Debutimi i Bitcoin në bursën e CME, volum i ulët tregtimi
Ditën e Hëne debutuan në bursën e CME Group kontratat e bitcoin të quajtura “futures” ndërsa paralajmërimet u shtuan edhe shumë rreth rrezikut që bart me vete monedha.
Lançimi i “futures” nga operatori i bursës më të madhe në botë të derivateve dhe nga rivali më i afërt i saj Cboe Global Markets një javë më parë, është shikuar nga të gjithë si momenti kur bitcoin do të fillonte të pranohej në masë.
Është pikërisht kjo shpresë cila dërgoi bitcoin në vlera rekord dhe që nga fillimi i Dhjetorit është dyfishuar çmimi i monedhës virtuale më popullore në botë.
Megjithatë volumi i tregtimit në CME dhe Cboe ka qenë i ulët. Një total prej 751 kontratash janë shitur nga CME ku secila prej tyre ka 5 bitcoin.
13 orë nga debutimi, janë investuar 70 milion dollarë me një vlerë për kontratë prej 18,970 dollarë.
Nga ana tjetër Cboe ka shitur thuajse 4,000 kontrata ku secila kishte një bitcoin dhe vlerë prej 50 milion dollarësh në total.
BitMEX, platforma e specializuar në kontratat “futures” të bitcoin tregton çdo ditë 4 miliard dollar.
Kontrata e CME shitej për 20,650 dollarë bitcoin-i në momentin e hapjes së tregtimit ndërsa ra deri në 18,960 dollarë.
Më 10 Dhjetor vlera e kontratave bitcoin në bursën e Cboe ra me 20% pas debutimit.
Bitcoin theu një tjetër rekord ditën e Shtune ku u deshën vetëm 8 orë që të rritej nga 18,000 në mbi 19,000 dollarë.
Monedha dixhitale kriptografike shënoi pikën më të lartë prej 20,050 dollarësh sipas CoinMarketCap.com dhe dërguar vlerën e të gjithë bitcoin-ëve në qarkullim në 321 miliard dollarë.
Rritja galopante gjatë Dhjetorit ka shtuar shqetësimet se monedha është një flluskë e cila mund të shpërthejë në çdo moment në një mënyrë spektakolare.
Zv/Kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ndërsa u drejtohej ca studentëve tha që të “mos lakmonin bitcoin-in” dhe e krahasoi atë me një piramidë.
Skeptike është edhe Banka Qendrore e Kosovës e cila thotë se asnjë institucion nuk ofron garanci për bitcoin.