Deklarohen nga Prokuroria për Ridvan Muharremin, u intervistua në cilësinë e të pandehurit
Biznesmenit Ridvan Muharrremi i cili u arrestua vitin e kaluar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në Prishtinë, shkruan Periskopi.
Prokuroria ka bërë të ditur se Muharremi është paraqitur me ftesë të kësaj prokurorie në cilësinë e të pandehurit për një vepër penale.
“Ridvan Muharremi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim.”- thuhet në njoftim.
Periskopi nga burimet e veta, ka raportuar gjatë ditës së sotme se Muharremi i cili është mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti, do të intervistohet për skandalin me rezervat shtetërore.
Ai njihet si pronar i restorantit “Bukë e Zemër”, madje, lokalin e Ridit, Kurti e kishte vizituar edhe me emisarin Miroslav Lajçak.
Ai ishte angazhuar nga Qeveria për të gjetur kompanitë nga ku do të bliheshin mallrat për rezervat, por përkundër se pagesat u kryen, një sasi e konsiderueshme nuk erdhi asnjëherë.
Madje, një kompani polake nga ku kishin blerë sasi të ndryshme pasi u pagua u zhduk meqë konsiderohet se është një kompani fantomë./PERISKOPI