Demaçi dhe ‘sillja poshtë e përpjetë’

Demaçi dhe ‘sillja poshtë e përpjetë’

Adem Demaçi sot u bë 82 vjeç. Nuk besoj aq te ditëlindjet sepse i japin rëndësi një eventi biologjik që gërryen përpëlitjet për individualizim. Dikush mund të thotë që secili e ka një ditëlindje, e madje kjo shërben si element identifikimi edhe në letërnjoftimet tona. Si një masë fillestare përveçuese nga të tjerët. E vërtetë, mirëpo kjo është veç një masë administrative e cila ka për mësymje administrimin tonë. Njohjen dhe grupëzimin. Futjen nëpër statistika. Parandalimin e kriminaliteteve. E të tjera. Lindja biologjike nuk bëhet me vullnetin tonë, dhe prandaj nëse e shohim si gjë të rëndësishme, i keqshtrojmë premisat fillestare të asaj që duam të jemi.

Dhe eventi i lindjes është mosvet i rëndësishëm. Sidomos, nëse kundrohet nga pikëvështrimet fetare ku jeta shihet si e shenjtë, e jashtëzakonshme. Dhe kjo bën që të shihet me të keq vetëvrasja. Dhe fati i të lindurit është i pashkëputur me atë të të lindësve/prindërve. Përvijohet një borxh i përhershëm ndaj tyre. Sepse, kjo lindje biologjike përfton rëndësi të mosvetshme.

Jeta është në thelb tragjike. Individi qysh në aktin e lindjes së tij biologjike është i dhunuar – sepse hidhet në jetë pavullnetshëm. Prandaj, jam kundër ditëlindjeve. Dhe prindërve [konvencionalë].

Sidoqoftë, kësaj here po flasim për Demaçin. Një personalitet me shumë rëndësi, ditëlindja e të cilit megjithëse i referohet një eventi biologjik përbën një event social, e madje edhe kulturor e politik. Por, të ndalemi edhe njëherë në këtë pikë. Pse një event biologjik i një personaliteti të rëndësishëm bëhet një event social e kulturor? Kjo sepse, te individi në fjalë paramendohet një fill biologjik, organik, nga i cili rrjedhojnë të gjitha të bëmat e mëpastajme. Kjo e derivon idenë sipas së cilës, nëse dikush është i mirë – është i mirë, nëse dikush është i keq – është i keq. Në rastin e Demaçit, janë një pjesë e madhe njerëzish që e himnizojnë gjithë veprimtarinë e tij në një anë – dhe një pjesë tjetër në anën tjetër, që nuk ngurrojnë ta demonizojnë shkaku i disa veprimeve të tij [ta zëmë, kritika e ashpër kundër Rugovës ose ideja e Ballkanisë, ose edhe ‘jopatriotizmi’ i tij kur pas lufte kërkonte të mbronte serbët dhe minoritetet e tjera nga ‘shqiptarët e tij të egërsuar’].

Demaçi, ashtu si asnjë tjetër, nuk mund të shihet nga ky pikëshikim i thjeshtuar që njëson. Mund të flasim për veprat e tij, por jo duke e bërë një referencë konstante te ai – si veprues.

Nëse 82 vitet e tij të jetuara kthehen mbrapsht, formojnë numrin 28. 28 vjet ai jetoi në burg. Dhe këtu buron ose bazohet simpatia e njerëzve për figurën e tij. Mbase, lindja e tij si personalitet u bë pikërisht në burg. Në numrin e madh të viteve që kaloi aty.

Por, të kthehemi te simpatia e njerëzve. Kjo simpati është e përzier edhe me njëfarë keqardhjeje. Madje, kjo nga shoqëria është bartur edhe te institucionet shtetërore të cilat para do kohe kishin vendosur që t’i shpërblejnë me para të gjithë ata që kishin vuajtur në burgje gjatë kohë së Jugosllavisë. Demaçi i kishte marrë rreth 200 mijë euro duke e përlyer kësisoj veprën e tij.

Por, ç’është kjo keqardhje ndaj vuajtjes në burg? Për ironi, një fjali e përdorur pezhorativisht nga Adem Demaçi, njeriu i 28 viteve burg, mund ta ilustrojë paksa përgjigjjen: “sillen poshtë e përpjetë, anej-knej”. Demaçit nuk i pëlqen kur njerëzit ‘sillen poshtë e përpjetë, anej knej’ por shoqërisë po. Kuptimi i lirisë që ndryhet te shoqëria jonë, siç besoj e dëshmuan këto 2 dekadat e fundit, qëndron në atë sillje të pafrenuar e të pakuptimtë.

Shtetet kushtetutohen në atë mënyrë që ndalesat të kenë një rol kyq. S’mund të jetë ndryshe. Veç nëse besojmë në kaos, te lufta e të gjithëve kundër të gjithëve ose te një natyrë organikisht e mirë e njeriut. Kësisoj, burgjet janë pjesë thelbësore e shteteve. Por, e keqja e burgjeve qëndron te tjetri/shteti që të mbikëqyr, kontrollon, orienton e ndalon. Dhe pikërisht kësaj ideje dua t’i mëshoj: shoqëria kosovare nuk arrin ta rrokë të keqen elementare të burgut: tjetrin. Dhe prandaj, burgun e sheh vetëm si një ‘ndalues të bredhjes poshtë e përpjetë’. Edhe shtypjen jugosllave [sërbe] e shihte në thelb vetëm si ndaluese të ‘silljes/sorollatjes’ në fjalë.

Vetë kjo shoqëri shtron përditë kërkesën që njerëzit të mos jenë asgjë tjetër pos njerëz. Që gjithçka tjetër ta ushtrojnë sipërfaqësisht, përpos detyrës së të qenit njeri. E çka është ky njeri? E thamë: një asgjë, një i paformë, një i korruptueshëm nga shthurrja vlerore.

Njerëzit kanë nevojë për burgje [individuale] në mënyrë që të formohen. Që të mos jenë uniformë. Që të mos bëhen agjentë provincializmash, idesh të vrazhda, tipesh banale kulturore dhe që të mos bredhin kot poshtë e përpjetë. Kanë nevojë për burgje të cilat i ndërtojnë vetë, por që i kontrollojnë edhe më me rreptësi se rojtarët e paguar nga shteti. Pra, kanë nevojë për disiplinë.

Njerëzit duhet të sakrifikojnë atë ‘bredhje të kotë poshtë e përpjetë’ në mënyrë që t’i japin lindje vetes, e të kuptimësojnë jetën. Që t’i përmbajnë instinktet, të çlidhen nga shprehitë e të shtrojnë kërkesa të larta ndaj vetes.

Më duket se në perceptimin shoqëror të burgosjes së Demaçit ka një paramendim të ‘aksidentit’ ose ‘rastësisë’. Demaçi ishte fatkeq, e prandaj dhe u burgos. Ose, ka një demonizim të shtetit [Ish-Jugosllavisë] të cilit i atribuohet një ashpërsi e madhe. Mendoj që burgu ishte vepër e vetëdijshme e Demaçit. Një shtet rendin e të cilit përpiqesh ta përmbysësh, të futë në burg. E Demaçi e kuptonte një gjë të tillë. Pra, burgu ishte vepër e tij, dhe prandaj në gjuhën e tij ‘bredhja poshtë e përpjetë, anej-knej, knej-anej” shihet me kaq shumë përçmim.

Unë kam vetëm simpati për Demaçin. Jo keqardhje. Mua më vjen keq, madje shumë keq, vetëm për ata njerëz që s’ishin e s’janë të gatshëm të futen në asnjëfarë burgu. Kurrë e për asgjë. Që e kanë shenjtëruar ‘silljen e kotë’ për të cilën folëm.

Njerëzit më të mëdhenj, shoqëria i degdis burgjeve – thoshte Nietzsche. Me të drejtë!

Shpërndaje në: