Deklaratat për luftë në Kosovë nga krerët e shtetit, frikë për popullatën

Deklaratat për luftë në Kosovë nga krerët e shtetit, frikë për popullatën

Rreziku nga një luftë nga Serbia në Kosovë po përmendet shpesh nga krerët e shtetit tonë. Në këtë mënyrë, po ngjallë frikë edhe tek popullata. E gjitha kjo, pasi është ende e freskët ngjarja e 24 shtatorit të vitit të kaluar ku një numër i terroristëve serb sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku, shkruan Periskopi.
***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 9 korrik, deklaroi se ekziston rreziku që shteti serb ta përsërisë një sulm më përmasa edhe më të mëdha nëse nuk ndëshkohet.

Këto komente i bëri pas takimit që pati me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, ku shtoi se nëse Serbia ende vazhdon ta mbështesë Rusinë në luftën në Ukrainë.

“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjsk, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë. Një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë por që vazhdon të ketë bashkëpunim me Rusinë”, u shpreh Konjufca.

Do të shpërthejë luftë e gjithanshme në rajon, është edhe një deklaratë tjetër e cila vjen nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, teksa po zhvillonte një intervistë për median kroate Vecernji List.

Kjo po ndodhë për shkak të tolerimit të vazhdueshëm që Perëndimi po i bënë politikës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi Gërvalla.

“Vuçiç është zgjatim i dorës së (Vladimir) Putin-it dhe nëse Perëndimi vazhdon t’i tolerojë veprimet e tij, në rajon do të shpërthejë një luftë e gjithanshme”, citon mediumi kroat ministren Gërvalla.

Gjatë kësaj interviste, kryediplomatja kosovare ka theksuar se procesi i dialogut është i bllokuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili sipas saj nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit.

“Javën e kaluar ne patëm një takim në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Mirëpo doli të jetë e pamundur për ndonjë marrëveshje, meqë dialogu është i bllokuar nga Aleksandër Vuçiç”, shtoi.

“Ky është thelbi i problemit, sepse dialogu mund të jetë i suksesshëm vetëm kur të dyja palët duan rezultate. Nëse pala tjetër as që mendon të arrijë rezultate, si Aleksandër Vuçiç, atëherë koha e investuar është e humbur”, potencoi Gërvalla.

Megjithatë, ajo potencoi se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar për të përmbushur atë që është rënë dakord në Bruksel, por jo në mënyrë të njëanshme.

“Kur Serbia sulmoi Kosovën më 24 shtator të vitit të kaluar, ishte testi i parë serioz i Rusisë për Perëndimin, pasi ishte sulmi i parë ushtarak në një vend ku kishte mijëra ushtarë të NATO-s”.

“Nuk bëhej fjalë vetëm për Kosovën, e cila është vendi më properëndimor, me më shumë se 90 për qind mbështetje për NATO-n dhe BE-në në çdo sondazh. Cili ishte reagimi i NATO-s dhe BE-së”, ka pyetur ajo.

Sipas saj, përgjigja e NATO-s ishte e menjëhershme dhe e qartë, me një rritje të ndjeshme të numrit të ushtarëve dhe patrullime më intensive për të siguruar kufirin me Serbinë, por theksoi se “Bashkimi Evropian mbetet i paqartë në reagimin e tij”.

Shpresojmë që kjo të ndryshojë me strategjinë e re dhe personelin e ri në Bruksel”, përfundoi ministrja Gërvalla.

Për një luftë të mundshme ka folur edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqendonci, i cili ka thënë Serbia nuk i ka ndalë ushtrimet provokuese as para dhe as pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.

I pyetur nëse ekziston mundësia e ndonjë sulmi nga Serbia, ai ka thënë se përderisa ekziston ideja e një “Serbie të madhe” në rajon, kjo paraqet rrezik dhe jo vetëm për Kosovën.

Por, Maqedonci në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se Kosova është e gatshme të përballet me çfarë do kërcënimi jo vetëm nga Serbia po nga kushdo që ka guximin të cenojë sovranitetin e vendit.

