Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte në Malishevë

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte në Malishevë

Sërgjan Lazoviq, i akuzuar për krime lufte, është deklaruar i pafajshëm në akuzat për krime lufte para Gjykatës Themelore në Prishtinë

Prokurori special, Kastriot Memaj, gjatë leximit të aktakuzës tha se i pandehuri bashkë me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të forcave serbe gjatë vitit 1998 dhe 1998 ka kryer krime lufte në fshatin Panorc të komuna e Malishevë, ka kryer arrestim, e ndalim të të kundërligjshëm, dëbim, burgosje e keqtrajtim bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe.

Në Panorc të Malishevës sipas prokurorisë Lazoviq në bashkëkryerje ka maltretuar rreth 500 burra shqiptarë, banorë të Panorcit, që nuk ishin të përfshirë në konflikt në shkollën e fshatit. Pas rrethimit e sulmit ndaj fshatit, siç tha prokurori Memaj, fshatin e sulmuan forcat serbe e më pas e dëbuan popullatën civile e më pas i dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit.

I akuzuari sipas prokurorisë mori pjesë edhe në pjaçkitje e dëmtim të pasurisë së popullsisë civile.

Lazoviq, i cili para paraburgimit ka jetuar në Leposaviq, u vetëdeklarua i pafajshëm.

“Nuk e pranoj as aktakuzën e as fajësinë”, tha i akuzuari.

Gjyqtari Vesel Ismaili e obligoi prokurorinë që t’ia japë mbrojtjes edhe deklaratën e dëshmitarit të mbrojtur D1 në formë të redaktuar dhe e udhëzoi mbrojtjen për ankesë brenda 30 ditësh kundër aktakuzës dhe provave.

Shpërndaje në: