Deklarata e përsëritur e Presidentit Trump për Groenlandën nxit shqetësime dhe debat
Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti deklaratën se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës nga Danimarka. Ai e cilësoi një gjë të tillë si të nevojshme për sigurinë ndërkombëtare.
Kjo deklaratë raportohet se ka ngritur shqetësim në mes të popullsisë së vogël të ishullit.
E mbuluar nga akulli dhe me stuhi të shpeshta, Groenlanda është në sezonin e dimrit të Arktikut. Megjithatë, sytë e botës po i kushtojnë vëmendje.
Donald Trump Jr, djali i presidentit, së fundmi shkoi në kryeqytetin Nuuk në përpjekje për të siguruar mbështetje për idenë e të atit, në një vizitë që zgjati vetëm disa orë.
Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pas inaugurimit, Trump përsëriti qëndrimin se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës.
“Djali im dhe zyrtarët e mi shkuan atje para dy javësh dhe ata na duan. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Groenlanda është e nevojshme. Jo për ne. Është e nevojshme për sigurinë ndërkombëtare”, tha Trump.
Popullsia e ishullit prej 57,000 banorësh gëzon një shkallë të lartë autonomie. Qeveria e Groenlandës ka një mesazh të thjeshtë për botën.
“Ne nuk jemi mall, nuk jemi në shitje”, tha ministrja e qeverisë së Groenlandës Naaja Nathanielsen.
Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar përdorimin e trysnisë ekonomike ose ushtarake për të marrë Groenlandën nën kontroll dhe komentet e tij alarmuan aleatët evropianë.
Megjithatë, Groenlanda thotë se mund të gjejë gjuhë të përbashkët me Uashingtonin.
“Nëse shihni përtej retorikës, dëgjoj dy mesazhe nga Shtetet e Bashkuara: Njëra është nevoja për të patur parasysh aspektin e sigurisë kombëtare dhe ne jemi plotësisht dakord me mesazhin amerikan në atë pikë. Mesazhi tjetër që dëgjoj është, ne duam të përfshihemi më shumë në sektorin mineral të Groenlandës. Kjo është sikur të trokisni në një derë të hapur”, tha ministrja Nathanielsen.
Groenlanda do të mbajë zgjedhjet jo më vonë se në muajin prill. Qeveria dëshiron të mbajë njëkohësisht një referendum për pavarësinë nga Danimarka, raporton VOA.