“Përderisa, vazhdon të ekzistojë, të ushqehet dhe të fuqizohet teoria hegjemoniste e të pasurit një “Serbi të madhe” në rajon, kjo është kërcënim jo vetëm për Kosovën por për gjitha vendet. Pavarësisht kësaj jemi të gatshëm të përballemi me çdo sfidë dhe çdo kërcënim jo vetëm nga Serbia, por nga kushdo qoftë që guxon të prekë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka thënë Maqedonci.

Sulmi terrorist në Banjskë, krejt çka ndodhi mëngjesin e 24 shtatorit

Ishte ditë e diele. Në orët e para të 24 shtatorit rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Në mesnatë, Policia kishte vërejtur se në fshatin Banjskë ishin vendosur dy kamionë, duke e bllokuar rrugën, kështu gjatë ndërhyrjes grupi kriminal kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, ku edhe u vra polici Afrim Bujaku.

Gjatë asaj dite, kishte vazhdimisht të shtëna armës, ku Policia e Kosovës u ballafaqua me këtë grup terrorist, të cilët në numër ishin mbi 30.

Ndaj sulmit terrorist në veri, reaguan edhe krerët e shtetit, duke e quajtur sulm ndaj shtetit të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.

Kurse, Kryeministri Albin Kurti, tha se kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Teksa në ora 10:00 të mëngjesit ai mblodhi Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë. Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastiri në Banjskë të Zveçanit dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.

Dioqeza Rashkë-Prizren përmes një reagimi në rrjete sociale, kishte konfirmuar se persona të maskuar e të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa theksoi se po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.

Kryeministri Kurti, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe akterët tjerë gjatë gjithë ditës kanë bërë thirrje që të pjesëtarët e grupit terrorist të dorëzohen.

Më vonë, nga Policia e Kosovës, u konfirmua se 3 pjesëtarë të këtij grupi kriminal janë vrarë, një prej tyre ishte plagosur, ndërsa më pas, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se 6 persona janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Ministri i Brendshëm, në mbrëmje tha se edhe pelegrinët e Manastirit po hetoheshin nëse në mesin e tyre ka persona të infiltruar të grupit terrorist.

Veç Policisë së Kosovës, i gatshëm për intervenim ishte shprehur edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë u mbyllën pas zhvillimeve të fundit në veri. Qëndruan të mbyllura deri para pak ditësh.

E vec dy ditë pas sulmit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka publikuar pamje nga brenda Manastirit Banjskë, e ku shihet Milan Radoiciq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën ka thënë se shihet Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka thënë se Radojiçiqi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Pas fakteve të publikuara, Milan Radojiçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, duke pranuar edhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Avokati i tij duke bërë të ditur vendimin ka lexuar edhe një letër të tij, ku pranohen akuzat e ngritura më parë nga ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.

Por ai shton se arsyeja e kthimit ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, sipas tij për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit

Më tej ai tenton të heq përgjegjësitë për aksionin terrorist nga shteti serb, duke theksuar se e ka financuar vetë aksionin.

“Personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike. Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për të kaluarën. Metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit.”

Pas e pranoi se ishte pjesmarrës në sulmin terrorsit, Radoiciq u arrestua, pork y arrestim nuk zgjati shumë.

Një ditë pas arrestimit në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, është liruar nga paraburgimi.

Sic u than ë njoftimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit gjyqtari për procedurën paraprake, “pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”.

“Në të njëjtën kohë, sipas të pandehurit Radojiçiç, i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës, dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent në stacion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga kjo gjykatë kanë njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.

Lirimi i tij vjen vetëm një ditë pasi që u arrestua nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, ku i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë – masë e cila nuk u zbatua.

Arrestimi dhe lirimi i kriminelit Radojiçiç, vjen pak ditë pasi që ai e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku.

Radojiçiç, sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, akuzohet se ka kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” të dënueshme deri 12 vjet heqje lirie sipas Kodit Penal të shtetit të Serbisë.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndërsa më pas, ato armë sipas pretendimeve të tyre “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

As pamjet nga droni që tregojnë se terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, kryen ushtrime në bazat ushtarake në Serbi, nuk po e bindin Bashkimin Evropian që të vendos sanksione ndaj këtij shteti.

Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë as pas publikimit të pamjeve që dëshmojnë se terroristët janë trajnuar në bazën ushtarake të Serbisë në Pasuljanske Livade.

Që Serbia ka gisht në sulmin terrorist në Banjskë mund të kenë dyshime, por të paktën Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Zëdhënësi, Peter Stano, pret bashkëpunim të plotë nga Serbia, ndërsa tek pas përfundimit të hetimeve, do të vendosin nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron para sulmit terrorist.

“Ne duhet ta shohim pikturën e plotë të hetimeve. Nuk do të komentojmë qëndrimet personale, pasi Bashkimi Evropian do të përgjigjet unanimisht nga vendimi i të gjitha vendeve që përbëjnë unionin. Dialogu ka qenë aty për vjet, dhe prioriteti i BE-së është rikthimi në këtë proces. Po të kishte normalizim të marrëdhënieve nuk do të ndodhin këto që ndodhen”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Armët që u kapën

24 SUV, 1 automjet luftarak i improvizuar, 2 motoçikleta 4×4, 8 mina kundër personelit, 8 mina kundër tankut, 36 raketëhedhës M80 Zolja, 142 predha mortaje, 75 granata dore, 150 eksploziv dinamit, 5.5 kg eksploziv plastik, 20 kg eksploziv TNT, 9 granata pushke, 23 detonatorë elektrikë, 6 mitralozë, 1 hedhës nitroglicerine, 30 AK-47, 18 silenciatorë për AK-47, 235 karikatorë për AK-47, 6 automatikë me pamës, 3 pistoleta, 3 pistoleta me silenciatorë, 21 jelekë antiplumb, 15 dylbi nate, 1 dylbi nate termike, 3 dronë, 32 radiomarrës, 4 kamera, 5 palë këpucë taktike, 107 çanta ushtarake, 115 uniforma ushtarake, 10 mbulesa kamuflazhi ushtarake, 1 busullë ushtarake, 6 harta satelitore, 3 harta topografike, 1 telefon celular, 32 telefona të mençur, 23 maska, 20 kazma, 20 lopata, 8 sëpata, 3 motosharra, 4 sharra dore, 2 barela, 1800 kartëmonedha (euro & dinarë serb), ushqime dhe ilaqe, sasi e madhe municioni e kalibrave të ndryshëm

Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

Deklaratat e vazhdueshme të liderëve politikë për rrezik për luftë në Kosovë, po i frikësojnë investitorët e huaj për investime në Kosovë. Kështu thonë për Radio Kosovën përfaqësues të bizneseve dhe njohës të ekonomisë.

Deklarimet e fundit të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, ku theksojnë se në Kosovë mund të ketë luftë, janë një frikësim për investitorët e huaj dhe të gjithë ata që duan të zhvillojnë bizneset e tyre në Kosovën.

I fundit që ka folur për një gjë të tillë është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili për mediumin ukrainas “European Pravda” ka thënë se mund të përsëritet një sulm i ngjashëm me atë në Banjskë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të bizneseve, Agim Shahini, tha se deklaratat e tilla vetëm sa e dëmtojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Të gjithë zyrtarët pothuajse pa përjashtime, janë duke përdorur një fjalim të vrazhdë, qoftë në mediume vendore apo ndërkombëtare që Kosova është e pasigurt. Pasiguria e Kosovës vjen nga liderët të cilët nuk krijojnë kushte të punës, nuk krijojnë kushte për investime dhe të gjitha këto për investitorët potencialë janë mesazhe pasigurie, jo-besueshmërie për Kosovën dhe tregun e saj”, tha Shahini.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke folur për Radio Kosovën thotë se këto deklarata nuk sjellim investime në Kosovë.

 “Ne duhet të kemi shumë kujdes në deklarimet tona, sepse deklarimet për sulme nuk sjellin investime në Kosovë. Ne duhet ta përçojmë mesazhin që Kosova është një vend i sigurt,  një vend i mirë i të bërit biznes, një vend i stabilitetit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë”, tha Rafuna.

Sipas statistikave zyrtare, shumë biznese të Kosovës kanë zhvendosur aktivitetin në shtetet fqinje si në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. /Periskopi/

Shpërndaje në: