Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e babë e bir në Pejë
I akuzuari Agron Gashi u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë për vrasjen e dyfishtë të babë e bir J.B., dh J.B., si dhe tentim vrasjen e Jetnis Berishës.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuçetaj, i akuzuari Gashi u deklarua i pafajshëm për vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë në tentativë, kurse e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Blerim Ademaj, i propozoi Gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje, duke thënë se i mbrojturi i tij kishte kuptuar përparësitë e pranimit të fajësisë.
Prokurorja Vuçetaj, tha se pasi që pranimi i fajësisë për veprën e armëmbajtjes pa leje është bërë në konstultim me mbrojtësin e të akuzuarit, dhe se i akuzuari është i vetëdijëshëm për përparësitë e pranimit të fajësisë, i propozoi Gjykatës që ta aprovojë atë.
Kurse, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj aprovoi pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje dhe njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, që në afat prej 30 ditësh nga shqyrtimi fillestar kanë të drejtën të paraqesin kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 13 janar 2025 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Agron Gashi ngarkohet se më 22 maj 2024, në Pejë, me dashje të drejtpërdrejtë e nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta tani të ndjerët J.B., dhe J.B., e duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë të pranishëm- të dëmtuarve Florim Gashi e Leonis Hoxha.
Sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari Leonis kishte komunikuar më herët me të dëmtuarin Florim për blerjen e një veture “Golf III” nga ky i fundit, ata ishin takuar tek një furrë, ku Florimi kishte marrë me vete djalin e vëllait- tani të akuzuarin Agron.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Leonis, ishte me mikun e tij dhe vëllain e bashkëshortes së tij, viktimat J., e J.B, ku në bisedë e sipër i akuzuari në një moment u drejtohet të dëmtuarve e viktimave me fjalët “qaj person që lyp me ja sh… nanën, unë ja sh…, ja rrasi alltinë në gojë”, mirëpo me ndërhyrjen e Florimit, i njëjti del jashtë, e ku pas pak del edhe viktima J., e pasi që i afrohet të akuzuarit fillon një zënkë mes tyre, ky i fundit e godet me grusht të akuzuarin nga e cila goditje bie në tokë.
Aktakuza thotë se pasi që të akuzuarin e largojnë nga aty, ai kthehet shpejt me një pistoletë në dorë edhe përkundër përpjekjeve që axha i tij ta largojë armën, i akuzuari shkrep një fishek mes tyre në tokë dhe kur ndërhyjnë këtu viktimat për t’ia marrë armën nga dora, ky qëllon mbi viktimën J., në pjesën e kraharorit të djathtë të qafës e pastaj në drejtim të viktimës J., e ku si pasojë e plagëve të marra viktima J., ndërron jetë më 7 qershor 2024, ndërsa viktima J., më 2 gusht 2024.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5, 1.8 dhe 1.11 të Kodit Penal.
Aktakuza thotë se në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, i akuzuari Gashi, kishte tentuar ta privojë nga jeta edhe të dëmtuarin Jetnis Berisha, duke e qëlluar me armë, ngase i dëmtuari pasi që kishte dëgjuar zhurmë dhe parë tollovi, ishte afruar në vendin e ngjarjes. Me këtë, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5, 1.8 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. Ai gjithashtu ngarkohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Pena