.
Kur pyetet për Vetëvendosjen si parti, flet për të vec si një akronim, e jo si ideal dhe parim, si dikur. Ai tha se ‘vetëvendosë’ për veten. Pra, kaq shumë e ka reduktuar fjalën e famshme të partisë së tij Kurti.
Disi sikur: kush t’mundet me vetëvendosë, vetëvendosni!
Në përgjithësi, nga ajo që kuptuam sonte, është se Kurtin po e bëjnë nervoz dokumentet. Më e lehtë është demagogjia, e kuptueshme. Demagogjia s’kërkon nënshkrim, as një krah letra – që Kurti përmendet shpesh sonte, por veç fjalë.
Fakti që ai i referohej ‘një krahu dokumentesh’ për gjithcka që pyetej, tregon se Kurtit do t’i marrë kohë për t’u adaptuar me ‘jetën e re’ në politikë. Por, le të shpresojmë që kjo kohë, nuk do të na kushtojë, sa na ka kushtuar demagogjia e tij si opozitar.