Deklarata e NATO-s dhe fjalët që mungojnë për Kosovën

Deklarata e NATO-s dhe fjalët që mungojnë për Kosovën
Shkruan: Shenoll Muharremi
Nganjëherë duhet të lexojmë edhe mes rreshtave. E ndonjëherë tjetër duhet mos të ndalemi shumë në detaje. Mvarësisht prej situatës. Por ato rreshta që duken të vegjël mund të bëjnë diferencën dhe dallimin në të ardhmen, në një situatë ndryshe. Ka disa dallime thelbësore mes qëndrimeve për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, që shihen qartë në komunikatën zyrtare të NATO-s.

Vizita e Sekretarit Mark Rutte e ka qetësuar sadopak rajonin në një kohë të turbulencave globale. U kuptua që me të në vizitë ka qenë edhe përfaqësuesi apo ambasadori në detyrë i SHBA-së në NATO.

Por, për Kosovën, deklarata nga vizitat e NATO-së jep disa sinjale dhe tregon për realitetin zyrtar të NATO-s kur është në pyetje Kosova.
Përderisa deklarata thotë në fillim të komunikatës që Rutte dhe delegacioni i lartë “në Sarajevë u takua me zyrtarë të lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës”, pra shtetit të BiH, në pjesën për Kosovën fjalia fillon me një “për më tepër” dhe për takimin me presidentën dhe kryeministrin e Kosovës tregohen vetemë në fund pas të gjitha ngjajeve tjera.

Në komunikatë thuhet: “Për më tepër, Sekretari i Përgjithshëm u takua me përfaqësues të institucioneve të Kosovës për diskutime dypalëshe”. Kjo pjesë, në krahasim me deklaratën për BiH, paraqitet në fund të paragrafit të kumtesës.
Këtu gjithashtu ekspozohet fakti që Bosnja dhe Hercegovina referohet me emrin e shtetit të saj, ndërsa për Kosovën përdoret vetëm “Prishtina”, duke zbehur kështu rëndësinë e shtetit. Kjo nuk është diçka e re, për shkak se NATO funksionon në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së, por është mirë të theksohet, sa për të qenë në dijeni me gjendjen.

Pjesa tjetër, ndoshta më e rëndësishme për Kosovën, është fakti se në pjesën për BiH vihet një theks i veçantë te sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnjës dhe Hercegovinës. Thuhet: “NATO mbetet e përkushtuar në mënyrë të palëkundur ndaj stabilitetit të këtij rajoni dhe ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës.”

Ndërsa në rastin e Kosovës, theksi vihet jo te sovraniteti dhe integriteti territorial, por te sigurimi i një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm, pa dhënë shumë siguri për statusin shtetëror. Në komunikatë thuhet: “KFOR punon pa u lodhur për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.”

Në parim, asgjë e re. Por këto janë dallimet kryesore në qasjen dhe gjuhën e përdorur në komunikatën zyrtare nga vizita. Ndoshta kjo është normale, sepse misioni i NATO-s bazohet në një rezolutë të OKB-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, nuk u përmend sovraniteti dhe integriteti territorial, ashtu si në rastin e BiH, dhe as nuk u përmendën institucionet kryesore si presidenca apo qeveria.

Kjo mund të jetë asgjë më shumë se një çështje pragmatike… por në një moment tjetër, mund të shndërrohet në një problem teknik dhe politik, nëse gjërat nuk ecin si duhet. Sidomos nëse NATO modifikohet dhe në vitet e ardhshme SHBA fillon të largohet nga Evropa, siç parashikohet në planin e saj të ri për shkurtime buxhetore. Në atë rast, do të ketë vende në Evropë që do të bëhen tepër kreative në mënyrën se si komunikojnë rishikimin e rolit të KFOR-it.

Nga një çështje e vogël teknike, kjo mund të bëhet një çështje e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në një botë të paarsyeshme dhe në ndryshim, gjithçka është e mundshme.

Shpërndaje në: