Dekodimi i kërcënimeve të Vuçiqit dhe çmimi i paqes në Ballkan
Sa më i madh kërcënimi i paqes në Ballkan të cilin e inskenon Vuçiq aq më i domosdoshëm korrigjimi i kufirit Kosovë – Serbi për ta ruajtur këtë paqe. Krejt kjo strategji kuptohet më së miri me atë që po e plason Vuçiq, tashmë të kthyer në moto karshi vendit tonë ‘Kosova nuk mund të fitoj çdo gjë e ne të humbim të gjitha’. Pra Kosova duhet të humb diçka (tokë) të cilën duhet ta fitoj Serbia. Për rrjedhojë paqen do ta fitoj rajoni.
Serbia e Vuçiqit po i kërcënohet botës perëndimore sidomos Bashkimit Evropian dhe SHBA-s me prishjen e paqes në Ballkan. Për ta bërë që kjo të duket përnjëmend kërcënuese ajo ka plan të përpunuar kujdesshëm dhe ka qëllim të qartë se çka dëshiron të arrij. Në këtë strategji Serbia së pari viktimizohet. Ky është rol që mendësia politike serb e ka luajtur shpesh dhe djallëzisht. Por tash është larg më e sofistikuar dhe ka prirjen që t’i përshtatet shumë më mirë rrethanave të reja, sidomos gjeopolitike. Eshtë e tmerrshme kur e mendon se si dikur është ndëshkuar kjo mendësi shkatërruese dhe si, përkundër kësaj vazhdon të jetë aktive sidomos në raport me Kosovën.
Viktimizimi i Serbisë së Vuçiqit fillon me serbët e Kosovës. Sipas kësaj strategjie serbët janë të ekspozuar diskriminimit institucional në Kosovë, sidomos nga Policia e Kosovës. Në këtë drejtim gënjeshtrat dhe trillimet përpunohen dhe plasohen mbi baza ditore nga politika dhe mediat e Serbisë. Në përpjekjen për ta paraqitur se krejt kjo kjo nuk është as shaka as trillim, por rrezik i madh për paqen rajonale, arqitekti i kësaj strategjie Vuçiq e paraqet Kosovën edhe si kërcënuese për sigurinë e vetë Serbisë. Kështu kohëve të fundit përmendet se Serbia po u rrezikuaka edhe nga Ushtria e posa themeluar e Kosovës edhe nga tarifa mbi prodhimet serbe edhe nga Statuti i ri i Trepçës etj.
Për më shumë, hiç më larg se dje Vuçiq deklaroj se, ‘Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është i involvuar me bashkëpunëtorët e tij që me protesta në Beograd ta rrëzoi ate nga pushteti’. Pra sipas Vuçiqit Prishtina zyrtare po bëka përpjekje ta përmbys pushtetin në Beograd.
Nëse është kështu sipas projektit të Vuçiqit për rrjedhojë shteti serb duhet të bëj diçka kundër këtyre sulmeve. Prandaj Ushtria e Serbisë vihet në gjendje gatishmërie me sqarimin se, nëse NATO nuk i mbron serbët e Kosovës dhe Serbinë dikush duhet t’i mbroj ata, për rrjedhojë edhe ta mbroj Serbinë nga Kosova. Ky është një tjetër kualifikim tutje, gjithsesi zyrtar i Vuçiqit.
Kështu strategjia vazhdon me nevojën e domosdoshme për mbrojtje të serbëve dhe Serbisë nga Kosova. Këtu fillon të jap rezultatet strategjia e Beogradit zyrtarë. Sepse tek domosdoja e Serbisë për tu mbrojtur nga Kosova, qëndron kërcënimi i pashmangshëm i paqes në rajon. Më pas kur kërcënohet paqja në Ballkan reagojnë perëndimorët dhe natyrisht edhe Federata e Rusisë. Dhe vetë ky reagim është rezultat i madh për Serbinë. Eshtë kështu sepse reagimi është përgjigje ndaj nevojës së krijuar se duhet të ndërmirret diçka që të sanohet gjendja e brishtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e rrjedhimisht edhe në krejt Ballkanin.
Dhe sikundër mund të pritet Beogradi zyrtarë ka përgjigjen e gatshme se cila është zgjidhja, çka duhet të ndërmerret pas krejt kësaj për ta ruajtur paqen në rajon. Sipas Serbisë, duhet që një pjesë e tokës së Kosovës t’i jepet asaj. Kështu sa më i madh kërcënimi i Serbisë që determinohet nga nevoja e saj për t’i mbrojtur serbët e Kosovës por edhe Serbinë, aq më i domosdoshëm involvimi i ndërkombëtarëve për të gjetur një zgjidhje. Apo thënë ndryshe, sa më i madh kërcënimi i paqes në Ballkan, aq më i domosdoshëm korrigjimi i kufirit Kosovë – Serbi për ta ruajtur paqen.
Krejt kjo strategji kuptohet më së miri me atë që po e plason Vuçiq, tashmë të kthyer në moto karshi vendit tonë ‘Kosova nuk mund të fitoj çdo gjë e ne të humbim të gjitha’. Pra Kosova duhet të humb diçka (tokë) të cilën duhet ta fitoj Serbia. Për rrjedhojë paqen do ta fitoj rajoni.
Se krejt këtë nuk po e kupton Kryeministri Haradinaj dhe kabineti i tij u pa sërish dje kur ai mbi kërcënimet e përsëritura të Vuçiqit deklaroj para gazetarëve se ‘Kjo është primitive dhe para se të harxhoj para Serbia për armatim duke blerë raketa nga Rusia bën mirë të përpiqet të hyjë në BE. ‘Kënd do ta sulmoj Serbia – pyet Haradinaj për të shtuar – të gjitha vendet për rreth sajë janë anëtare të NATO-s’ gjë që të bën ta kuptosh se ai nuk e ka idenë për strategjinë e Vuçiqit të cilën unë po mundohem ta shpjegoj në këtë tekst e që dekodohet duke e kuptuar rezultatin që mëton Serbia ta arrij nga kërcënimi e jo sulmi që mund t’ia bëj ajo NATO-s.
Për më keq Koalicioni PAN nuk ka kundërpërgjigje ndaj kësaj strategjie të Vuçiqit.
Ndërkohë do të duhej ta kishte të përpunuar dhe efikase. Pushtetarët aktual të PAN-it bashkë me Presidentin jo që nuk kanë strategji se si t’ia bëjnë më tutje në raport me këtë projekt të Vuçiqit, por janë plotësisht të përçarë, sidomos në raport me atë se për çfarë duhet dialoguar. Ata kohën më të madhe po e humbin duke u mbrojtur dhe akuzuar njëri tjetrin dhe nuk po ju mbetet kohë, jo për të reaguar drejtë e shpejtë, por as për ta kuptuar mirë dhe si duhet strategjinë e Vuçiqit. Brengosëse kur e mendon se çfarë reagime urgjente imponojnë rrethanat aktuale, me ç’rast duhet posaçërisht të jemi shumë unik si vend, sidomos sepse tani Serbia nuk është e sëmura e Ballkanit si në kohën e Millosheviqi. Në të vërtetë jemi ne ata që me këtë koalicion në pushtet kemi vënë në konfuzion edhe veten edhe partnerët tanë. Nëse nuk ka strategji kundër Vuçiqit, duhet të ketë strategji të daljes nga kjo situatë në të cilën gjendet Kosova. Sa më shpejtë aq më mirë.